3.8 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Fuqizimi i vetdijes se mbikqyrjes hyjnore.

Më të lexuarat

Vetëdijesimi për mbikëqyrjen hyjnore është dy llojesh:

Lloji i parë: Mbikëqyrja jote kundrejt Allahut, azze ue xhel.

Lloji i dytë: Mbikëqyrja e Allahut kundrejt robit të Tij, siç e cek edhe Allahu, azze ue xhel, në Kuran: “Allahu është mbikëqyrës për çdo gjë.”Ahzab 52.

Sa i përket llojit të parë qëllimi i tij është që ti ta kuptosh, se Allahu e di çdo send që po thua, po vepron apo beson. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Dhe mbështetu në të Plotfuqishmin, Mëshirëplotin, i Cili e sheh qëndrimin tënd në këmbë(gjatë namazit)dhe lëvizjet e tua midis atyre që përulen në sexhde.”Shuara 217-219. Ajeti na bën me dije se ti, kur ngrihesh natën i vetmuar në një vend të errët, ku nuk të sheh askush, fillon ta falësh namazin dhe të përulesh në sexhde, dije se Allahu të gjitha lëvizjet e tua i përcjell dhe i mbikëqyr.

Po ashtu prej mbikëqyrjes tënde kundrejt Allahut është ta dish, se Allahu të dëgjon. Çdo fjalë që flet, qoftë e mirë apo e keqe dije se Allahu e dëgjon: “Vallë, a mos kujtojnë ata se Ne nuk i dëgjojmë fjalët e tyre tinëzare dhe bisedat e tyre të fshehta? Pa dyshim, Ne dëgjojmë, ndërsa të dërguarit Tanë(engjëj)që janë pranë tyre, shënojnë.” Zuhruf 80.

Mëso prej këtij ajeti se të gjitha thëniet e tua qofshin të mira apo të këqija, të fshehta apo të zbuluara, do të jenë dëshmi për ty, ose kundër teje: “Dhe për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm(për ta shënuar atë).”Kaf 18.

Merre këtë çështje me seriozitet dhe i mjeri ti, nëse flet fjalë jo-të hijshme, sepse për to do të japësh llogari Ditën e Kiametit. Mësoje gjuhën tënde të thotë fjalë të mira dhe të vërteta, ose të heshtë, ashtu siç na mësoi Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, në një hadith të vërtetë: “Kush i beson Allahut dhe ditës së Fundit le të flasë mirë ose le të heshtë.”

Po ashtu mos harro ta mbikëqyrësh Allahun në zemrën tënde. Shiko në zemrën tënde, se a gjendet ndonjë lloj i shirkut apo i hipokrizisë, apo devijim, apo armiqësi dhe urrejtje ndaj besimtarëve dhe dashuri ndaj jobesimtarëve, apo gjëra të ngjashme, të cilat nuk e kënaqin Allahun, azze ue xhel?

Mbikëqyre Allahun në veprat e tua, në thëniet e tua dhe në zemrën tënde, deri sa të plotësohet mbikëqyrja jote. Për këtë shkak kur u pyet Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, mbi mirësinë (ihsanin), u përgjigj: “Ta adhurosh Alla­hun sikur ta shohësh, edhe pse ti nuk e sheh, Ai vërtet të sheh ty.” Adhuroje Allahun sikur ta shohësh para teje, dhe në rast se nuk e arrin atë gradë atëherë zbrit në shkallën e dytë: “Ai vërtet të sheh ty.” E para është adhurim dëshire, ta adhurosh Allahun sikurse ta shohësh, ndërsa e dyta është adhurim frike: “sepse edhe pse ti nuk e sheh, Ai vërtet të sheh ty.”

Allahu, azze ue xhel, është kudo me robërit e Tij: “Ai është me ju kudo që të gjendeni.”Hadid 4. Në tokë, në det, në ajër, në errësirë, në dritë, dhe në çdo gjendje. Kjo aludon në përsosmërinë e përfshirjes së Allahut kundrejt nesh me dituri, me fuqi, me pozitë, me drejtim etj. Mirëpo kjo nuk duhet nënkuptuar, se Allahu është me ne në të njëjtin vend në tokë, sepse Ai është mbi të gjitha këto. Vendqëndrimi i Qenies së Tij është mbi shtatë qiejt mbi Arsh, ndërsa në tokë është prezent me dijen e Tij: “I Gjithëmëshirshmi mbi Fron u ngrit(si i takon Madhërisë së Tij).”Taha 5, “Ai është i Sunduesi mbi robërit e Vet; Ai është i Urti dhe ka dijeni për gjithçka.”Enam 18, “Ai është i Larti, Madhështori” Bekare 255, “Lavdëro emrin e Zotit tënd, më të Lartit.” Eala 1, “A jeni të sigurt se kush është në qiell…” Mulk 16.

Atij po ashtu nuk i fshihet asgjë në tokë dhe në qiell: “Pa dyshim, Allahut nuk i fshihet asgjë në Tokë dhe as në qiell!”Ali Imran 5. Këtë e sqaron në një ajet tjetër ku thotë: “Ai i ka çelësat e së padukshmes dhe vetëm Ai i njeh ato. Ai e di ç’ka në tokë dhe në det; asnjë gjeth nuk bie, pa e ditur Ai dhe nuk ekziston asnjë kokërr në errësirën e tokës, as e njomë, as e thatë, që të mos jetë shënuar në Librin e qartë (Leuhi Mahfudh).”Enam 59.

Prej këtyre fjalëve që cekëm na bëhet me dije, se fuqizimi i vetëdijes së mbikëqyrjes hyjnore në shpirtin e muslimanit është i domosdoshëm dhe çdo neglizhencë e jona rreth saj është humbje dhe shkatërrim.

Le t’i kthehemi historive së popujve të mëhershëm, të cilat na i rrëfen Kurani dhe Suneti. Allahu, azze ue xhel, na njoftoi për popullin e Adit, Themudit, Faraonit dhe shumë popujve të tjerë, të cilëve i kishte dhuruar shumë të mira, duke filluar prej fizikut të tyre, vendbanimeve, bagëtive etj. Mirëpo krahas të gjitha këtyre begative që kishin, ata të gjitha i mohuan, duke i bërë së pari shirk Allahute pastaj duke i luftuar edhe të dërguarit e Tij. Harruan se Allahu i mbikëqyr veprat e tyre, e ata u bënë kryelartë në tokë. E merituan dënimin e Allahut, ashtu siç e meriton çdo zullumqar dhe prej gjurmëve të tyre nuk mbeti asgjë.

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Vallë, a nuk e di ti, se çfarë ka bërë Zoti yt me fisin Ad, banorë të Iremit me pallate shumështyllëshe, të atillë që nuk janë krijuar askund tjetër në tokë si ata?! Dhe me fisin Themud, që gdhendi shkëmbinjtë në luginë(për të bërë shtëpi)?Dhe me Faraonin, njeriun e hunjve(ku torturonte njerëzit)? Të gjithë këta shkelën çdo kufi në vendet e tyre, duke shtuar atje shthurjen dhe korrupsionin, prandaj Zoti yt lëshoi mbi ata kamxhikun e dënimit.”Fexhër 7-13, dhe në fund e përfundon ajetin duke thënë: “Vërtet, Zoti yt është gjithnjë në pritë!” Fexhër 14.

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, po ashtu na njoftoi me disa ngjarje, të cilat e trajtojnë këtë temë dhe na bëri me dije, se sa e rëndësishme është fuqizimi i kësaj vetëdije në shpirtin e muslimanit. Prej këtyre ngjarjeve mund ta veçojmë hadithin, të cilin na e përcjell Ebu Hurejra, radijallahu anhu, prej Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, i cili thotë: “Tre njerëz nga Beni Israilët, Allahu azze ue xhel, dëshiroi t’i sprovojë. Njëri prej tyre ishte zgjeban, i dyti qelan, kur­se i treti i verbër. Allahu ua dërgoi një melek, i cili së pari i vjen zgjebanit dhe i thotë: “Çdo të dëshiroje më së shumti?” Tha: “Më së shumti do të dëshiroja të kem ngjy­rë dhe lëkurë të mirë dhe të çlirohem nga kjo për shkak të së cilës më urrejnë njerëzit.” Meleku e fërkoi me dorë dhe prej tij ranë krejt zgjebet dhe e fitoi ngjyrën e mirë (të trupit). (Pastaj meleku) Tha: “Cilën pasuri dëshiron më së shumti?” Tha: “Devetë – ose lopët” (nuk i kujtohet saktë tran­s­metuesit), ai ia jep një deve me barrë dhe i thotë: “Allahu të bekoftë me të!” Pastaj shkoi te qelani dhe i tha: “Çdo të dëshiroje më së shumti?” (Qelani) Tha: “Flokë të bukura dhe të largohet prej meje ajo prej së cilës njerëzit neveriten nga unë.” Meleku e fërkon dhe ai shërohet e i jepen flokë të bukur. (Meleku) Tha: “Cilën pa­suri dëshiron më së shumti?” (Qelani) Tha: “Lopët.” Meleku ia jep një lopë me barrë dhe i thotë: “Allahu të bekoftë me te.” Meleku i shkon të verbrit e i thotë: “Çdo të dëshiroje më së shumti?” (I verbëri) Tha: “Të ma kthejë Allahu shikimin, që t’i shoh njerë­zit.” Meleku e fërkon dhe Allahu ia kthen shikimin. (Meleku) Tha: “Cilën pasuri e dëshiron më së shumti?” (I verbri) Tha: “Dhentë!” Meleku ia jep një dele që lind. Te të tre pasuria u shtua e u rrit, kështu që njëri (zgjebani) bëri një luginë me deve, i dyti (qe­lani) e bëri një luginë me lopë dhe i treti (i verbri) bëri një luginë me dele. Pas kësaj meleku i vjen zgjebanit në formë dhe pamje tjetër nga e mëparshmja e i thot­ë: “Unë jam një njeri i mjerë, më janë këputur mundësitë në udhëtimin tim, prandaj sot askush nuk mund të më ndihmojë përveç Allahut, pastaj ti, kështu po të lu­tem në emrin e Atij që të ka dhënë ngjyrë dhe lëkurë aq të bukur dhe që të ka dhënë kaq deve, të më japësh një deve që të mund ta va­zhdoj rrugën.” (Ish zgjebani, tani pasanik) Tha: “Jo, unë kam shumë detyrime.” (Meleku) I tha: “Sikur po të njoh unë ty, a mos ke qenë një zgjeban nga i cili neveriteshin njerëzit, një i varfër, të cilin Allahu e ka pasuruar?” Tha: “Unë këtë pasuri e kam tra­shëguar nga të parët e mëdhenj.” Meleku i tha: “Nëse po gënjen, le të të kthejë Allahu në atë gjendje në të cilën ke qenë!”

Meleku pastaj i shkon qelanit, por në formë tjetër, e i thotë ashtu siç i tha zgjebanit, por edhe ky i për­gjigjet ashtu siç iu përgjigj zgjebani. Meleku i tha: “Nëse po gënjen, le të të kthejë Allahu në atë gjendje në të cilën ke qenë!” .
Pastaj meleku i shkon ish-të verbrit, por në formë tjetër, dhe i thotë: “Unë jam i mjerë dhe udhëtar, më janë këputur mundësitë në udhëtimin tim, prandaj sot askush nuk mund të më ndihmojë përveç Allahut, pastaj ti. Të lutem në emrin e Atij që të ka kthyer të parët, më jep një dele, që të ndihmohem me te dhe të vazhdoj rrugën.” (Ish i verbri) Tha: “Vërtet unë kam qenë i ver­bër, por Allahu më ka kthyer shikimin. Merr vëlla çka të duash dhe lër çka të duash! Pasha Allahun, asgjë sot nuk të ndaloj të ma­rrësh në emër të Allahut të Gjithëfuqishëm e të Madhërishëm. Meleku i tha: “Mbaje krejt pasurinë, ju vetëm keni qenë të spro­vuar. Allahu është i kënaqur me ty, kurse është i zemëruar me dy shokët e tu.” (Buhariu dhe Muslimi).

Muslimanit nuk i mbetet asgjë tjetër vetëm se të jetë i vetëdijshëm, që Allahu e mbikëqyr dhe se ai duhet t’i frikësohet në vetmi, ashtu si i frikësohet në publik, bile ai i cili i frikësohet Allahut në vetmi më shumë se haptazi, ai është i begatuar, për shkak se frika në vetmi është më e sinqertë krahas asaj, e cila shfaqet në publik dhe prej së cilës mund të sprovohesh me hipokrizi.

Prandaj ti, o vëlla musliman, kujdesu që t’i zbatosh urdhëresat dhe të largohesh prej ndalesave dhe e lus Allahun që të na mundësojë këtë, se në rast se nuk na ndihmon atëherë do të jemi të braktisur prej mëshirës së Tij, siç thotë Allahu, azze ue xhel: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”Fatiha 5.

Kur begatohet robi me udhëzim dhe ndihmë sipas kornizave të sheriatit, atëherë ky është ai njeri, të cilin Allahu e ka begatuar me të mirat e Tij.

MUHAMED IBËN SALIH EL UTHEJMIN
Nga arabishtja: IRFAN JAHIU

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit