2.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Fundi i mirë dhe ai i keq

Më të lexuarat

Nga: Amer Halid

Fundi i mirë dhe ai i keq

Këtë temë do e fillojmë me një ndodhi, e cila ka ndodhur gjatë betejës së Hajberit, mes myslimanëve dhe hebrenjve. Ndërkohë që beteja ishte në kulmin e saj, shokët e Profetit a.s dalluan një nga myslimanët që luftonte fuqishëm, si askush tjetër. Ai vazhdoi të luftojë derisa në fund vdiq. Kur e panë të shtrirë përdhe, myslimanët thanë:”E gëzoftë xhenetin!”
Profeti a.s i dëgjoi dhe u tha:”Jo. Ai do të jetë në zjarr.”
Myslimanët, të çuditur pyetën:”E si mund të ndodhë kjo o i dërguar i Allahut?!”
Profeti a.s u përgjigj:”Duke mos i përballuar dot plagët e shumta, u mbështet mbi shpatë dhe vrau veten.”
Kur myslimanët vajtën ta verifikojnë, e gjeten në atë gjendje që e kishte përshkuar i dërguari i Allahut a.s.  
Siç edhe kuptohet, në këtë temë do të flasim mbi fundin e mirë dhe atë negativ. Vallë si do e mbyllim jetën e kësaj bote? Vallë si do e mbyllin jetën njerëzit dhe shoqëria ku jetojmë?
Në jetëshkrimin e Profetit a.s, hasim emrin e një myslimani, Ubejdullah ibnu Xhahsh. Ai e pranoi islamin në Mekë dhe ishte bashkëshort i Umu Habibe, vajzës së Ebu Sufjanit. Kur torturat dhe keqtrajtimi i mekasve u bënë të padurueshëm, Profeti a.s i urdhëroi myslimanët e vobektë që të shpërngulen për në Abisini, pasi atje ishte një mbret i drejtë, që i respektonte dhe nderonte të gjithë. Mes atyre që u shpërngulën në Abisini, ishte dhe Ubejdullah ibnu Xhahsh me gruan e tij. Ajo që ndodhi, është se me të arritur në Abisini, Ubejdullah ibnu Xhahsh u bë i krishterë. Më vonë u prek nga një sëmundje mendore dhe vdiq sepse u hodh nga mal i lartë.
Në jetëshkrimin e profetit Muhamed a.s, hasim edhe historinë e Alkames. Ai ishte një nga shokët e Profetit a.s dhe kur i erdhi vdekja, nuk e shqiptonte dot shehadetin. Shqiptonte çdo fjalë tjetër përveç shehadetit. Të pranishmit nxituan për te Profeti a.s dhe i treguan gjendjen e tij.
Profeti a.s. i pyeti:”A e ka nënën gjallë?”
“Po” – i thanë.
Profeti a.s shkoi te nëna e tij dhe e pyeti:“A ka ndodhur ndonjë gjë jo e mirë mes teje dhe djalit tënd?”
“Po, o i Dërguar i Allahut. Fëmijëve dhe gruas së tij i jepte fruta të mira, kurse mua më jep ç’të teprojë.” u përgjigj nëna.
Me qëllim që ta zbusë zemrën e nënës, Profeti a.s u tha shokëve:“Ndizni një zjarr dhe hidheni Alkamen të digjet brenda”.
Kur nëna dëgjoi këtë, thërriti:”Mos e bëj, o i Dërguar i Zotit, se e kam falur Alkamen.” Në ato çaste Alkame e shqiptoi shehadetin dhe vdiq.
Vallë si do të jetë fundi ynë? Si do e mbyllim jetën e kësaj bote? Në ç’gjendje do të vdesim?
Thotë Profeti a.s:”Veprat varen nga mënyra si e mbyllim jetën.”
Një ditë, teksa lutej, Profeti a.s thoshte:”O Zot! Unë të lutem që mbyllja e jetës së kësaj bote të jetë sa më e mirë! O Zot! Më ndihmo që jetën e kësaj bote ta mbyll me veprat më të mira!”
Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë:”Mos tregoni simpati për dikë, derisa të shihni se si e mbylli jetën e kësaj bote.”
Nëse dëshiron ta mbyllësh jetën me vepra të mira, vepro sipas këtij ajeti:”O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe mos vdisni vetëm se duke qenë myslimanë!” (Al Imran, 102)
Dijetarët myslimanë, thonë se që të garantosh një vdekje si mysliman, duhet të jetosh si i devotshëm. Pra, çështja ka të bëjë me zemrën. Nëse ajo është e devotshme, vdekja do të të vijë si mysliman dhe i devotshëm. Nëse dëshiron të dish si do të vdesësh, kontrollo zemrën. Nëse ajo është e mbushur me devotshmëri, dije se vdekja do të vijë e mbarë dhe do dalësh nga kjo botë si besimtar. Por nëse zemrën nuk e ke të mbushur me devotshmëri dhe sa herë që je në vetmi, vepron gjynahe dhe vepra të liga, dije se fundi yt nuk do jetë i mirë.
Thotë Profeti a.s:”Betohem në Zotin që nuk ka Zot tjetër veç Tij. Ka prej jush që veprojnë punë të banorëve të xhenetit derisa të mos ketë mes tij dhe xhenetit veçse një pash distancë. Në këtë kohë, i paraprin libri duke vepruar punë të banorëve të zjarrit dhe hyn brenda tij (zjarrit). Ka prej jush që veprojnë punë të banorëve të zjarrit derisa të mos ketë mes tij dhe zjarrit veçse një pash distancë. Në këtë kohë, i paraprin libri duke vepruar punë të banorëve të xhenetit dhe hyn brenda tij (xhenetit).”
Ajo që e komenton dhe interpreton siç duhet hadithin, është ajo që përmendëm dhe më lart. Sado punë të mira të kesh vepruar, nëse zemrën e ke bosh nga devotshmëria, fundi yt do të jetë i dhimbshëm. Zemra i ngjan një ene. Nëse fundi i saj është i mbushur me pisllëqe dhe papastërti, edhe pse e mbushim me qumësht dhe nga sipër duket i bardhë, shumë shpejt papastërtitë ia ndryshojnë erën, ngjyrën dhe shijen.
Shumë njerëz në aparencë të duken të mirë dhe besimtarë, por në brendësi, në zemër, janë larg devotshmërisë dhe besimit. Sa herë që janë në vetmi dhe nuk i sheh kush, ata veprojnë punët më të liga dhe të poshtra. Unë i bëj thirrje të gjithë të rinjve dhe të rejave që t’i frikësohen Zotit nga veprat e liga që veprojnë. Unë u bëj thirrje që të distancohen nga gjynahet që i veprojnë në fshehtësi.
Dikush mund të thotë: Po të gjithë ne, kur veprojmë ndonjë punë të ligë, distancohemi nga njerëzit dhe e veprojmë në fshehtësi dhe larg syve të tyre.
Ashtu është, por ideja është që të mos e bëjmë rrugë që sa herë të jemi vetëm dhe nuk na sheh kush, të veprojmë gjynahe dhe vepra të liga. Treguesi i parë i një vdekjeje të zezë dhe negative, është se sa herë ndodhesh vetëm dhe larg syve të njerëzve, ti vepron punë të liga.
Unë u bëj thirrje sidomos të rinjve që sa të munden, anën e brendshme ta kenë pak a shumë si atë të jashtmen.
Kur Ebu Bekri caktoi Umerin si pasuesin e tij në pushtet, njerëzit u shqetësuan dhe i thanë:”Si po e cakton atë Halifen tonë, ndërkohë që e di se është i dhunshëm dhe i ashpër?!”
Por Ebu Bekri u përgjigj:”Ai është një burrë i cili anën e tij të brendshme, e ka më të mirë se të jashtmen.”
Me qëllim që të garantosh një vdekje të mirë dhe pozitive, shfrytëzo në maksimum muajin e Ramazanit. Është devotshmëria ajo që garanton vdekjen e mirë dhe është agjërimi ai që të ndihmon të shtosh devotshmërinë. Thotë Zoti në Kuranin famëlartë:”O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të bëheni të devotshëm.” (Bekare, 183)
 
Njerëz me fund të mirë
Në çastet e fundit të jetës së tij, profeti Muhamed a.s ngrinte gishtin lart dhe thoshte:”Zgjedh shoqërinë e Zotit të Lartë.”
Në çastet e vdekjes, Xhibrili a.s hyri në dhomën ku ndodhej Profeti a.s dhe i tha:”Me mua ka ardhur dhe meleku i vdekjes, që kërkon leje për të hyrë. Kurrë nuk do i kërkojë leje tjetër kujt, pas teje.”
Profeti a.s i thotë:”Lejoje të hyjë o Xhibril!” Pasi hyri meleku i vdekjes i thotë Profetit a.s:”Më ka dërguar Zoti që të zgjedhësh mes përjetësisë në këtë botë dhe mes takimit të Zotit.” Profeti a.s, duke e mbajtur kokën në kraharorin e Aishes, ngriti lart gishtin tregues dhe tha:”Zgjedh shoqërinë e të Lartit, zgjedh shoqërinë e të Lartit.”
Në çastet kur po vdiste Ebu Bekri, vajza e tij Aisheja filloi të qajë dhe e vajtonte me vargje të ndryshme të përshtatshme për ato momente të vështira. Por Ebu Bekri ndërhyri dhe i tha:”Jo kështu o bija ime. Më lexo Kuran në vend të vjershave! Më mirë thuaj:”Agonia e vdekjes do të sjellë të vërtetën (e jetës tjetër): ja, kjo
është ajo së cilës përpiqeshe t’i ikje.” (Kaf, 19)
Edhe në çastet e fundit të jetës,  Ebu Bekri e këshillonte të bijën që në vend të vjershave t’i këndojë Kuran, me qëllim që ta mbyllë jetën duke dëgjuar fjalën e Zotit.
Në çastet kur po vdiste Umer ibnul Hattabi u tha të pranishmëve:”Ma vendosni fytyrën përtokë, me qëllim që Zotit t’i vijë keq për Umerin dhe ta mëshirojë.”
Në ato momente, hyri në dhomën ku ndodhej Umeri një djalë i ri me veshje të gjatë saqë i tërhiqte zvarrë. Asokohe kjo ishte shenjë e mendjemadhësisë dhe Profeti a.s e kishte ndaluar diçka të tillë. Me ta vënë re Umeri, i tha:”O biri im! Ngriji rrobat, pasi kështu ruan pastërtinë e tyre dhe tregohesh i devotshëm para Zotit.”
Ai i këshillonte myslimanët dhe shqetësohej për fenomenet negative që mund të përhapeshin, edhe pse ishte i plagosur, kullonte gjak dhe nga çasti në çast mund të vdiste.
Ditën që vdiq Uthman ibnu Afani, pa në ëndërr Profetin a.s i cili i tha:”O Uthman! A dëshiron të hash iftar sonte me neve?”
Uthmani iu përgjigj:”Po o i dërguar i Allahut.”
Atë ditë Uthmani agjëroi dhe vdiq me agjërim në gojë.
Ditën që vdiq Aliu, u dëgjuan gjelat të këndojnë në një kohë të papërshtatshme. Familjarët dolën jashtë që t’i pushojnë, por Aliu u tha:”I lini pasi më vajtojnë mua!”
Më pas e pakësoi në maksimum ushqimin dhe kur e pyetën, u tha:”Dua që kur të takohem me Zotin ta kem barkun bosh.”
Ai u vra në një atentat, gjatë rrugës për në xhami për të falur namazin e sabahut.
Para vdekjes, Muavije ibnu Ebi Sufjani qante me dënesë dhe thoshte me vete:”A tani e përkujton Zotin o Muavije? Përse nuk e bëje këtë në rini?” Më pas thoshte:”O Zot! Tregoju i dhembshur me këtë plak gjynahqar me zemër të ngurtë!”
Në çastet e vdekjes së Umer ibnu Abdul Azizit, hyri e shoqja dhe e gjeti duke buzëqeshur dhe përsëriste:”Sa për shtëpinë e botës tjetër, Ne do ta caktojmë atë për ata që nuk kërkojnë as madhështi e as ngatërresa në Tokë. Përfundimi
(i mirë) është për ata që ruhen nga të këqijat.” (Kasas, 83)
Abdul Melik, teksa po vdiste lexonte ajetin:”(Allahu do t’u thotë): “Tashmë na vini veç e veç, ashtu siç ju krijuam herën e parë.” (En’am, 94)
Një nga brezi i tabi’inëve, teksa po vdiste u kërkoi të pranishmëve që t’i japin abdes. Pasi përfunduan, ai u kërkoi që t’ia sillnin përsëri ujin, pasi kishin harruar t’ia fërkojnë mirë mjekrën me ujë. Ndërkohë që e fërkonte mjekrën me ujë, sipas traditës së Profetit a.s, ai ia dorëzon shpirtin Zotit.
Duke parë që i shoqi i saj, Bilal ibnu Rebah, po i ndërronte jetë, gruaja e tij filloi të mjerohej dhe thoshte:”Ah të mjerët ne!”
Por Bilali ndërhyri dhe i tha:”Mos thuaj të mjerët ne, por thuaj lum si ne, pasi nesër do të takohem me të dashurit e mi, Muhamedin a.s dhe shokët e tij.”
Në çastet e vdekjes, Muadh ibnu Xhebel thoshte:”O Zot! Ji dëshmitar që nuk e kam dashur jetën e kësaj bote për të mbjellë pemë, vaditur me ujë lumi dhe për të shtuar pasurinë. Ji dëshmitar o Zoti që jetën e kësaj bote e kam dashur veç për të falur namaz nate, për të të përkujtuar Ty ditën dhe për të nxënë dije.” Më pas ai shpërtheu në të qara dhe tha:”O Zot! Unë të jam frikësuar në këtë botë, kurse sot shpresoj faljen Tënde.”
Hudhejfe ibnu Jemame, në çastet e vdekjes buzëqeshte dhe thoshte:”Mirësevjen o vdekje! Ti je një mik i dashur që vjen pas një kohe të gjatë.” Më pas pyeti të pranishmit:”çfarë kohe është tani?”
Ata iu përgjigjën:”Është natë akoma.”
Ai i pyeti:”Në cilën pjesë të natës ndodhemi?”
Ata iu përgjigjën:”Ka mbetur dhe një orë nga namazi i sabahut.”
Ai u lut me fjalët:”O Zot! Ma bëj risk atë natë, mbrëmja e së cilës është në këtë botë kurse mëngjesi është në xhenet!”
Kur El-mutesim i erdhi vdekja, tha:”Nëse do e dija se jeta është kaq e shkurtër, nuk do i kisha vepruar ato që kam bërë.”
Kur Harun Reshidit i erdhi vdekja tha:”Pasuria ime nuk më solli dobi dhe më la pushteti im!” (Hakka, 28)
Kur vdiq Dhil Bixhadhejni, vdiq në krahët e Profetit a.s. Asokohe ai ishte vetëm njëzet e pesë vjeç. Ishte vetë Profeti a.s ai që ia hapi varrin dhe e vendosi brenda tij. Kur Ebu Bekri dhe Umeri ia dhanë që ta fusë në varr, e morën me nxitim, por Profeti a.s u tha:”Më ngadalë me vëllanë tuaj, më ngadalë. Ai e donte Allahun dhe të dërguarin e Tij.”
Kur e mori në krahë që ta vendosë në varr, Profeti a.s e përqafoi fort dhe filloi të qajë me dënesë. Pasi e vendosi në varr, Profeti a.s ngriti duart drejt qiellit dhe tha:”O Zot! Ji dëshmitar që unë jam i kënaqur me Dhil Bixhadhejnin! Ji i kënaqur edhe Ti o Zot!” tre herë.
Vallë si do të jetë fundi  ynë? Si do të jetë fundi yt o vëlla dhe oj motër?
Tregon djali i dijetarit të njohur Sharavi:”Në çastet kur po jepte shpirt, ai buzëqeshi dhe tha:”Mirësevjen o i dërguar i Allahut!”
Shejh Muhamed El-gazzali ndërroi jetë duke mbrojtur dispozitat e islamit dhe ligjet e tij. Edhe pse ai jetoi dhe veproi në Egjipt, ishte shkruar nga Zoti që të varroset në varrezat e Medines në Beki. Ata që e varrosën tregojnë:”Nuk gjetëm vend tjetër për ta varrosur shejh Gazzalin veçse mes Ibrahimit, djalit të Profetit a.s dhe imam Malikut.
Njoh një burrë i cili teksa po kthehej nga Arafati për në Muzdelife, i thotë të shoqes:”Tani po e përfundoj hatmen e Kuranit” dhe me të përfunduar suren e fundit Nas, jep shpirt.
 
Fundi i njerëzve të këqinj.
Një grup të rinjsh u nisën në një mbrëmje për të pirë alkool dhe për të vepruar gjynahe të tjera të rënda. Pasi arritën në destinacion, dikush u kujtua se kishin harruar të marrin pijet alkoolike. Njëri prej të rinjve mori makinën dhe u kthye t’i marrë, por gjatë rrugës pëson një aksident të rëndë. Një nga shokët e tij, i afrohet dhe e dëgjon të thotë:”E kam të vështirë të dal para tij.”
I habitur shoku e pyeti:”Kush është ai?”
I aksidentuari që po vdiste i thotë:”Ai është Zoti.”
Tregon një tregtar mysliman që një herë po udhëtonte me një kolegun e tij me aeroplan. Papritur kolegu i tij sëmuret dhe fillojnë t’i shfaqen shenjat e vdekjes. Ai fillo të zbërthejë këmishën dhe të djersitej. Unë përpiqesha ta bëj të thotë dëshminë, kurse ai më thoshte:”Më jep çantën e parave, më jep çantën. Nuk thoshte asgjë tjetër. Kur ngulmova si shumë për të shqiptuar shehadetin, më tha:”Mos u lodh se nuk e them dot, sa herë që mundohem ta them, sikur më lidhet gjuha dhe nuk e them dot.”
Rrëfen Ibnul Kajjim në një nga librat e tij, disa modele njerëzish të cilët nuk e mbyllën jetën e kësaj bote siç duhet. Një prej tyre ishte tregtar dhe teksa po vdiste, ai përsëriste:”Ky mall vlen kaq e aq, ky tjetri është shumë i shtrenjtë…”
Njerëzit përpiqeshin t’i kujtojnë shehadetin, kurse ai vazhdonte me mallrat e tij. Më thuaj se cila është ajo gjë për të cilës je i dhënë në këtë botë, të të them si do të vdesësh. Nëse je i dhënë pas epsheve dhe pas femrave, dije se në këtë gjendje do të ndahesh nga jeta e kësaj bote. Si nuk kanë frikë ata të rinj dhe të reja që veprojnë gjynahe? Si nuk kanë frikë se mund të vdesin në këtë gjendje?
Vallë si do të jetë fundi  ynë? Si do të jetë fundi yt o vëlla dhe oj motër?
Nëse do ta dish si do të vdesësh, shiko për çfarë jeton, cili është motivi yt në jetë. A jeton për Zotin ti o vëlla dhe oj motër? A jetoni që të vdisni ashtu siç dëshiron Zoti dhe Profeti a.s?
E dyta, mos shfrytëzo vetminë dhe mungesën e njerëzve që të veprosh gjynahe. Ka të rinj dhe të reja që me të mbetur të vetëm në banesë, e shfrytëzojnë kohën për gjynahe. Të veprosh gjynahe sa herë që je vetëm, është shenjë e një përfundimi të keq. Nëse je prej këtyre të rinjve o vëlla dhe oj motër, përpiquni të ndryshoni. Bëni diçka të mirë në vetmi, që të ekuilibroni mes gjynaheve dhe veprave të mira. Shfrytëzoji ofertat e Zotit gjatë muajit të Ramazanit dhe ditëve të tjera të larta, me qëllim që ta shtosh llogarinë e veprave të tua të mira dhe të vdesësh si besimtar mysliman.
Në fund, e lusim Zotin që të jetojmë dhe të vdesim si myslimanë dhe të devotshëm! Amin!
 
 

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit