Pas bisedimeve të pasuksesshme në Përzhino për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, datën e saj, si dhe pastrimin e listës zgjedhore, mediat, etj, po vihet në pikëpyetje mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare me 24 prill të këtij viti.
Afrim Gashi nga Lëvizja BESA në një prononcim theksoi se Lëvizja Besa është e gatshme për zgjedhje edhe nëse ato mbahen nesër.
Ai përmendi rëndësinë që para mbajtjes së zgjedhjeve të kihet parasysh shfaqja e lirshme e vullnetit politik të shqiptarëve të Maqedonisë.
“Për Lëvizjen BESA, nuk është thelbësore kur mbahen zgjedhjet, sepse edhe nesër po të mbahen ne jemi të gatshëm.
Për ne, thelbësore është çfarë zgjedhje do kemi dhe a do të mund të sigurohen kushte minimale për zgjedhje të lira dhe demokratike.
Madje, duke i ditur rrethanat në Maqedoni dhe se kush qeverisë me këtë vend, ne nuk kemi iluzione se në Maqedoni mund të mbahen zgjedhje skandinave, por së paku kërkojmë kushte elementare për zgjedhje dhe sipas mundësive sa më pak manipulime gjatë procesit zgjedhor.
Ne gjithçka që duam është që të shfaqet lirshëm vullneti politik i shqiptarëve të Maqedonisë”, deklaroi Gashi.