-4.3 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

Gabim sociologjik

Më të lexuarat

Analizë nga Ali Pajaziti, profesor i sociologjisë në UEJL. President i Forumit Sociologjik Ballkanik

Kjo është sintagma e përdorur nga një analist i huaj lidhur me ndodhinë në Turqi të 15 Korrikut 2016 kur pati përpjekje që qeveria e zgjedhur në mënyrë demokratike (49.48% e votave, 1 nëntor 2015) të përmbysej përmes një grusht-shteti dhe e njëjta të zëvendësohej nga një huntë ushtarake ose nga ndonjë fuqi tjetër sekrete, që do ta ndryshonte kursin e rrjedhave në historinë e këtij vendi që ka bërë hapë të rëndësishëm zhvillimorë nga viti 2002 e këndej.

– Çka në fakt nënkupton ky gabim?

Nënkupton mosllogarinë për faktorin më të rëndësishëm të shoqërisë, gafletin sociologjik të shpërfilljes së popullit, të turmave apo grigjës popullore. Inxhinierët e grushtit i kishin bërë strategjitë e veta në mënyrën “më racionale”, por kishin harruar se populli është sovrani i fundmë apo final i çdo shteti, se themelon, mbron dhe nëse e lyp nevoja përmbys konstruksionet humane të quajtura shtete, se s’ka forcë që mund ta mundë popullin dhe vullnetin e tij për liri. Është për t’u analizuar produkti i quajtur “populli i bëri grushtshtet grushtshtetit”, si dhe çështja se si u arrit që njerëzit e dalë nëpër rrugë të ngadhënjejnë mbi forcat e armatosura ushtarake që e humbën kontrollin ndonëse pushtuan disa pika të rëndësishme të shtetit si Gjeneralshtabi, televizioni kombëtar (TRT), urat e Stambollit, lëshuan kumtesë për ndryshim të regjimit me atë militar, sulmuan parlamentin kombëtar, kryedrejtorinë policore të Ankarasë e shumë objekte relevante të tjera. Të gjitha shqyrtimet flasin për mrekullinë e popullit turk që nuk lejoi skenarin egjiptian të vitit 2013, që nuk ndodhi “efekti i Sisist II”.

Ndërhyrjet ushtarake nuk janë risi në Turqinë moderne, 1960, 1971, 1980, 1997 (grushtshteti postmodern) janë data të shkeljes mbi demokracinë, kur puçi dhe puçistët i nisnin gjërat nga e para, duke kaluar shtetin në gjendje të jashtëzakonshme, duke eliminuar politikisht ose zhdukur fizikisht personat dhe qarqet që i konsideronin të padenja për të mbajtur timonin e shtetit si dhe civilët antipuç. Dhe përpjekja e pestë do të hyjë në histori, do të shënohet si ditë e fitores së popullit përkundër forcave të padukshme, kundër dorës së fshehtë, kundër “shtetit paralel”, kundër terrorizmit modern që fshehet pas parullave si arsimimi modern, dialogu ndërfetar e të ngjashme. Një strukturë që veten e abstragonte dikur nga politika (“Zoti na ruajttë nga djalli dhe nga politika” – thonin), arriti që duke u “depolitizuar rrejshëm”, të synojë majat e politikëbëries me metoda jolegjitime. Këtë e thotë literatura politologjike, sipas të cilës grushtshtetet janë metoda joligjore: “Grushtshteti nënkupton marrjen e shpejtë dhe vendimtare të pushtetit qeveritar nga një grup relativisht i vogël i organizuar jashtëzakonisht mirë i prijësve politkë ose ushtarakë, zakonisht përmes arrestimit dhe vrasjes së pjesëtarëve kryesorë të ekzekutivit dhe ndihmësve të tij kryesorë brenda qeverisë”. (Johnson, A Glossary of Political Economy Terms, 2005) Sipas veprës A Dictionary of Modern Politics të Robertsonit (2002), grushtshteti është “përmbysje e papritur dhe e dhunshme e një qeverie nga ushtria ose me ndihmën e ushtrisë”. Fjalori i parë regjistron gjithashtu edhe rrezikun me të cilin mund të përballet forca ndërhyrëse, “massive civilian resistance” (rezistenca masive e qytetarëve). E në kët rast, ndodhi pikërisht kjo, rezistenca e madhe popullore, e njerëzve të shtresave të ndryshme sociale, e proviniencave të ndryshme politike (majtiste e ultra-djathtistë, nacionalistë, planetaristë) e religjioze (fetarë e agnostikë, fraksione të ndryshme), e mediale. Nga gazetarja që për herë të parë i ishte drejtuar presidentit me shprehjen “I nderuar”, te i mrekullueshmi i letrave, nobelisti antierdoganist Pamuk, personi që dy herë u hodh nën tank që të ndalonte përparimin e puçistëve, te Aisheja 114-vjeçare që me karrocën e saj kishte dalë në rrugë e deri te eksperti i reklamave që ra dëshmor bashkë me birin 16-vjeçar, gazetari që dha idenë për ezanet e jashtëzakonshme të natës, Arda Turani i Barcelonës e deri te ushtaraku që ia kishte krisur në ballë gjeneralit për t’ua ngatërruar agjendën forcave antidemokratike dhe për t’ua prishur rrjedhën e zhvillimit të planit të tyre tinzar, turqit treguan se janë kundër imponimit dhe forcës dhe pro kutisë dhe demokracisë, kundër distancë-menaxhimit të institucioneve të shtetit. Organizata e akuzuar për terrorizëm, e udhëhequr nga lideri shpirtëror i Pensilvanisë, e mbiquajtur Hizmet (Shërbimi) ose Xhemat (Komuniteti), shoqëri dhe perandoria sekrete doli si aktori kryesor i natës së trishtimit, i natës së shigjetuesve, vrasësve dhe shkelësve të popullit. Komuniteti sekret – ku sipas Carnes (1989) misteri dhe frika e rrethojnë njohurinë ezoterike, kurse ruajtja e fshehtësisë i jep shtysë solidaritetit të grupit – denoncoi veten shumë më qartë se radhëve të tjera para ca viteve. Edhe një herë u ngjall debati për këto shoqëri, rreth anatomisë dhe funksionimit të tyre. Hans Freyer (2016) shënon se çdo qytetar i lirë ka të drejtën për t’u bërë anëtar i një shoqate misterioze, por hyrja në një shoqatë të tillë varet nga disa provime, nga ceremonia e pranimit, nga njohja e disa dogmave të shoqatës së misterit. Në një shoqatë misterioze anëtarët nuk flasin rreth ritualeve dhe adhurimeve të veçanta, sepse janë të detyruar të ruajnë heshtjen.

Regjistrimet empirike të njerëzve flasin se pjesëmarrja në këtë komunitet, të mbiquajtur gylenist, ilustrohet me shumë fshehtësira, është vërtet një proces, kurse tukja (fshehja e bindjeve të vërteta apo dukja ndryshe) paraqesin mënyrë jetese, kështu që njeriu gjithherë e ka rëndë që ta lexojë këtë lëvizje të nisur nga Turqia që tanimë është globale, me synime të pakthjelluara mirë dhe të pakuptueshme, madje edhe nga njohësit e çështjeve të sociologjisë së religjionit dhe të teologjisë. Vetë veprimtaria arsimore e ideologjizuar, depërtimi me qëllime specifike nëpër universitete, polici, gjykata, ushtri, Dijanet (Bashkësia Fetare), madje edhe në klube sportive (imagjonini “lëvizja” kishte agjendë për pushtimin e “Fenerbahçes”) në një mënyrë të dalngadaltë, flasin për një target sekret, të padeshifruar deri te ndodhitë e Gezit dhe të vitit 2014, dhe te rasti i fundit i këtij muaji kur dokumentet e kapura, mesazhet e celularëve, letrat e shkruara me dorë dhe të tjerat qartë treguan aktorin, që në kooperim me forcat e jashtme tentoi që të realizonte përmbysjen e planprishësve të projektit të “iluministëve, idealistëve dhe dialogistëve” planetarë, që synonin t’i afrojnë fetë, kulturat, dhe që në fakt realizonin larjen e trurit të njerëzve, të brezave duke afrimuar kultin e “njeriut të veçantë”, “të të zgjedhurit që di atë që të tjerët nuk e dinë”. Ndodhia e popullit dhe rebelimi i turmave treguan edhe një herë se legjenda për ideologun që kishte vendosur që botën ta çlironte përmes lapsit ishte vetëm një farsë, se feja ishte keqpërdorur në mënyrën më të paskrupullt për të ndërtuar një realitet të padefinueshëm me terma normal. Vetë fakti i imazhit të krijuar lidhur me paqësorët e militarizuar flet për vetëveten. Teatri nuk mund të zgjasë përgjithmonë. Edhe kjo lëvizje rreth 40 vite aktroi dhe në fund doli në skenë fytyra e vërtetë. Ajo e prishjes së rendit dhe ngatërestarisë, tendenca këto të cilave populli u tha ‘ndal’, duke i dalë në mbështetje rendit, duke penguar latino-amerikanizimin e një fuqie botërore, duke kujdestaruar me ditë të tëra për të ruajtur demokracinë dhe vlerat e saj.

Sunday Times para do ditëve kishte vënë këtë titull: “Turqit e shtypën dhe thërrmuan grushtshtetin!” Gabimi me popullin dhe ndaj popullit kushton shumë, me rrënimin e kullës së ndërtuar me djersën e popullit. Haku është hak! Sociologjia është shkencë që grupet shoqërore dhe popullin t’i mëson për merak.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit