Tridhjetë banesa janë rrënuar tërësisht nga sulmet e fundit ajrore të Izraelit mbi Rripin e bllokuar të Gazës, ndërsa qindra të tjera kanë pësuar dëme, njoftoi ministri palestinez i Punëve Publike dhe Banimit, Mufid al-Hasayine.
Në një deklaratë me shkrim, Hasayine tha se që nga orët e mëngjesit, ekipet e ministrisë janë duke i vazhduar aktivitetet për evidentimin e dëmeve nga sulmet e fundit izraelite dhe hapjen e rrugëve të mbyllura.
“30 banesa janë rrënuar në tërësi në sulmet e Izraelit në Gaza, kurse 500 të tjera janë dëmtuar”, tha Hasayine, duke shtuar se institucioni që drejton është duke u përpjekur për të pastruar gjurmët e sulmit dhe për të plotësuar projektet e reja të ndërtimit me qëllim që, siç është shprehur ai, të lehtësohen dhimbjet e banorëve të Gazës.
Në këtë drejtim është duke u punuar në koordinim edhe me institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, shtoi ministri palestinez.
Ndryshe, ushtria izraelite mbrëmë nisi sulme në Gaza pasi shtatë persona u plagosën në mëngjes si pasojë e një rakete që ra në veri të Tel Avivit.
Izraeli i vazhdoi sulmet deri në orët e mëngjesit, edhe pse Hamasi në ora 22:00 njoftoi se është arritur armëpushim me ndërmjetësimin e Egjiptit.
Zyra Mediale e Qeverisë në Gaza sot në mëngjes njoftoi se dhjetë palestinezë janë plagosur nga 50 sulme të avionëve izraelitë në Gaza.
Në mesin e objekteve të bombarduara ishte edhe zyra e shefit të Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh./aa