1.4 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Gazetarët reagojnë ndaj deklaratave fyese të ambasadores Alma Lama ndaj KTV-së

Më të lexuarat

Drejtoresha e “Grupit KOHA”, Flaka Surroi, ka reaguar ndaj deklaratave fyese të ambasadores së Kosovës në Itali, Alma Lama, kundër KTV-së.

Surroi, në një postim në Facebook, ka shkruar se do të duhej të vinte shkarkimi i menjëhershëm i Lamës.

“Një vendim shkarkimi i menjëhershëm do të duhej të pasonte. Nëse flasim për parime”, ka shkruar Surroi.

Më pas, Surroi ka folur edhe për padinë e paralajmëruar nga ambasadorja Lama ndaj Grupit KOHA, duke theksuar se do ta presë kundërpadia.

“Po e lexoj se paska me na paditë në gjyq. Aty do ta presë kundërpadia, sepse posti i ambasadores nuk jep imunitet për shpifjen dhe fyerjen, që janë të dënueshme sipas ligjit, të cilin ajo vetë e ka votuar në Kuvend”, ka shtuar drejtoresha e Grupit KOHA.

Ndaj deklaratave të ambasadores Lama, ka reaguar edhe Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Shkelqim Hysenaj.

Hysenaj ka thënë se është e ulët dhe e turpshme përdorimi i kësaj gjuhe nga një ambasadore.

“Faktikisht Alma Lama vetvetiu ka rezultuar të jetë pseudogazetare. Ajo që si mbijetoi as joshjes më të vogël politike, paska gjetur kohë që nga largësia të fyej e akuzojë gazetarët në Kosovë. E ulët dhe e turpshme përdorimi i kësaj gjuhe nga një ambasadore”, ka shkruar Hysenaj.

 

Gazetari i Kohës Ditore, Besnik Krasniqi, duke përmendur rastin e Xhafer Ahmetit, i cili u shkarkua nga detyra për shkak të fyerjeve ndaj Sali Berishës, ish-kryeministër i Shqipërisë, ka thënë se edhe Alma Lama menjëherë duhet shkarkuar nga pozita e ambasadores.

“Alma Lamën menjëherë duhet shkarkuar nga pozita e ambasadores. Po si Xhafer Ahmetin. Ndryshe, pushtetit i faturohet bashkëpërgjegjësia për fyerje e presion kundër KTV-së”, ka shkruar Krasniqi.

“Ahmeti, sa ishte i ngarkuar me punë në Mal të Zi, pati fyer nëpërmjet Facebook-ut ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha. Ministri Hoxhaj e pati kthyer menjëherë në Prishtinë. Edhe e pati degraduar”, ka shtuar ai.

“Lama që është ambasadore në Romë, po nëpërmjet Facebook-ut, sot ka fyer rëndë KTV-në, duke e etiketuar si medium të Serbisë. Masa disiplinore duhet marrë ndaj saj. Distancim nga fyerja dhe shkarkim të menjëhershëm”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit