Gazetari musliman francez, Fateh Kimouche, lidhur me ligjin “parimet që forcojnë respektin ndaj vlerave të republikës” i cili në Francë njihet si “ligji separatist” dhe që kritikohet në Francë për shkak se vendos muslimanët në objektiv tha se tashmë shteti ka më shumë hapësirë për të sulmuar muslimanët dhe organizatat muslimane.
Kimouche, themeluesi i faqes së internetit “Al Kanz” për çështjet aktuale lidhur me ekonominë islame dhe muslimanët në një prononcim për Anadolu Agency (AA) ka folur për “ligjin separatist” për të cilin nuk ka më pengesë që të hyjë në fuqi pasi u miratua javën e kaluar nga Këshilli Kushtetues në Francë.
“Ky ligj u miratua jo për të luftuar me terroristët, por me qëllim për të vendosur në objektiv muslimanët”, deklaroi Kimouche, i cili shtoi se presidenti Emmanuel Macron pas disa sulmeve terroriste që DEASH-i mori përsipër në vend, vendosi të nënshtrojë muslimanët dhe të ndëshkojë Islamin në Francë.
Macron mbi një gabim islamofobik
“Macron mbart një gabim islamofobik i cili mendohet se është një vazhdimësi mes terroristëve dhe muslimanëve. Sipas atyre nuk ka dallim në natyrë mes një autori të sulmit me bombë ose një kamikazi me në grua të mbuluar me shami, por që ka vetëm dallim grade”, tha Kimouche.
Kimouche bëri të ditur se edhe ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin ka vlerësuar si islamizëm praktikën islame në librin e tij lidhur me “separatizmin islamik”.
Ai tërhoqi vëmendjen se edhe përpara miratimit të ligjit madje ka pasur pasoja konkrete të tilla si lirimin e retorikës islamofobike në shtyp dhe në median sociale, shkrimin e artikujve plot ofendime ndaj xhamive, shkarkimin e imamëve nga detyra me presion të guvernatorëve dhe mbylljen arbitrare të vendeve të përcaktuara si “separatiste”. Kimouche komentoi se “Kompanitë që i përkasin muslimanëve u vizituan çdo ditë nga autoritetet shtetërore jo për kontroll rutinë por me qëllim për t’i gjetur ndonjë mangësi administrative dhe për t’i mbyllur ato. Sepse për të bindur median për nevojën e këtij ligji ishte e nevojshme dhënia e shifrave”.
“Shteti tashmë në bazën e kritereve plotësisht të papërcaktuara, nën emërtimin ‘respektimin e parimeve të republikës’ ka hapësirë të lirë për të sulmuar më gjerësisht çdo musliman dhe çdo institucion si biznes, shoqatë ose xhami të menaxhuar nga muslimanët”, tha Kimouche.
Reagimet kundër ligjit nuk janë të mjaftueshme
“Franca është kritikuar shumë jashtë vendit, ku institucionet prestigjioze të shtypit si Financial Times, New York Times kanë publikuar artikuj shumë të ashpra lidhur me temën, ndërkohë që ligji është kritikuar edhe nga organizata të tilla si Human Rights, Amnesty International”, rikujtoi gazetari Kimouche i cili shtoi se shkrimet dhe artikujt në shtypin e huaj dhe kryesisht atë amerikan e kanë zemëruar shumë Macronin.
Ai vuri në dukje se gazetarët nga vendet mike të Macronit kanë dashur të sulmojnë muslimanët pa treguar këtë të vërtetë franceze. Kimouche potencoi se “Edhe shumë persona të njohur kanë shprehur shqetësimet e tyre kundër këtij trendi autoritar dhe islamofobik. Këto reagime janë të rëndësishme dhe legjitime, por nuk janë të mjaftueshme”.
Ligji i cili në fillim u njoftua si “lufta kundër separatizmit” por që më pas u ndryshua si Parimet që Forcojnë Respektin ndaj Vlerave të Republikës është plotësisht ngjyrosje dhe hipokrizi, tha Kimouche duke shtuar se “Qeveria edhe pse ka për qëllim këtë, ajo nuk do të zgjidhte që ta emërtonte hapur këtë si ‘një ligj kundër muslimanëve që praktikojnë fenë e tyre‘”.
Kimouche ndër të tjera theksoi se “Ky ligj është i rrezikshëm sepse vendos në objektiv një pjesë të shoqërisë për shkak të fesë së vërtetë ose të supozuar, në të njëjtën kohë dhe para së gjithash kjo e famshmja ‘parimet e republikës‘ do të shkaktojë abuzime nga të cilat mund të kemi frikë se do të ndodhin shumë në të ardhmen për shkak se nuk përcaktohen asnjëherë në kuptimin e vërtetë”.
“Mund të dëmtojë një njeri, një fondacion, një kompani ose një xhami duke i akuzuar ato vetëm se veprojnë në kundërshtim me ‘vlerat e republikës’. Parimet e republikës janë një koncept i paqartë por janë shumë efektive në këto kohë kur të qenurit musliman shihet si një problem”, tha Kimouche.
/aa/