Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëplotit!
Rregull:
Frymëzimi (inspirimi), ëndrra e mirë dhe intuita (mendjemprehtësia) janë realitet, me kusht që të përputhen me parimet sheriatike, por nuk janë burim i besimit e as i legjislacionit (nxjerrjes së ligjeve).
Me fjalën frymëzim kemi për qëllim inspirimin (ilhamin) dhe ai lloj inspirimi është kur një personi i bie diçka (inspirohet me diçka) në zemrën e tij dhe flet për të apo e rrëfen atë që gjen në zemrën e tij. Kështu thotë Ibn Vehbi kur bën komentimin e hadithit të të Dërguarit alejhi selam, ku thuhet: “Kanë qenë në popujt para jush frymëzues (inspirues) dhe nëse ka në umetin tim diçka të tillë, atëherë ai është Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të).” (Shënon Buhariu nga Ebu Hurejra)
Thotë Ibni Salahu: “Ajo është ide apo mendim i vërtetë nga e vërteta.”
Sufistët kanë argumentuar me këtë hadith për njohurinë paraprake që u mundësohet disa robërve nëpërmjet inspirimit (ilhamit), por e kanë kushtëzuar me devotshmërinë, duke u bazuar në fjalën e Allahut subhanehu ue teala: “O ju që besuat, nëse keni frikë Allahun, Ai do të vërë udhëzim (në zemrat tuaja) për ju, do t’ua mbulojë të këqijat, do t’ua falë mëkatet. Allahu është dhurues i madh.” (Enfal 29), që do të thotë të dalloni të vërtetën nga e pavërteta, si dhe me fjalën e Allahut subhanehu ue teala: “…e kush u përmbahet dispozitave të Allahut, atij Ai i hap rrugë.” (Talak 2). Për ata të cilëve u janë përzier disa çështje nga dispozitat fetare thanë fjalën e Allahut: “Keni frikë Allahun, se Allahu ju dhuron dituri (të jashtëzakonshme), Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo send.” (Bekare, 282). Ata thanë se këto dituri i arrijnë robërit e Allahut në rast se kanë zemra të pastra dhe të shëndosha.
Ata thanë gjithashtu se i Dërguari salallahu alejhi ue selem na ka udhëzuar që t’i referohemi zemrës dhe të ndalemi te gjykimi i saj. Në transmetimet e vërteta të të Dërguarit salallahu alejhi ue selam gjendet se i Dërguari alejhi selam i ka thënë Vasita ibn Mabedit, Allahu qoftë i kënaqur me të: “Pyete zemrën (konsultohu me zemrën tënde) tënde, edhe nëse të japin përgjigje njerëzimi (të sugjerojnë ndonjë propozim).” (Shënon Imam Ahmedi)
Dijetarët tanë, Allahu i mëshiroftë, thonë për frymëzimin se ai është realitet, por duke mos pranuar që të gjykojë çdo zemër, pasi zemrat janë shumë llojesh; ndoshta dikush ka zemër të sëmurë dhe ai nuk pranon asgjë nga realiteti, apo dikush ka zemër të lehtë dhe ndikohet shumë shpejt, kështu që nuk merret parasysh qëndrimi i këtyre zemrave, por ajo që e meriton është zemra e dijetarit, i cili ka njohuri të bollshme rreth gjërave dhe është preciz në njohjen e gjendjes që mbretëron.
Shumica e dijetarëve e pranojnë këtë në ato gjëra që janë mubah (të lejuara), por assesi nuk lejohet të përdoret në gjërat e ndaluara apo në ato të urdhëruara.
Imam el Kafali thotë: “Sikur të bazoheshin shkencat nëpërmjet frymëzimit (ilhamit), atëherë nuk do të mbeste peshë në kërkimin e argumenteve dhe në specializimin në to. Pastaj, prej nga ta dimë nëse ajo që ka gjetur ai person në zemrën e tij është e vërtetë dhe nga të sigurohemi se ai person nuk e ka zemrën e sëmurë apo të luhatur?”
Ëndrra
Në hadithet e vërteta figuron se i Dërguari salallahu alejhi ue selam ka thënë: “Kush më sheh mua në ëndërr, më ka parë në realitet, sepse nuk i mundësohet shejtanit të personifikohet në formën time dhe se ëndrra e besimtarit është pjesë nga 46 pjesë të shpalljes.” (Shënon Buhariu nga Enesi, Allahu e mëshiroftë)
Disa kanë thënë, bazuar në këtë hadith, se nëse sheh në ëndërr të Dërguarin salallahu alejhi ue selam dhe të urdhëron diçka, atëherë duhet të veprosh apo ta zbatosh atë urdhër (edhe pse ka qenë në ëndërr), mirëpo shumica e dijetarëve thonë se nuk është argument dhe se nuk ngrihen mbi atë gjykime sheriatike.
Kurse fjala e të Dërguarit salallahu alejhi ue selem “më ka parë mua, sepse shejtanit nuk i mundësohet të personifikohet në formën time”, ështëme kusht që njeriu të shohë të Dërguarin alejhi selam në formën e tij dhe ajo është realitet dhe nuk ka mundësi të jetë diçka e kotë, kurse fjala e tij salallahu alejhi ue selem “më ka parë në realitet”, ka kuptimin se ai person ka parë në ëndërr realitet dhe se nuk do të ndryshojë nga ajo që ka parë.
Nga e gjithë kjo, nuk do të thotë se i pranohet transmetimi i tij nga i Dërguari salallahu alejhi ue selem dhe nuk konsiderohet nga shokët e tij, edhe pse e ka parë në ëndërr, pasi ai që ka parë në ëndërr të Dërguarin salallahu alejhi ue selem nuk është nga mbartësit e haditheve, sepse shikohet se sa mban mend dhe shihet preciziteti i mbajtjes mend. Edhe nëse themi se i pranohet transmetimi i tij, ajo nuk do të thotë se është argument në të cilin duhet të bazohemi, sepse Allahu subhanehu ue teala na e ka plotësuar fenë dhe nuk na ka lënë të nevojshëm për ëndrrat e dikujt. Thotë Allahu subhanehu ue teala ne lidhje me këtë: “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe.” (Maide, 3)
Thotë Ibn Haxheri, Allahu e mëshiroftë: “Dijetarët kanë deklaruar se nuk ngrihen gjykimet sheriatike mbi ëndrrën.”
Pastaj transmetoi fjalën e Kilab ibn Esemanit, i cili thotë: “Ajo që mbështet shumica e dijetarëve është se nuk lejohet të punohet me të (ëndrrën), përpos nëse nuk posedon argument dhe ajo të jetë në gjërat e lejuara (mubah).”
Thotë Shatibiu, Allahu e mëshiroftë, se sa i përket asaj që është thënë në lidhje me Ebu Bekrin, kur ka gjykuar bazuar në ëndërr në trashëgiminë e një njeriu që kishte vdekur, ai është një rast i cili nuk çon peshë në luhatjen e rregullave bazë të sheriatit për dy arsye: se ka qenë rast i një personi, ose janë ndarë të kënaqur trashëgimtarët me atë gjykim (dhe jo se janë bazuar në ëndërr po kanë qenë të kënaqur trashëgimtarët) dhe se e gjithë kjo nuk çon peshë në prishje të ndonjë baze sheriatike.
Intuita (El firasetu)
Intuita është mendim i qëlluar i formuar apo krijuar duke shikuar fizionominë e jashtme përmes së cilës arrin të brendshmen
Intuita është e qëndrueshme në sheriat. Transmetohet nga Seid el Hudriu, radijallahu anhu: “Ka thënë i Dërguari salallahu alejhi ue selem: “Kini frikë ndaj intuitës së besimtarit, sepse ai shikon me dritën e Allahut”, pastaj lexoi fjalën e Allahut subhanehu ue teala: “Në atë (ngjarje) vërtet ka argumente për ata që mendojnë.” (Hixhr, 75) [Shënon Tirmidhiu]
Gjithashtu transmeton Enesi radiallahu anhu, i cili thotë: “Ka thënë i Dërguari salallahu alejhi ue selem: “Me të vërtetë Allahu posedon robër të cilët i njohin njerëzit me të shikuar (perceptuar, vëzhguar).” (Shënon Taberani në librin e tij Evsat).
Thonë (dijetarët) se esenca e kësaj intuite buron nga dy gjëra, ato janë turpi dhe drita, të cilat ia dhuron Allahu subhanehu ue teala atij që dëshiron nga robërit e Tij, duke ia ngjallur zemrën dhe duke e ndriçuar atë, kështu që nuk gabon asnjëherë (kur gjykon me intuitë). Thotë Allahu subhanehu ue teala: “Vallë, a është ai që qe i vdekur kurse Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë, me të cilën ecën mes njerëzve, si ai që ka mbetur në errësirë (i humbur) dhe nuk mund të shpëtojë nga ajo? Ja, kështu (si këtij në errësirë) iu duket mirë mohuesve ajo që veprojnë.” (En`am, 122)
Ka ardhur një grup njerëzish nga populli Medhhixh tek Omeri radijallahu anhu dhe me ta ishte Eleshter Enehaiu. Omeri e kishte shikuar atë mirë dhe tha: “Kush është ky?” Ata i thanë: “Malik ibn Harithi.” Omeri radijallahu anhu tha: “Çfarë ka ky, Allahu e shkatërroftë? Unë shoh një ditë të keqe për muslimanët nga ky person” dhe ka ndodhur sprovë (fitne) nga ai person ashtu siç e ka parashikuar Omeri radijallahu anhu.
Ka ardhur një njeri nga jashtë tek Othmani radijallahu anhu dhe para se të vinte kishte parë një femër të bukur dhe kishte shikuar bukuritë e trupit të saj. Othmani tha: “Tani hyn një njeri tek unë, gjurmët e zinasë janë të qarta në sytë e tij.” I thanë: “A shpallje pas të Dërguarit salallahu alejhi ue selem?” Tha: “Jo, por ajo është perceptim, argument dhe intuitë e saktë.”
Disa njerëz të devotshëm thanë: “Kush e stolis pamjen e tij të jashtme me pasim të Sunetit dhe të brendshmen e tij me mbikëqyrje (se Allahu e përcjell çdo lëvizje të tij) dhe e ul shikimin nga çdo haram, e ndalon veten e tij nga epshet dhe ha vetëm nga hallalli, ky person nuk gabon asnjëherë në intuitën e tij.”
Thotë Ibn el Kajimi, Allahu e mëshiroftë: “Fshehtësia e kësaj është se shpërblimi është si rezultat i veprës që kryen, se ai i cili e ul shikimin nga ajo që e ka ndaluar Allahu subhanehu ue teala, do t`ia zëvendësojë Allahu subhanehu ue teala me diçka më të mirë po të të njëjtit lloj që ia ka ndaluar. Gjithashtu, ai i cili e ka ndaluar dritën e syrit të tij nga ajo që e ka ndaluar Allahu subhanehu ue teala, do t’ia zëvendësojë (kompensojë) Allahu me një dritë në shikimin e tij dhe zemrën e tij dhe do të shohë përmes saj atë që nuk e shohin ata të cilët nuk e kanë ndaluar shikimin e tyre nga ajo që ua ka ndaluar Allahu subhanehu ue teala.”
Në përgjithësi, hulumtuesit që posedojnë dituri, kur shpjegojnë intuitën, thonë se ajo gjuhësisht do të thotë “mendim i qëlluar i formuar apo krijuar duke shikuar fizionominë e jashtme përmes së cilës arrin të brendshmen” dhe se në terminologji nuk largohet nga ky kuptim.
Dijetarët e fikhut nuk e pranojnë gjykimin me intuitë, sepse sfera e veprimtarisë së gjykimeve është e njohur në sheriat dhe se ato janë në formë të prerë dhe se intuita nuk bën pjesë në to, se ajo është gjykim me paragjykim, supozim dhe marrje me mend dhe se ajo mund t’ia qëllojë ose mund të gabojë.
Imam Shatibiu thotë: “Këto gjëra nuk bën të merren parasysh, përpos nëse nuk bëjnë prishjen apo shkeljen e ndonjë gjykimi sheriatik ose të ndonjë rregulle fetare, sepse ajo që bën shkeljen e ndonjë rregulle sheriatike apo gjykimi fetar nuk mund të jetë real apo i drejtë, por ka mundësi të jetë imagjinatë apo fantazi ose diçka nga shejtani, edhe pse mund të ketë apo të mos ketë në të diçka reale. Kështu që e gjithë kjo nuk merret parasysh, përderisa kundërshton atë që është e qëndrueshme nga sheriati. Allahu e di më së miri.”
Shkroi: Husejn Serraxh
Përktheu: Fatmir Raçi
28.9.2007