9.6 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Fushata zgjedhore në Maqedoni, partitë politike shpalosin premtimet

Më të lexuarat

Partitë në pushtet premtojnë prosperitet dhe stabilitet, opozita demokratizimin e shoqërisë dhe politika të reja

Një ditë pas nënshkrimit të Kodit për zgjedhje korrekte nga koalicionet dhe partitë politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit, të hënën, më 21 nëntor, filloi edhe fushata zgjedhore 20 ditëshe e cila do të zgjasë deri në mesnatën e 9 nëntorit, raporton Anadolu Agency (AA).

Partia më e madhe politike në Maqedoni, VMRO-DPMNE, fushatën e filloi në Ohër, Lidhja Social Demokratike e Maqedonisë (LSDM) në Prilep, Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) me takime në Studeniçan të Shkupit, ndërsa Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) një ditë para nisjes së fushatës, të dielën, mblodhi mijëra anëtarë dhe simpatizantë në Konventën provuese, ku shpalosi të gjitha listat e kandidatëve për deputetë. Ndërkohë, BESA, partia më e re shqiptare, hapi fushatën të martën e kaluar në Shkup, me Konventën e saj promovuese për këto zgjedhje parlamentare.

Partitë në pushtet premtojnë prosperitet dhe stabilitet
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, në programin e koalicionit “Për Maqedoni më të mirë” prezantoi projektet për të cilat tha se synojnë përparimin e Maqedonisë, vepra konkrete që do të merren drejtpërdrejtë me problemet e qytetarëve dhe do të ofrojnë zgjidhje për të njëjtat.

Gruevski po ashtu paralajmëroi se përmes këtyre projekteve, me hapjen e 70 mijë vendeve të reja të punës, deri në fund të vitit 2020 do të ulet shkalla e papunësisë, nga aktualja 24 për qind në 17 për qind. Ai theksoi edhe rritjen e pagave në sektorin publik dhe pensionet për më së paku 10-20 për qind, ndihmat sociale në 50 për qind, ndërkohë edhe rritje graduale të pagës minimale në 14 mijë denarë. Ai premtoi edhe investime në infrastrukturë, arsim, kulturë, sport, si dhe investim prej 33 milion euro në shëndetësi, në qendër të re klinike në Shkup, spital klinik në Shtip dhe rikonstruksionin e një pjese të madhe të spitaleve në vend.

VMRO premtoi edhe projekte për zhvillimin e zonave rurale, ku sipas kësaj partie do të investojnë në hapjen e fabrikave në zonat rurale dhe do të marrin stimulim financiar nga shteti, do të lirohen prej tatimeve dhe grante prej 2.000 deri në 4.000 euro për çdo të punësuar.

Lideri i VMRO-DPMNE-së në adresimet e tij para qytetarëve thekson se nuk dëshiron federalizimin e shtetit dhe ndarjet e ndryshme, por interesi i tyre është uniteti i qytetarëve për një shtet më stabil.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili në Konventën promovuese me moton “Bashkë Vendosim” shpalosi synimet e partisë së tij, porositi se vota e qytetarëve për BDI-në mbetet vendim i duhur, pasi që ky subjekt vazhdon të punojë drejt qëllimeve sipas tij tashmë të njohura, integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike, krijimin e kushteve socio-ekonomike për qytetarët dhe ndërtimin e një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë.

Kjo parti politike, sikurse edhe gjatë zgjedhjeve të mëparshme, vazhdon të kërkojë rrumbullakimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, duke paralajmëruar edhe ligj të veçantë për përdorimin e kësaj gjuhe në përbërjen e re parlamentare, sepse barazia mes shoqërisë shqiptare dhe maqedonase, sipas kësaj partie, kontribuon në aspiratat euro-atlantike të vendit.

BDI paralajmëroi ndërtimin e një zone të re ekonomike në Komunën e Likovës me të cilën synon uljen e ndjeshme të papunësisë, nxitjen e bizneseve të vogla dhe të mesme në rajon, si dhe arritjen e barazisë së plotë ekonomike të banorëve të zonës. Njëkohësisht ka premtuar edhe përforcimin e zonës ekonomike veri-perëndimore të vendit, ku janë banorë me shumicë shqiptare.

Lideri i kësaj partie, po ashtu premtoi edhe një fond pensionalo-invalidor të sigurtë për pensionistët, fond ky i cili do të jetë në gjendje të paguajë për pensionistët pensione të rregullta dhe në vazhdimësi më të larta.

Partitë në opozitë premtojnë demokratizimin e shoqërisë dhe politika të reja
Lideri i partisë më të madhe maqedonase në opozitë, LSDM, Zoran Zaev, në tubimin e parë të mbajtur në Prilep, deklaroi se në programin dhe planin e tyre ka pesë pika për të cilat punojnë që nga muaji mars i vitit 2015. Sipas tij, qytetarët meritojnë të jetojnë në liri, demokraci dhe një jetë dinjitoze.

Zaev deklaroi se partia që drejton ai do të punojë për paga më të larta. Ai theksoi se paga mesatare të mos jetë më pak se 30.000 denarë dhe kthimin e 15 përqindëshit nga TVSH-ja për një pagë plus në secilën familje, ndërkohë paralajmëroi se kompanitë vendase do të subvencionohen me 140 milion euro, pas së cilës do hapen vende të reja të punës dhe të rinjtë nuk do të lëshojnë vendin, por do të jetojnë në Maqedoni me dinjitet.

Kjo parti, përmes programit “Plan për jetë për të rinjtë të mbesin në Maqedoni” premton një sërë masash ekonomike përmes mbështetjes direkte nga shteti që do t’u ndihmojë kompanive dhe të rinjve të formojnë biznes vetjak që të hapen vende të reja të punës. LSDM paralajmëroi edhe vendosjen e pensionit social shtetëror për çdo qytetar i cili nuk ka stazh pune apo ka nën 15 vjet, si dhe rritje reale të pensioneve në nivel vjetor në bazë të shpenzimeve të jetës.

Në lidhje me dygjuhësinë, lideri Zaev ka premtuar edhe ndryshimin e Kushtetutës për realizimin e dygjuhësisë në territorin e Maqedonisë, duke e quajtur vlerë kulturore, e jo dobësi.

Ndërkaq, lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, partia e të cilit këto zgjedhje mban moton “Ecim drejt”, në takimin e parë të fushatës zgjedhore deklaroi se dy pikat kryesore të PDSH-së janë falja e borxheve të shqiptarëve ndaj shtetit dhe barazia e plotë në ndarjen e buxhetit ndërmjet vendbanimeve shqiptare dhe atyre maqedonase. Ai po ashtu premtoi se nëse i fiton zgjedhjet, do të zë vendin e zëvendëskryeministrit dhe do të tregojë kujdes të posaçëm për shqiptarët në vendbanimet me shumicë joshqiptare.

Thaçi duke bërë thirrje për mbështetje sa më masive, në takimin e parë me qytetarët premtoi se Ligji për faljen e të gjitha borxheve të shqiptarëve ndaj shtetit do të miratohet në seancat e para të Kuvendit, sapo të mblidhet legjislatura e re. Sipas tij, shteti u ka borxh shqiptarëve, pasi që e mbush arkën në masën 30 për qind me paratë e shqiptarëve në formë taksash dhe tatimesh, ndërsa u kthen vetëm 2 për qind.

Në lidhje me ndarjen e njëjtë të buxhetit mes zonave shqiptare dhe maqedonase, Thaçi deklaroi se paratë buxhetore do të shfrytëzohen për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, ujësjellësit dhe ujërave të zeza, përfshirë edhe për ruajtjen e ambientit, mbrojtjen shëndetësore dhe arsimin kualitativ për të gjithë shqiptarët.

Ndërkohë, partia më e re shqiptare me koalicionin “Rilindje me Besë” të cilës në Konventën promovuese iu dha një mbështetje e madhe nga qytetarët e Shkupit, porositi se do të ndryshohet roli i politikanit në Maqedoni, duke qenë në shërbim të popullit, e jo e kundërta. Siç deklaroi lideri i partisë BESA, Billal Kasami, të gjithë do ta kenë të qartë se nëse nuk ka vend për ëndrrat e shqiptarëve, atëherë Maqedonia do të zhbëhet edhe si shtet.

Bilalli premtoi se Rilindja me Besë është e ardhmja e shqiptarëve të Maqedonisë dhe ofron zgjidhjen e problemeve të tyre, pasi që të tjerët, siç thekson ai, “hedhin gurin dhe e fshehin dorën”. Ai po ashtu theksoi se partia e tij në asnjë rast nuk i përgjigjet dhunës me dhunë, por përgjigjja gjithmonë do të jetë me kulturë.

Kjo parti premton Ridefinimin e shtetit, pasi që sipas tyre për të ardhmen e shqiptarëve nuk ka kush të kujdeset, ndërsa “Rilindja me Besë” do të legjitimojë këtë popull dhe do t’i thonë mjaftë të keqes.

Gjatë fundjavës partitë politike vazhdojnë me prezantimin e programeve në terren. Partia VMRO-DPMNE ditën e djeshme mbajti tubime në Makedonski Brod dhe Kërçovë, LSDM në Komunën Karposh dhe Gjorçe Petrov të Shkupit, ndërsa PDSH në fshatrat e Tetovës, Sllatinë, Tearcë dhe Dobërdoll. Ndërkohë, edhe bartësit e listave të kandidatëve zhvillojnë takime me qytetarët dhe konferenca për shtyp, duke njoftuar qytetarët për programet e tyre dhe duke kërkuar votën e tyre.

Në zgjedhjet e 11 dhjetorit do të marrin pjesë 11 subjekte politike – pesë koalicione dhe gjashtë parti politike. Të drejtë vote do të kenë gjithsej 1.784.524 qytetarë, ndërsa në diasporë do të mund të votojnë 20.591 shtetas të Maqedonisë.

Ndryshe, organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të caktuara për 11 dhjetor është si rezultat i marrëveshjes së liderëve të katër partive më të mëdha politike në vend (VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe PDSH) të cilat pas negociatave të gjata më 31 gusht u dakorduan për mbajtjen e zgjedhjeve, me qëllim që shteti të dalë nga kriza politike.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit