-0.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Gazetari izraelit Gideon Levy: Okupimi nuk do të përfundojë derisa Izraeli të fillojë të paguajë çmimin

Më të lexuarat

Gazetari Levy, i cili shkruan për gazetën izraelite Haaretz, është një nga figurat e rralla në vendin e tij që kundërshton pushtimin dhe e përkufizon Izraelin si një “regjim racist”

Sipas gazetarit dhe autorit izraelit Gideon Levy, ushtria izraelite kryen në mënyrë rutinore “krime lufte” jo vetëm në kohë lufte, por çdo ditë në territoret e pushtuara palestineze për 55 vjet, dhe e vetmja mënyra për t’i dhënë fund okupimit është kur qeveria e Tel Avivit të fillojë të paguajë çmimin.

Gazetari Levy, i cili shkruan për gazetën izraelite Haaretz, është një nga figurat e rralla në vendin e tij që kundërshton pushtimin dhe e përkufizon Izraelin si një “regjim racist”.

Levy, i cili ka ndjekur personalisht ngjarjet në Bregun Perëndimor të pushtuar si gazetar për afro 40 vjet, është i mendimit se në këtë pikë sot, shoqëria dhe administrata izraelite janë në një “gjendje jashtëzakonisht radikale”.

Duke marrë parasysh këtë situatë, Levy deklaron se nuk mendon se Izraeli do të bëjë lëshime për të arritur paqen dhe sipas tij, shpresa e vetme është një ndërhyrje ndërkombëtare.

Duke kujtuar se presidenti amerikan Joe Biden po përgatitet për zgjedhjet e ardhshme, gazetari izraelit thotë se nuk e sheh shumë të mundshme këtë ndërhyrje ndërkombëtare.

Levy, i cili jeton në Tel Aviv, foli për Anadolu nëpërmjet internetit.

“Izraelitët nuk do të zgjohen një mëngjes dhe të thonë: ‘Okupimi është mizor, le t’i japim fund'”

Levy, i cili e përshkroi situatën e mëparshme të shoqërisë izraelite si “mjaft të keqe”, theksoi se në një muaj e gjysmë të fundit, shoqëria “ka rrëshqitur edhe më shumë drejt racizmit”.

Duke shprehur mendimin se nuk është e mundur që një ndryshim pozitiv në favor të paqes të vijë nga shoqëria izraelite, Levy tha:

“Nuk do të vijë nga shoqëria izraelite. Izraelitët nuk do të zgjohen një mëngjes dhe të thonë ‘pushtimi është shumë mizor, aparteidi është i paligjshëm, le t’i japim fund’. Kjo nuk do të ndodhë. Kjo nuk ka ndodhur në 55 vjetët e fundit (gjatë okupimit) dhe nuk do të ndodhë në të ardhmen. Kjo do të ndodhë vetëm nëse izraelitët fillojnë të paguajnë çmimin për pushtimin, nëse fillojnë të ndëshkohen për pushtimin që vazhdojnë dhe ndodh nëse e kuptojnë se çmimi që duhet të paguajnë për të vazhduar okupimin është shumë i lartë”.

“Por ne nuk jemi ende në këtë fazë. Komuniteti ndërkombëtar duhet të ndalojë së foluri dhe të veprojë. Nuk e parashikoj që kjo të ndodhë në të ardhmen e afërt. Por unë mendoj se ky moment do të vijë një ditë dhe (komuniteti ndërkombëtar) do të thotë ‘mjaft është mjaft’. Po e pres atë ditë, por nuk më duket e afërt”, shtoi ai.

“Izraeli ka kryer krime lufte çdo ditë për 55 vjet”

Ish-piloti ajror, kapiteni Yonatan Shapira, i cili dha dorëheqjen nga ushtria izraelite në vitin 2021, për Anadolu ishte shprehur se “Ushtria izraelite është një organizatë terroriste dhe komandantët e saj janë kriminelë lufte”.

I pyetur nëse është dakord me fjalët e Shapiras si një gazetar që ka ndjekur nga afër praktikat e ushtrisë izraelite në terren për dekada, Levy tha: “Së pari, Shapira është miku im dhe po, jam dakord me të”.

“Është një krim lufte që Izraeli e ka kryer çdo ditë në Bregun Perëndimor për 55 vjet (që nga pushtimi i vitit 1967). Nga kolonët (ilegalë hebrenj) në Bregun Perëndimor e deri te transportimi i të burgosurve (palestinezë) në Izrael, nga rrëmbimi i njerëzve nga shtëpitë e tyre çdo natë deri te dënimi kolektiv, të gjitha këto janë shkelje të ligjit ndërkombëtar”, tha Levy.

Ai gjithashtu tha: “Kjo nuk ndodh vetëm në kohë lufte, por edhe në jetën e përditshme. Nuk ka dyshim se okupimi është një fenomen kriminal që duhet të marrë fund. Unë kam luftuar kundër kësaj për gati 40 vjet”.

“Shtypi izraelit fsheh brutalitetin”

Sipas Levyt, shumicës së izraelitëve nuk u tregohen shumë “mizori” të kryera në Gaza.

“Për të qenë i sinqertë, kanalet, mediat dhe gazetat izraelite përpiqen të mos tregojnë shumicën, nëse jo gjithçka, nga mizoritë që po ndodhin. Personalisht, nëse dua të shoh se çfarë po ndodh, duhet të shikoj kanale si Al Jazeera, TRT dhe CNN, dhe në këtë mënyrë mund ta shoh të gjithë pamjen”, shprehet gazetari izraelit.

Duke deklaruar se kostoja e sulmit në këtë mënyrë të një vendi me popullsi të dendur si Gaza është shumë i rëndë për civilët, Levy tha: “Mbeta pa fjalë nga ajo që ndodhi”.

Megjithatë, sipas Levyt, qeveria izraelite ka mbështetje pothuajse absolute nga shoqëria në lidhje me luftën.

“(Izraelitët) tani janë plotësisht të bashkuar për dy qëllime. E para është lirimi i të gjithë pengjeve, që është qëllimi kryesor tani. Më pas, ata besojnë se do ta mposhtin plotësisht Hamasin. Unë mendoj se qeveria ka mbështetje të plotë për të vazhduar luftën”, tha Levy.

I pyetur se “A do të nisë Izraeli përsëri një sulm të plotë pas ‘pauzës humanitare’ që përfundon nesër në mëngjes”, Gazetari izraelit Levy u përgjigj:

“Kam frikë se po, por ditët në vijim do ta tregojnë. Dinamika aktuale është pozitive. Marrëveshja po funksionon dhe çdo ditë pengjet po kthehen në shtëpi dhe gjithashtu të burgosurit palestinezë po kthehen në shtëpi, gjë që më gëzon. Por kjo nuk mund të zgjasë përgjithmonë”.

“Nuk mendoj se Izraeli do të heqë dorë nga vazhdimi i luftës. Shpresoj që të mos kthehet në të njëjtin intensitet, sepse nëse kthehet në të njëjtin intensitet, do të thotë shkatërrim i pjesës jugore të Gazës. Aty tashmë ka më shumë se 2 milionë njerëz. Edhe nëse ata shkatërrojnë plotësisht Gazën jugore dhe e mundin Hamasin, Izraeli nuk e ka idenë se çfarë do të ndodhë të nesërmen. Nuk ka asnjë plan. Dhe nëse nuk ka plan, lufta duhet të ndalet”, shtoi Levy.

I pyetur nëse ShBA-ja do të dojë të ndalojnë luftën ose do t’i japë përsëri dritën jeshile sulmeve izraelite, Levy tha: “Unë mendoj se ata do të ndjekin një rrugë në mes. Ata nuk do t’i ndalin ata (Izraelin) plotësisht, por nuk do t’i lejojnë (për të sulmuar si më parë). A do ta dëgjojë vërtet dhe sa i ashpër do të jetë presioni mbetet një pikëpyetje”, tha ai.

“Izraeli dëshiron të dëbojë përsëri palestinezët, por kjo nuk është e mundur”

Levy vlerësoi gjithashtu çështjen e zhvendosjes së palestinezëve nga Gaza.

“Izraeli do të ishte shumë i lumtur ta pastronte Gazën nga populli palestinez. Problemi është se jo vetëm që kjo nuk është morale, por nuk është as ligjore apo praktike”, tha Levy.

“Askush nuk do të marrë 2,3 milionë njerëz. Askush nuk do ta lejojë Izraelin të transferojë 2,3 milionë njerëz. Izraeli nuk do të vendosë se ku do të jetojnë banorët e Gazës. Izraeli nuk ka të drejtë të marrë një vendim të tillë. Izraeli ka kryer një Nakba (katastrofë të madhe) dhe nuk ka të drejtë të kryejë një Nakba të dytë”, thekson ai.

Levy ia atribuoi ngritjen e vazhdueshme të kësaj teme nga Izraeli “faktit që ata nuk kanë ndonjë zgjidhje tjetër dhe mendojnë se mund t’i zhvendosin me të vërtetë palestinezët nga Gaza”.

Duke theksuar se gjendja aktuale në Izrael është ultranacionaliste, Levy tha: “E dini, ata e provuan këtë edhe në Bregun Perëndimor. 16 fshatra tashmë janë evakuuar në Bregun Perëndimor. Ata nuk mund të përballonin terrorin e kolonëve dhe nuk kishte kush t’i ndalonte. Për aq kohë sa të jetë e mundur (evakuimi i Gazës), ata do të përpiqen, por nuk mendoj se do të ndodhë, nuk është e mundur”.

Duke theksuar se Izraeli e vë në rrezik rajonin me praktikat e tij edhe pa pasur bombë atomike, gazetari Levy vazhdoi fjalët e tij si më poshtë:

“Izraeli dëshiron të jetë një shtet hebre, ka të drejtë të jetë një shtet hebre, por edhe me demokraci, kjo nuk po funksionon. Nëse doni të jeni një shtet hebre, ju duhet një shumicë shumë e qartë hebreje”.

“Nuk ka shumicë hebreje, aktualisht ka rreth 7,5 milionë hebrenj dhe 7,5 milionë palestinezë ‘midis lumit dhe detit’. Nuk mund të kesh një shtet hebre ndërkohë që dy popuj jetojnë nën qeverinë tënde, nën pushtimin tënd, nën regjimin tënd. Kjo është arsyeja pse Izraeli bëri zgjedhjen e tij dhe zgjodhi të ishte një (shtet) hebre në vend të të qenit demokratik”.

“Po të isha palestinez, do të isha në burg për ato që them”

I pyetur se “Nëse do të ishit palestinez, a do të kishit lirinë për të kritikuar Izraelin në këtë mënyrë?” Levy tha: “Përgjigja për këtë pyetje është mjaft e qartë. Sigurisht që jo. Një palestinez nuk mund të thotë shumicën e asaj që them unë. Kjo nuk ndodh në realitetin e Izraelit. Sidomos pas luftës, nuk do të mund ta thosha kurrë. Do të burgosesha shumë më parë për shumë më pak se sa thashë (po të isha palestinez)”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit