0.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Fushata famëkeqe kundër Islamit në Kosovë: kryqëzatë kundër identitetit shqiptar – Nga Milazim Krasniqi

Më të lexuarat

Në këtë shkrim, Prof. Milazim Krasniqi analizon në mënyrë kritike sfidat ndaj identitetit fetar dhe kombëtar shqiptar, duke theksuar se si urrejtja islamofobe dhe trashëgimia enveriste, e mbështetur nga agjenda serbe dhe ideologjitë neokolonialiste, synojnë të dëmtojnë kohezionin kombëtar shqiptar. Ai argumenton arsyet pse “Lëvizja e Deçanit” është thelbësisht antifetare (anti-islame), antikombëtare, proserbe, antievropiane, proenveriste dhe antikulturore.

Urrejtja e disa grupeve islamofobe ndaj fesë islame ndër shqiptarë buron nga tre burime kryesore ideologjike: deformimi mendor e besimor që ka lënë prapa enverizmi, (stalinizmi), te strategjia e Serbisë për t’i çrrënjosë shqiptarët me etiketat e “rrezikut islamik për Europën kristiane” dhe te platformat neokolonialiste të disa qarqeve klero-fashiste në Perëndim. Brenda këtij trekëndëshi famëkeq zhvillohet edhe fushata më e re kundër fesë islame në Kosovë.

Iniciativa në thelb është postenveriste dhe antieuropiane

Kjo iniciativë e re, e nisur nga ata që u vetëquajtën “Grupi i Deçanit” (ndoshta për të treguar afërsi shpirtërore me manastirin e Deçanit?), ka njëfarë vazhdimësie me praktikat enveriste, por me një dallim: në rastin e Kosovës, propaganda synon largimin nga feja islame në favor të krishterimit roman (katolik), dhe jo ndalimin e të gjitha besimeve fetare. Origjina ideologjike enveriste-staliniste e disa prej eksponentëve të këtij grupi është e rëndësishme për të kuptuar motivet e tyre. Në thelb, ata janë enveristë (më saktë, postenveristë) — njerëz pa etikë, pa respekt për diversitetin dhe vlerat kombëtare, pa orientim të qartë në kohë dhe hapësirë, pa njohuri bazë mbi besimet fetare dhe ndikimin e tyre në formimin e kombit shqiptar.

Një absurditet në vete paraqet fakti se këta fanatikë të tërbuar po kërkojnë krishterizimin e shqiptarëve të Kosovës, kinse në emër të vlerave europiane, kristiane. Ndërkohë, realiteti në Europë është krejtësisht ndryshe, pasi Europa është sekulare prej të paktën dy shekujsh. Rrymat e mëdha filozofike, kulturore, artistike dhe ideologjike si Iluminizmi, Romantizmi, Modernizmi, Liberalizmi, Postmodernizmi dhe Globalizmi nuk kanë lidhje doktrinare me krishterimin. Në fakt, ato janë në opozitë dhe në diskontinuitet me krishterimin, duke u shfaqur si produkte të shkëputjes nga dogma kristiane. I vetmi shtet kristian në Europë është Vatikani. Prandaj, nëse këta stalinistë të tërbuar dëshirojnë të futen nën ombrellën e Vatikanit, kjo është një nismë kryqtare dhe nuk përfaqëson vlerat bashkëkohore europiane. Europa e sotme e ka pranuar bashkëjetesën paqësore të kombeve dhe besimeve fetare të ndryshme. Madje edhe Vatikani, gjatë papatit të Gjon Palit II, e ka njohur Islamin si fe monoteiste dhe ka promovuar bashkëjetesën paqësore me të. Prandaj, këta kryqtarë të vonuar nuk kanë asnjë mbështetje në realitetin fetar, filozofik, shoqëror, kulturor dhe ideologjik të Europës së sotme (përveçse në qarqet islamofobike dhe klero-fashiste). T’i atribuohet Europës së sotme një projekt për krishterizimin e popujve është një fyerje ndaj vlerave të tanishme të qytetërimit europian.

Iniciativa në thelb është antikombëtare

Ky grup injorantësh po kërkon largimin nga feja islame, kinse në emër të identitetit kombëtar dhe të kombit shqiptar. Kjo tregon jo vetëm paditurinë e tyre të thellë, por edhe pafytyrësinë e tyre të papërshkrueshme. Faktet e njohura dhe të verifikuara nga shekujt XIX dhe XX tregojnë se shqiptarët muslimanë, si shumica absolute e popullit shqiptar, kanë luajtur një rol vendimtar në formimin e kombit tonë. Ideologët kryesorë të Rilindjes Kombëtare, organizatorët e Lidhjes së Prizrenit, themeluesit e shtetit shqiptar, udhëheqësit e rezistencës iredentiste në Kosovë e në viset e tjera dhe deri te lufta çlirimtare në Kosovë (1998-1999), në Luginën e Preshevës (2000) dhe në Maqedoninë e Veriut (2001), kanë qenë shqiptarë të besimit islam. Natyrisht, lëvizjet kombëtare dhe ngjarjet kombëtare kanë qenë të përbashkëta, por shumica dërrmuese ka qenë e kësaj provinience, çka është e vetëkuptueshme.

Thënë thjesht: pa kontributin vendimtar të shqiptarëve të besimit islam, nuk do të mund të formohej kurrë një komb shqiptar dhe as një shtet shqiptar. Shqiptarët ortodoksë, pa atë unitet brendakombëtar me muslimanët dhe katolikët, do të ishin të rrezikuar nga zhdukja fizike ose asimilimi nga Greqia. Ndërsa shqiptarët katolikë do të ishin të rrezikuar nga zhdukja, projektet asimiluese malazeze ose aratisja. Kështu, aleanca e fortë brendakombëtare bëri të mundur formimin e këtij kombi dhe krijimin e shtetit shqiptar. Mjafton të lexohet libri i Nathalie Clayer, “Në fillimet e nacionalizmit shqiptar”, për të kuptuar rolin e të gjitha grupeve fetare, që nga grupi më i vogël, protestantët shqiptarë,  pastaj bektashinjtë, ortodoksët, katolikët, e deri te roli vendimtar i muslimanëve suni.

Historia nuk mund të ndryshohet, dhe aq më pak e ardhmja nuk mund të deformohet nga disa renegatë të ndyrë, të cilët nuk kanë asnjë respekt për vlerat e vërteta kombëtare. Për këta renegatë po përmend këtë shembull, (jo për të tjerët, sepse të tjerët e dinë): Hoxha Tahsini dhe Sami Frashëri ishin ideologët e kombformimit, Abdyl Frashëri dhe Ymer Prizreni ishin krerët e Lidhjes së Prizrenit, Vehbi Dibra dhe Ismail Qemali ishin legjitimuesit dhe proklamuesit kryesorë të shtetit shqiptar. Pra, në themelet e kombformimit dhe të shtetit shqiptar qëndrojnë kontributet e personaliteteve që ishin pjesëtarë të fesë islame. Duke qenë muslimanë, ata ishin pa pengesa iluministë në idetë e kombformimit dhe modernistë në idetë e shtetndërtimit.

Pyetja për këta injorantë të pavlerë është: nëse ia hiqni kombit shqiptar dhe shtetit shqiptar themelet, ku do ta kacavirni kombin dhe shtetin? Në historinë e manastirit të Deçanit, ndoshta?

Iniciativa në themel është proserbe

Nëse këta kryqtarë të vonuar po vajtojnë për kombin shqiptar, atëherë si shpjegohet ndarja e Kosovës nga Shqipëria dhe përdorimi i saj si një laborator për eksperimente kryqtare? Pse nuk e kanë zgjeruar iniciativën e tyre në të gjitha trojet shqiptare, por vetëm në Kosovë, ku pretendimet fetare serbe janë më të rrezikshme? Dihet se Serbia, që nga pretendimet e saj të hershme e deri sot, ka përdorur si vulë të saj etiketën e “rrezikut islamik” nga shqiptarët e Kosovës, duke e paraqitur konfliktin për Kosovën si një konflikt midis kryqit dhe gjysmëhënës. Gjithashtu, dihet se Serbia që nga Kongresi i Berlinit ka marrë si mision çrrënjosjen e muslimanëve nga Ballkani, veçanërisht të shqiptarëve. Ata që nuk ka mundur t’i dëbojë, ka tentuar t’i konvertojë me dhunë në ortodoksi. Gjatë luftërave ballkanike, është tentuar konvertimi i shqiptarëve në ortodoksinë serbe, dhe madje nuk janë kursyer as katolikët shqiptarë të rajonit të Gjakovës, sipas frymës së Zakonikut të Car Dushanit, i cili katolikët i trajtonte si heretikë e jo të krishterë.

Në kujtesën shqiptare, Savë Batarja dhe grupi i tij terrorist kanë mbetur si figura të tmerrshme për terrorin dhe dhunën që kanë ushtruar për konvertimin e dhunshëm të shqiptarëve gjatë asaj periudhe tragjike. Edhe vetëm për shkak të asaj traume të tmerrshme nga konvertimi i dhunshëm nga malazezët e serbët, iniciativat për konvertim nuk do të duhej të niseshin kurrë mes shqiptarëve. Por, me gjasë, ka diçka edhe më të hidhur në këtë iniciativë; ky grup nuk e ka quajtur rastësisht veten “Grupi i Deçanit.” Ka gjasa që kanë synuar ta ndërlidhin kauzën e tyre me manastirin e Deçanit, i cili paraqet një pikë të fortë për kauzën serbe kundër shqiptarëve të Kosovës. Manastiri i Deçanit edhe sot ka status të veçantë si monument fetar serb (mbrohet nga UNESCO si monument fetar serb) dhe madje mbrohet edhe me armë të gjata nga KFOR-i. Një nga eksponentët më primitivë të “Grupit të Deçanit”, njëfarë Muhamet Shabani, që e ka bërë emrin Belizar, ka pretenduar për vite se manastiri i Deçanit është një manastir shqiptar dhe pjesë e identitetit shqiptar. Edhe pse faktet historike tregojnë qartë se kur dhe kush e ka ndërtuar manastirin e Deçanit, individë të tillë të ndërkryer kanë një fiksim patologjik që të thonë se është tempull fetar shqiptar.

Nëse manastiri i Deçanit është manastir shqiptar, atëherë kjo nënkupton që ai i bashkon shqiptarët dhe serbët në një vëllazëri fetare! Si duket, kjo është mënyra e këtij grupi të çoroditur për t’u afruar me Kishën Ortodokse Serbe. Thënë thjesht, ata mbrojnë kauzën e përbashkët të mbrojtjes së krishterimit nga “dhunuesit” shqiptarë muslimanë. Por e vërteta e pakontestueshme është se nëse largohet përkatësia islame e shumicës shqiptare nga ekuacioni, mbetet dominuese ortodoksia serbe, pasi numri i vogël i katolikëve nuk mund të konkurrojë me ta. Me asnjë iniciativë islamofobike për konvertim, numri i katolikëve nuk mund të rritet në mënyrë substanciale për t’i rivalizuar serbët në çështjen e pronësisë mbi Kosovën. Askush me mend në kokë nuk duhet të presë një konvertim masiv të shqiptarëve muslimanë.

Gjithashtu, historia e katolicizmit në Kosovë është modeste, pasi që nga ndarja e kishave në vitin 1054, këto hapësira kanë qenë nën administrimin fetar ortodoks nga Bizanti, Bullgaria dhe Serbia mesjetare. Kalimi masiv i shqiptarëve në Islam  ka qenë saktësisht një ikje nga projektet asimiluese të Kishës Ortodokse, sidomos asaj serbe, e cila fitoi autonominë në vitin 1219 dhe e cila me Zakonikun e Car Dushanit proklamoi serbizimin e të gjithë atyre që nuk ishin ortodoksë, duke përfshirë heretikët dhe bogomilët.

A e kanë parasysh këta kryqtarë të vonuar këtë histori të rëndë? A e kanë parasysh se edhe sot etiketimet më të mëdha të Serbisë kundër Kosovës vijnë pikërisht në këtë linjë, duke e paraqitur Kosovën si “rrezik islamik për Europën”? Edhe nëse motivet e tyre nuk përputhen plotësisht me ato të Serbisë, rezultati është i njëjtë: denoncimi i shumicës absolute të shqiptarëve të Kosovës si të pabesë ndaj Europës.

Iniciativa është antikulturore dhe antifetare

Nuk është aspak e qartë se ku e shohin diskontinuitetin e shqiptarëve të Kosovës me Europën këta mashtrues. Identiteti kombëtar dhe kultura kombëtare shqiptare në Kosovë janë pjesë përbërëse e identitetit dhe kulturës kombëtare shqiptare. Gjuha standarde shqipe është zyrtare në Kosovë, ashtu si në Shqipëri. Letërsia shqipe mësohet në tërë historinë e saj dhe në të gjitha segmentet dhe vlerat e saj. Madje mësohen edhe autorë dhe vepra që nuk janë fare letërsi, që nga “Meshari” i Buzukut, “Doktrina kristiane” e Pjetër Budit, e deri te “Çeta e profetëve” e Bogdanit, pikërisht për të mbajtur të fortë atë identitet të përbashkët kombëtar. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është figura qendrore në perceptimet kombëtare shqiptare edhe në Kosovë, me shtatoren e tij monumentale në qendër të kryeqytetit të Kosovës. Katedralja “Nëna Tereza”, e ndërtuar pas çlirimit në qendër të Prishtinës, është bërë pjesë e identitetit metropolitan të shtetit tonë të ri. Asnjë subjekt fetar islam nuk është deklaruar kundër këtyre vlerave. Atëherë, pse po imagjinohet një problem që nuk ekziston? Identiteti kombëtar shqiptar dhe kultura shqiptare vazhdojnë të mbeten unike dhe integrale, me mundësi ende të pashfrytëzuara për ta shndërruar kombin shqiptar në një komb edhe më të fuqishëm në hapësirat gjeokulturore dhe gjeopolitike atlantike.

Ajo që duhet të na shqetësojë të gjithë shqiptarëve (përjashtuar me gjasë “Grupin e Deçanit”) është rreziku nga presionet neokolonialiste, por edhe ato globaliste, mbi identitetin dhe kulturën tonë kombëtare. Këto presione janë evidente sidomos në Kosovë, meqenëse Kosova ende është një shtet i papërfunduar dhe pretendimet e Serbisë mbeten shumë kërcënuese. Pse ky grup nuk shqetësohet për këto tendenca, nëse e kanë vërtet preokupim kombin shqiptar? Arsyeja është e qartë: me konceptin e tyre, ata janë pjesë e atij projekti neokolonialist, që synon dobësimin e shqiptarizmit në Kosovë për të arsyetuar rikthimin e ndikimit të Serbisë. Kjo është e qartë. Ata janë vegla të këtij projekti. Pra, këta mercenarë janë vendosur në hapësirën ndërmjet projekteve religjoze serbe dhe projekteve neokolonialiste islamofobe të disa qarqeve të huaja klero-fashiste. Janë në shërbim të verbër të tyre. Thënë troç: iniciativa e tyre është një diversion kundër identitetit kombëtar shqiptar. Nuk ka motive të mirëfillta fetare. Po t’i kishte, ata do të kryenin procedurat e pagëzimit në mënyrë private për veten e tyre, dhe nuk do të tentonin t’i shndërronin në presion e terror psikologjik ndaj të tjerëve.

Formula e përjetshme

Megjithë përpjekjet e çoroditura që po bëjnë islamofobët e tërbuar, rezultatet që po arrijnë janë tërësisht të dëshpëruara për ta. Islami ka rrënjë të thella në identitetin tonë kombëtar, rrënjë që nuk mund t’i shkulë askush. Shqiptarërinë (një term i përdorur nga Sami Frashëri) nuk mund ta mposhtin armiqtë e saj, madje as kur bashkohen të gjithë së bashku kundër saj. Me këtë formulë që rilindasit tanë të mençur e aplikuan me sukses, shqiptarëria mbetet e përjetshme. Kushdo që përpiqet ta ndryshojë këtë formulë, e shpall veten armik të shqiptarërisë.

Ky shkrim është publikuar filllimisht në Revistën Shenja. Titulli në origjinal: “Postenverizmi, serbizmi dhe neokololializmi në kryqëzatë kundër shqiptarërisë”.

Milazim Krasniqi

Milazim Krasniqi

Profesor i asocuar i gazetarisë dhe letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi udhëheq Departamentin e Gazetarisë në Fakultetin Filologjik, aty ku në vitin 2004 ka fituar titullin e doktorit të shkencave filologjike. Themelues i Institutit të Medies, redaktori i parë i zhurnalit “Media”, Krasniqi ka shërbyer edhe si anëtar i Bordit të Drejtorëve të Radiotelevizionit Publik të Kosovës (2001-2009) dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës (2008-2010.)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit