Në sulmet që Izraeli ka kryer në Gaza pas njoftimit të armëpushimit jetën e kanë humbur 77 persona, përfshirë 21 fëmijë dhe 25 gra, si dhe të paktën 250 të tjerë janë plagosur.
Drejtoria e Mbrojtjes Civile në Gaza gjithashtu njoftoi se 66 nga personat që kanë humbur jetën janë nga Qyteti Gaza, shtatë nga qyteti Khan Younis dhe katër nga pjesa qendrore e Rripit të Gazës.
Katari, një nga vendet ndërmjetësuese, mbrëmë njoftoi se Izraeli dhe Hamasi arritën një marrëveshje për armëpushim në Gaza dhe për shkëmbimin e pengjeve.
Marrëveshja pritet të hyjë në fuqi të dielën, më 19 janar, sipas të cilës në 42 ditët e para do të lirohen 33 pengje izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë. Kjo do të jetë faza e parë e marrëveshjes së përbërë nga tre faza.
Marrëveshja krahas mbërritjes së ndihmës humanitare për Rripin e Gazës në mënyrë gjithëpërfshirëse, përfshin edhe rikthimin e palestinezëve të zhvendosur në territoret e tyre.
Detajet e fazës së dytë dhe të tretë do të shpallen sapo të përfundojë faza e parë.
Izraeli ka vonuar miratimin e marrëveshjes duke akuzuar Hamasin, ndërsa Hamasi ka njoftuar se i qëndron marrëveshjes.
/trt BALLKAN/