-3.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

FT: Serbia kërkon kredi nga Emiratet e Bashkuara

Më të lexuarat

Serbia planifikon të huazojë miliarda dollarë nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), derisa zëvendëskryeministri i këtij vendi ka tërhequr vërejtjen se Serbia mund të ballafaqohet me falimentim, pa ndërmarrjen e hapave urgjentë për t’i reduktuar rrogat e sektorit publik, shkruan në fillim të artikullit e përditshmja londineze Financial Times.

Sipas gazetës, këto komente janë të Aleksandar Vuçiqit, nënkryetar i qeverisë së Serbisë, i cili shihet si njeriu politikisht më i fuqishëm në koalicionin qeverisës të Serbisë, që ishte formuar në korrik të vitit të kaluar.

Vërejtjet e tij u bënë para se qeveria t’i zbulojë masat e thella të kursimit.

Vuçiq tha se Serbia pret që të marrë kredi me kamatë të ulët prej Emirateve të Bashkuara Arabe, në shumë prej një miliardi dollarësh në “kushte të favorshme” këtë vit, ndërsa deri në fund të vitit 2014, kreditë do të arrijnë shumën prej 2 – 3 miliardë dollarësh, shkruan e përditshmja londineze Financial Times.

Plani i kredive vjen në periudhën e lulëzimit të marrëdhënieve ndërmjet Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Serbisë, shkruan gazeta, duke theksuar se ky vend i Gjirit i pasur me naftë i ka marrë në shënjestër mundësitë investuerse, përkundër rolit të forcave serbe në luftën kundër mysliamnëve gjatë luftërave në ish-Jugosllavi , në vitet e 90-ta. Në fakt, qeveria e Serbisë udhëhiqet nga nacionalistët, përfshirë Vuçiq.

Serbia ishte në biseda për marrjen e kredive nga Emiratet e Bashkuara Arabe për disa javë, pasi kompania Etihad Airways u pajtua në muajin shkurt, për t’i blerë 49% të kompanisë JAT Airways, që prodhonte humbje.

Vuçiq tha se gjysma e kredisë së planifikuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe do të shfrytëzohet për ripagesën e disa prej borxheve të jashtme më të larta të Serbisë.

Gjysma tjetër do të “injektohet në ekonomi”. Gazeta Financial Times shkruan se mund të krijohet një fond special për investimin e një kredie të mëparshme nga Emiratet e Bashkuara Arabe, prej 400 milionë dollarësh, në sektorin e agrikulturës, ka thënë Vuçiq.

Sipas tij, kredia nga ky vend pothuajsemund “të konsiderohet dhuratë”, duke pasur parasysh shkallën e favorshme të interesit dhe kushtet.

Duket se ai ka punuar fuqishëm për të krijuar raporte me Princin e Kurorës, Sheikh Mohammed bin Zayed.

Analistët thonë se Emiratet e Bashkuara Arabe ishin veçanërisht të interesuara për sektorin ushtarak dhe atë të agrikulturës në Aserbi.

“Ekziston interes në industrinë e mbrojtjes”, thotë Tim Ash, nga njësia e hulumtimeve në Standard Bank, duke shtuar se “EBA është qartas e interesuar për promovimin e interesave gjeopolitikë në Lindjen e Mesme dhe aftësia për t’i pasur duart e tyre në ndonjë kapacitet prodhues të mbrojtjes, me gjasë mund të jetë i dobishëm”.

Ash tha se shkalla e interesit e ofruar nga EBA duket se është shumë nën nivelin e asaj që Serbia do të mund të huazonte në treg, dhe kreditë totale prej 2-3 miliardë dollarësh, ose deri në 8% të Bruto Prodhimit Vendës, prej 37 miliardë dollarësh të vitit të kaluar, mund të paraqesë një kthesë për Beogradin.

Vendet e dala nga ish-Jugosllavia mbeten në mesin e atyre më së shumti të goditura nga kriza globale financiare, ndërsa disa prej tyre, përfshirë Serbinë, Kroacinë dhe Slloveninë, kanë rrëshqitur përsëri në recesion, vitin e kaluar, derisa kërkesa në eruozonë ka rënë, shkruan Financial Times.

Serbia, e cila vitin e ardhshëm pritet t’i filloj bisedimet për anëtarësim në BE, e ka papunësinë në shkallën 25%, që është njëra ndër më të lartat në Evropë.

Në një intervistë në një kanal televiziv, ditën e diel, Vuçiqi tha se “shteti është pothuajse i falimentuar, por ne do të bëjmë çdo gjë të mundur …për ta parandaluar këtë. Ne jemi pothuajse të falimentuar, në kuptimin e plotë të fjalës dhe masat për ripërtëritje ekonomike do të jenë të vështira, jo populliste”.

Ai ka theksuar se “duhet ta reduktojmë nivelin e rrogave në sektorin publik dhe së pari të fillojmë prej politikanëve”.

Sipas Vuçiqit, nga këto masa do të preken ndërmjet 300 mijë e deri në 500 mijë punëtorë në sektorin publik, në vendin me 7.2 milionë banorë.

Por, ai ka theksuar se pensionet nuk do të ulen.

Fjalët e Vuçiqi duket se kanë për qëllim ta përgatisin popullatën e Serbisë për masa të ashpra të kursimit.

Por, analisti Tim Ash tha se Serbia nuk është në rrezik të falimentimit të menjëhershëm.

“Nga perspektiva e tregut kjo nuk ishte me gjasë terminologjia ose gjuha që është dashur të përdoret”, tha Ash dhe ka shtuar se “Serbia nuk është menjëherë afër falimentimit, pasi ata kanë mjaft para të gatshme dhe financa të nevojshme deri në fund të vitit”.

Sipas tij, “e gjithë kjo synon menaxhimin e pritjeve politike vendëse”, përfundon artikulli në të përditshmen londineze, Financial Times./REL

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit