-1.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Gazetaria – Jemi të gjithë ekspertë të thashethemit

Më të lexuarat

David Randall

Një herë e një kohë, kur Interneti ishte ende një risi, pothuajse nuk kalonte një ditë pa dalë një artikull që paralajmëronte “vdekjen e gazetarisë”. Sot, njëzetë vjet më vonë, ata parashikime tingëllojnë qesharakë, sepse praktikisht të gjithë lajmet na mbërrijnë ende prej mjeteve tradicionale të informimit dhe prej gazetarëve profesionistë. Gazetaria, mund ta them me një farë lehtësimi, nuk ka mbërritur ende në pikën e përfundimit në varrezën e zanateve të vjetëruar.

Të paktën jo e gjitha. Por ka një kategori gazetarësh që ndoshta i ka hyrë asaj rruge: specialistët e thashethemit. Thashethemi është një aspekt i çuditshëm i zanatit tonë. Nëpër tabloidë, rubrikat që zyrtarisht rezultojnë të shkruara nga një gazetar i vetëm, në të vërtetë bëhen bashkë prej ekipesh me të rinj ambiciozë që frekuentojnë aktivitetet mondane apo ngjiten pas telefonit, në kërkim të lajmeve. Në gazetat londineze më serioze, të cilat i quajnë “ditaristë” gazetarët e tyre të specializuar në thashethemin, ata që njoh janë, ose personazhe të shoqërisë së lartë që nuk humbasin asnjë festë, ose individë të neveritshëm, që kanë aftësinë shqetësuese, që të gjendën vetëm pak hapa larg, sa herë që ndodh diçka. Dhe janë gjithmonë këta të dytët, që zbulojnë lajmet më të mirë.

Por këta zotërinj janë vetëm hijet moderne të specialistëve të kronikës rozë, të të kaluarës sonë të palavdishme. Gazeta e parë që ka patur një rubrikë thashethemesh ka qenë Nju Jork Tajms në vitin 1840. Pak më vonë lindi argëtimi në masë dhe mbërritën njerëzit e famshëm që, ashtu si sot, nuk ishin vetëm talentet e mëdhenj, por edhe persona, të famshëm për faktin e thjeshtë që ishin të famshëm.

Në fillim bëhej fjalë mbi të gjitha për aktore, aftësitë e pakta të të cilave në aktrim, kompensoheshin prej bukurisë (që në vitet shtatëdhjetë të Tetëqindës, fotografitë e tyre shiteshin me miliona), si dhe jeta private plot ngjarje. Drejt fundit të shekullit, gazetarët ishin bërë tashmë mjeshtra të thashethemit, që dikush e ka përkufizuar si “një lajm që na pëlqen, për një person i cili nuk na pëlqen”.

Në këtë fushë, askush nuk ishte më i zoti se sa koloneli Uilliam D’Alton Man, në revistën e të cilit, “Taun Topiks” shfaqej një rubrikë që keqtrajtonte shoqërinë e lartë njujorkeze: “Zonja Van Elm duhet të ketë një problem në fyt. Përndryshe, përse vallë do të fillonte të pinte që në pikë të mëngjesit?” e kështu me radhë. Kishte hapur një zyrë në qendër dhe paguante bujarisht, këdo që i sillte një “kafshatë të shijshme”. Shtëpiakë, dyqanxhinj dhe rivalë kalonin nga ai, zbulonin atë që dinin dhe fusnin në xhep shpërblimin. Man korruptonte edhe telegrafistët që t’i zbulonin ato gjëra që u dëgjonin veshët. Shpesh herë nuk i botonte menjëherë lajmet, por ofrohej që të mos zbulonte ata më kompromentues, në këmbim të një huaje, apo një investimi në një prej operacioneve të tij financiare. Natyrisht, “viktimat” nuk i shihnin më kurrë paratë e tyre. Në fund, agjenti i Manit u arrestua për zhvatje dhe i gjithë mashtrimi përfundoi në gjykatë.

Vitet e artë të kronikës rozë ishin ata nga 1925 deri në 1950, dhe kishin si protagonistë tre “llafazanë të famshëm”. Rubrika e Valter Vinkel, që merrej me Broduejin, ishte një seri frazash të shkurtëra të ngjashme me ato që shfaqen me titra në kanalet e lajmeve. E botonin më shumë se një mijë gazeta, dhe programi i tij radiofonik dëgjohej nga 50 milionë persona çdo javë. Pastaj ishin dy hundëgjatë të vjetër që merreshin me kinemanë, me një ligësi të pamëshirshme: Heda Hoper – mbretëria e terrorit e të cilës përmblidhej më së miri në emrin që i kish vënë vilës së saj në Beverli Hills, “Shtëpia e ndërtuar nga frika” – dhe Luela Parsons, e cila shfrytëzonte bashkëpunimin e bashkëshortit të saj të tretë, një urolog i cili kuronte sëmundjet veneriane të banorëve të Holliudit.

Personazhe të tillë nuk do të shohim kurrë më, dhe duhet të pyesim nëse pas dhjetë vitesh, rubrikat e thashethemit do të vazhdojnë të ekzistojnë, duke qenë se lajmet për njerëzit e famshëm tashmë shfaqen në faqet kryesore të shumë gazetave. Mjafton të shohësh Daily Mail, që sot ka faqen e lajmeve më të vizituar në botë, edhe falë thashethemeve që shfaqen në kolonën e saj të djathtë. Faqe si Bazfid, Tmz, dhe Popbiç përhapen me shpejtësi, dhe kushdo që ka pasur qoftë edhe një rol periferik në një seri televizive tashmë ka një zyrë shtypi që shkruan në Tuiter në emër të tij, mbi dashuritë e tij dhe atë që ka ngrënë për mëngjes.

Një herë e një kohë, marrëdhëniet e supozuara jashtëmartesore të personazheve televizivë zbuloheshin vetëm nga gazetat. Sot jo më. Kohët e fundit, bashkëshortja e një prej këtyre të famshmëve e akuzoi të shoqin për tradhëti bashkëshortore, në Fejsbuk. Ai e përgënjeshtroi kategorikisht, por cilido prej të dyve të ketë të drejtë, gjëja më domethënëse është që, sapo bashkëshortja pati dyshimin për tradhëtinë, ajo rendi ta shkruajë në Fejsbuk. Rrjetet socialë kanë këtë efekt: njerëzit rrëfehen, akuzojnë dhe përsërisin në Tuiter thashethemet mbi njerëzit e famshëm. Tashmë ekzistojnë edhe aplikacione për shkollat, ku studentët mund të hedhin në qarkullim fjalë të këqia për shokët dhe mësuesit, duke imituar personazhe si Uinçell dhe Hoper. Në fund të fundit, për çfarë shërben Fejsbuku, nëse jo për të shkëmbyer gjëra që nuk i thua dot hapur? Me sa duket, tani të gjithë janë specialistë të thashethemit.

David Randall ka qenë Kryeredaktor i The Independent. Libri it ij më i fundit është “Trembëdhjetë gazetarë pothuajse të përsosur” / Sjellë në shqip nga Bota.al

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit