Garat ndërkombëtare “SELAM PËR TY”
Gjatë ditës së enjte, më 11.05.2023, në ShML “Medreseja Alauddin” në Prishtinë, në Prizren dhe në Gjilan, njëkohësisht u zhvillua gara ndërkombëtare “SELAM PËR TY”, që për qëllim ka përshëndetjen “Selam për TY, o Muhamed, a.s.!”.
Gara “SELAM PËR TY” është ideuar si konceptim i njohjes dhe mësimit sa më mirë të biografisë së Muhamedit, a.s., prej sa më shumë nxënësve të medreseve, dhe atë në gjuhët e tyre amëtare.
Në këtë garë pjesëmarrëse ishin medresetë – Imam Hatib nga Turqia, medresetë nga Ballkani: nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova Lindore, me pyetjet në gjuhën shqipe të përgatitura nga Komisioni i themeluar nga “Medreseja Alauddin” e Prishtinës. Bazë për përpilimin e pyetjeve ishte libri “Muhamedi a.s., Profeti Islam” i autorit Imam Vehbi Ismaili.
Në këtë garë pjesëmarrës ishin edhe medresetë nga Bullgaria, Bosnia dhe Hercegovina, si dhe nga Sanxhaku, me pyetjet e përgatitura në gjuhët e tyre përkatëse dhe librat përkatës mbi jetën e Muhamedit, a.s.
Kjo garë, në ShML “Medreseja Alauddin” në Prishtinë, në Prizren dhe në Gjilan u organizua nga Bashkësia Islame dhe Zyra e Dijanetit në Prishtinë.
Tre vendet e para në Prishtinë, tre vendet e para në Prizren dhe tre vendet e para në Gjilan për shpërblim do ta gëzojnë shkuarjen në UMRE, në pushimin dimëror të vitit shkollor 2023/2024.
Në ceromoninë solemne të hapjes së garës “SELAM PËR TY”, e cila u mbajt në amfiteatrin e ShML “Medreseja Alauddin” në Prishtinë, përveç nxënësve, mësimdhënësve dhe edukatorëve, mori pjesë edhe kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, z. Vedat ef. Sahiti, si dhe Konsulenti i Zyrës së Dijanetit të Turqisë në Prishtinë, z. Bunjamin Albajrak.
Me këtë rast i urojmë fituesit, po edhe të gjithë pjesëmarrësit!