Kanë kaluar 14 vite nga vdekja e aktivistes amerikane Rachel Corrie, e cila humbi jetën pasi u godit nga një buldozer izraelit teksa po përpiqej të pengonte rrënimin e një shtëpie palestineze, shkruan AA.
Aktivistja e re Corrie, e cila jetën ia dedikoi të drejtave të palestinezëve, në vitin 2003 shkoi në Gaza në shenjë solidarizimi, për t’i treguar tërë botës “besimin në paqe”. Përmes aktiviteteve dhe xhirimeve që i realizoi aty, Corrie nxorri në dritë shkeljet e të drejtave të njeriut nga Izraeli.
Aktivistja amerikane më 16 mars të vitit 2003 veshi xhaketën e saj të portokalltë dhe me megafon në dorë u drejtua kah buldozerët e Izraelit. Qëllimi i saj ishte të pengojë rrënimin e shtëpisë së një familjeje palestineze në qytetin Refah dhe marrjen e tokave të tyre. Corrie, e cila mendoi se do të mund t’i ndal makinat rrënuese të Izraelit meqë ishte e huaj, u vendos para buldozerit. Megjithatë, Izraeli nuk tregoi dhembshuri për të njëlloj siç nuk tregon mëshirë edhe për palestinezët.
Palestinezët pritën me habi të madhe lajmin për vdekjen e Corrie. Ata e cilësuan atë si “dëshmore”, kurse në nder të saj organizuan ceremoni të madhe mortore. Emri i saj u përjetësua si një prijëse e mirësisë në çdo vend të botës, kurse me të u emërua një anije që lundroi nga Irlanda drejt Gazës për të dërguar ndihmë, kurse në emër të saj u bënë shumë filma që hodhën dritë mbi problemet e palestinezëve në Gaza.
Rami Abdu, kryetari i Organizatës Euro-Mesdhetare për të Drejtat e Njeriut “Euro-Mid”, në një deklaratë për AA me rastin e 14 vjetorit të vdekjes së Corrie, tha se “Mesazhi që Corrie ia dha botës mbetet i gjallë për vite të gjata. Në këtë mënyrë, Izraeli ia bëri të ditur botës aktivitetet vrasëse për popullin palestinez dhe çdo kë që solidarizohet me të”.
Duke kritikuar heshtjen e komunitetit ndërkombëtar ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut nga Izraeli, Abdu e cilësoi Corrien si “shembull i gjallë në zbardhjen e shkeljeve të të drejtave nga Izraeli”.
“Asnjë dokumentar, tregim, nuk më shpjegoi gjendjen këtu”
Corrie në çdo rast ka përmendur ndjeshmërinë e saj nga ngjarjet në Palestinë në të cilat vetë ka qenë dëshmitare, kurse në njërën nga letrat dërguar familjes para se të vritej, ajo shkruan:
“Asnjë punim, lexim, pjesëmarrje në konferencë, dokumentar që kam shikuar mbi rajonin, tregim ose ngjarje që kam dëgjuar, nuk më kanë shpjeguar gjendjen këtu. Nëse nuk e shihni gjendjen këtu me sytë tuaj, është e pamundur ta paramendoni. Më pas mendon nëse përvojat e përjetuara për një kohë të gjatë reflektojnë të vërtetën ose jo”.
Kush është Rachel Corrie?
Rachel Corrie ka lindur në vitin 1979 në qytetin e Washingtonit në SHBA. Ajo ishte aktiviste vullnetare për të drejtat e njeriut në Lëvizjen Ndërkombëtare të Solidaritetit.
Më 16 mars të vitit 2003, teksa kishte dalë kundër rrënimit të shtëpive të palestinezëve në Refah në jug të Rripit të Gazës, u godit nga një buldozer i mekanizuar që u përkiste Forcave Mbrojtëse të Izraelit.
Padia e ngritur nga familja e Corrie u refuzua nga Gjykata e Lartë e Izraelit.
Me emrin e Corrie në Palestinë u emëruan shkolla, spitale dhe foshnje të posalindura, ndërsa në emër të saj u bënë shumë filma, shfaqje teatrale dhe u shkruan libra. Letrat e Corrie drejtuar familjes nga Palestina u përpiluan në një libër të titulluar “Më lini të rezistoj e vetme”.