Tregohet se një njeri bleu një djalosh, i cili iu drejtua zotërisë së tij: Zotëria im, për të të shërbyer, kam tri kushte:
E para: Të mos më ndalosh nga namazi i obliguar kur të hyjë koha e tij;
E dyta: Të më urdhërosh gjatë ditës ç’farë të duash, mirëpo natën të më lësh të lirë;
E treta: T’ma lësh një dhomë në shtëpinë tënde, ku nuk hyn askush përveç meje.
Zotëria iu përgjigj pozitivisht kërkesës së tij, mirëpo ia caktoi një dhomë të prishur. Atëherë, djaloshi i tha: A nuk e dije që dhoma e prishur me Allahun është si kopsht?! – i shërbente zotërisë së tij ditën, kurse natën vetmohej në adhurim ndaj Zotit të tij.
Një natë, derisa ishte në këtë gjendje, i erdhi zotëria i tij tek dhoma, e cila ishte e ndriçuar, djaloshi ishte në sexhde, kurse në kokë kishte një kandil prej drite, i cili ishte i varur në mes tokës dhe qiellit, lutej dhe thoshte: O Zoti im, më ke obliguar t’i shërbej zotërisë tim gjatë ditës, mos të ishte kjo, nuk do të punoja as ditën e as natën veçse do të të përmendja Ty, prandaj më fal o Zot!
Zotëria i djaloshit e shikonte atë derisa erdhi mëngjesi. Mandej, kandili u fik, kurse zotëria u kthye dhe e lajmëroi gruan e tij për këtë që pa. Pastaj, në natën e dytë erdhën që të dy tek dhoma e djaloshit; djaloshi qëndronte në sexhde, kandili ishte i varur, u ndalën tek dera, shikonin dhe qanin deri sa erdhi mëngjesi. Me atë rast zotëria thirri djaloshin duke i thënë: Je i lirë për hir të Allahut, të përqendrohesh në adhurimin e Tij. Atëherë, djaloshi ngriti duart drejt qiellit dhe tha:
Zot i fshehtësive, fshehtësia u shfaq, andaj nuk dua jetë pasi që ajo u zbulua!
Menjëherë, pas këtyre fjalëve djaloshi ra përtokë i vdekur.
Përktheu: Fitim Hasani
Marrë nga libri: “100 kissah min kasas es-salihijn” – Dr. Hamid Ahmed Et-Tahir