-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Gati katër muaj të shkuar huq për Elektrosever-in

Më të lexuarat

Kompania serbe, Elektrosever, nuk i ka plotësuar kushtet që i përcakton Udhërrëfyesi për Marrëveshjen për Energji ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, edhe pse kanë kaluar më shumë se dy javë nga afati i paraparë, thonë zyrtarë të institucioneve të Kosovës.

Kjo kompani është licencuar më 24 qershor nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE), për furnizimin me rrymë të qytetarëve të katër komunave të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, si dhe për faturimin e tyre.

Elektrosever-i i ka pasur 100 ditë kohë për plotësimin e kushteve që do t’i mundësonin të operonte në tregun e Kosovës. Nga data e lincencimit kanë kaluar 116 ditë.

ZRRE-ja nuk jep ndonjë përgjigjeje të qartë se si do të veprojë me këtë kompani, por i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se ka rrezik që Elektrosever-it “t’i tërhiqet licenca”.

Lajçak i ka bërë komente në një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 13 tetor në Prishtinë, ndërsa katër ditë më vonë, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se çështja e energjisë kërkon “zgjidhje urgjente”.

Licencimi i Elektrosever-it ka qenë i paraparë me një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë për energjinë, e cila është arritur në vitin 2013, por pajtimi për zbatimin e saj është bërë me 21 qershor.

Elektrosever është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë – EPS (Elektroprivreda Srbije), por në Kosovë është themeluar me ligje të Kosovës.

Bazuar në kushtet e Udhërrëfyesit, kjo kompani, mes tjerash, është dashur të nënshkruajë marrëveshje teknike me Kompaninë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë – KEDS, si dhe me Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike – KOSTT. Po ashtu, është dashur t’i dorëzojë ZRRE-së një plan investimi, kostot e mirëmbajtjes, si dhe humbjet në rrjet, bazuar në analizën e infrastrukturës ekzistuese.

Në një deklaratë nga KOSTT-i dhënë Radios Evropa e Lirë thuhet se “deri më tani, nuk ka pasur progres në zbatimin” e pikave të Udhërrëfyesit.

Nga ZRRE-ja, ndërkaq, thonë shkurtimisht për REL-in se “do të veprojnë në harmoni të plotë me obligimet që rrjedhin nga Udhërrëfyesi për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë”.

Sipas Udhërrëfyesit, në rast të mosveprimit sipas kushteve të caktuara pas 100 ditëve të lëshimit të licencës, ZRRE-ja mund të vendosë për pezullim apo tërheqje të licencës për Elektrosever-in, ndonëse para këtij vendimi duhet të ketë konsultime me palët, nën ndërmjetësimin e BE-së, brenda një afati kohor prej 15 ditësh.

BE-ja, më pas, do të ofronte opinionin e ekspertëve, nëse do të kërkohej së paku prej ndonjërës palë.

REL i është drejtuar edhe kompanisë Elektrosever rreth kësaj çështjeje, por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka marrë përgjigje.

Çeku: ZRRE duhet t’ia pezullojë licencën Elektrosever-it

Eksperti i çështjeve energjetike, Ethem Çeku, njëherësh ish-ministër i Energjisë në Kosovë, thotë se ZRRE-ja duhet t’ia pezullojë licencën Elektrosever-it.

Por paraprakisht, shton ai, duhet të informohen të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare se Elektrosever nuk i ka përmbushur kushtet.

“Nuk duhet të bëjmë veprime aty për aty, por duhet të paraprijë një fushatë e gjerë informuese mbi koston, mbi shpenzimet, në këtë kohë të madhe të krizës energjetike që mbizotëron në botë”, thotë Çeku për Radion Evropa e Lirë.

Çeku thotë se Qeveria e Kosovës duhet t’i gjejë zgjidhje “veprimit politik” të popullatës shumicë në veri.

“Mospagesa e energjisë që bën komuniteti serb në atë pjesë, është krejtësisht veprim politik, nuk është veprim ekonomik e social… Problemi është se ajo pjesë nuk e njeh sektorin energjetik të Kosovës dhe nuk e paguan energjinë”, thotë Çeku.

A janë të gatshëm qytetarët në veri të paguajnë për rrymën e shpenzuar?

Disa qytetarë të Mitrovicës së Veriut, të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, thonë se nuk janë të gatshëm t’i paguajnë faturat e rrymës.

“Prej nga? Nuk kam të holla për diçka të tillë. Nuk e di se çfarë të bëj. Nuk kam me çka, nuk punoj askund dhe jam i lajmëruar në byronë për punësim”, thotë një qytetar që u identifikua vetëm si Nebojsha.

Dragan Antoviq thotë se rryma duhet paguar, por se nuk ka para.

“Unë jam pensionist, pensioni është i vogël… Unë nuk mund ta paguaj [rrymën] sigurisht, nuk kam pension të madh, nuk kam asgjë, çfarë të bëj, çfarë të ha”, shprehet Antoviq.

Lilana thotë se rryma duhet të paguhet dhe se “nuk e di nëse ka ndonjë vend në botë ku nuk paguhet”.

“Fakti që nuk paguhet rryma, është vetëm vullnet i mirë i Serbisë apo… Dikush po e bën një shërbim të mirë dhe unë nuk po e marr vesh këtë punë”, thotë Lilana.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 8 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në rast të dështimit të marrëveshjes për Elekstrosever-in, Qeveria e Kosovës nuk do të ketë mundësi që në vjeshtë të vazhdojë të paguajë rrymën në veri.

Klisman Kadiu, këshilltar politik i zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Besnik Bislimi, konfirmon për REL-in se “Qeveria e ka bërë të qartë qëndrimin se nuk do ta mbulojë më koston e shpenzimeve të konsumit të energjisë elektrike në veri të vendit”.

KOSTT, po ashtu, thotë se nuk ka mjete për të mbuluar shpenzimet atje.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit