0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Frika nga shprehja e lirë brenda komunitetit serb

Më të lexuarat


Serbët në Kosovë nuk guxojnë që t’i shfaqin publikisht qëndrimet e tyre politike, sepse mund të ballafaqohen me pasoja të ndryshme, thotë një banor nga territori i Komunës së Graçanicës, e cila është e banuar me shumicë serbe. Ai pranoi të flasë për Radion Evropa e Lirë. Por, me kërkesën që të mos i zbulohet identiteti, sepse, siç thotë, vetëm në këtë mënyrë mund të jetë i sinqertë dhe të thotë se çfarë mendon.

“Laikët nga jeta politike, rekrutohen për të mbledhur të dhëna sa herë që dikush thotë diçka kundër politikanëve (që janë në pushtet). Ato (informacione) shkojnë në mënyrë të shpejtë, më shpejt se me telegraf”, thotë ky bashkëbisedues i Radios Evropa e Lirë, identiteti i të cilit është i njohur për redaksinë.

Ai shton se serbët e Kosovës, të cilët duan të punësohen, janë si “mumie’, gjegjësisht nuk guxojnë të shprehin opinionet e tyre në publik, në qoftë se janë kritikuese njerëzve që janë në pushtet.

“Ata tashmë janë shndërruar në skllevër. Nuk guxojnë të japin kurrfarë mendimesh apo deklaratash, sepse i dinë pasojat dhe nuk do të mund të marrin çka kërkojnë. Ky është problemi më i madh, të paktën për mua, si serb që jetoj në Kosovë”, thotë qytetari serb.

Ai nuk është fare optimist se mund të ndryshojë diçka në të ardhmen, gjegjësisht që serbët do të mund t’u kundërvihen frikësimeve dhe të fillojnë të publikisht t’i thonë kritikat dhe të flasin për problemet. Situatën aktuale në mesin e komunitetit serb, ai e përshkruan si “të rrezikshme”.

Në një hulumtim të organizatës joqeveritare “Aktiv”, të publikuar së fundmi, me titull “Analiza e trendit’ që për qëllim hulumtimi kishte qëndrimet e komunitetit serb në komunat në veri dhe jug të Kosovës, ndër të dhënat del se në mesin e 540 pyetësorëve “70 për qind e të anketuarve theksojnë se nuk ndihen të lirë të shprehin publikisht pikëpamjet e tyre politike”.

Miodrag Milliqeviq, drejtor ekzekutiv i kësaj organizate, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë vlerëson se vrasja e politikanit serb nga Mitrovica e Veriut, Olliver Ivanoviq, ka ndikuar te qytetarët që të mos i shprehin lirshëm qëndrimet e tyre.

Hulumtimi i kryer në vitin 2018, kur Ivanoviq ishte vrarë, ka treguar se 78 për qind e serbëve që jetojnë në Kosovë, nuk guxojnë që publikisht t’i shprehin qëndrimet e tyre politike.

Olliver Ivanoviq, lider i Iniciativës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” është vrarë pas shpinës nga të shtënat me armë të zjarrit, tre vjet më parë, para ndërtesës së subjektit të tij politik.

Pak para vrasjes së Ivanoviqit, kundër tij ishte zhvilluar një fushatë, para zgjedhjeve lokale të vitit 2017. Gjatë fushatës zgjedhore për ato zgjedhje lokale, për shkak të frikësimit të serbëve në veri të Kosovës, katër kandidatë ishin tërhequr nga lista e tij, ndërkaq Ivanoviqit i ishte djegur edhe vetura.

Miodrag Milliqeviq thotë se edhe hulumtimet e sivjetshme tregojnë se përqindja e atyre që nuk ndihen të lirë të shprehin publikisht pikëpamjet e tyre politike ende mbetet shumë e lartë. Shkak për këtë, sipas tij, është se gjatë viteve të fundit, kundërshtarët e ndryshëm politikë u janë nënshtruar presioneve të ndryshme mediale, të cilat kanë qenë të orientuara drejt tyre.

“Veçanërisht ka ndodhur gjatë periudhave të fushatave zgjedhore. Konkretisht, të gjithë ata që janë parë në një mënyrë si oponentë politikë, i janë nënshtruar presionit të medieve për arsye të ndryshme. Se a ka qenë kjo formë e luftës politike apo e presionit politik… por, kryesisht kanë ndodhur gjëra që nuk janë për t’u lavdëruar për atë nivel politik dhe që pastaj, thjesht, e gjithë ajo është bartur te qytetarët e zakonshëm, të cilët e kanë parë këtë si një lloj vështirësie apo pengese, që mund të prodhojë një lloj autocensure, që fatkeqësisht kemi pasur rastin ta shohim”, thotë Milliqeviq.



Partitë opozitare serbe pothuajse nuk ekzistojnë në Kosovë që nga viti 2013, kur është formuar Lista Serbe me mbështetjen e Beogradit. Kjo parti, e afërt me Partinë Progresive Serbe të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, merr mbi 90 për qind të votave gati se në të gjitha zgjedhjet lokale dhe parlamentare në Kosovë.

Ajo ka dhjetë vendet e garantuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, merr pjesë në punën e Qeverisë dhe e mban pushtetin në të dhjetë komunat me shumicë serbe.

Isak Vorguçiq, drejtor i Radio Televizionit KIM, vlerëson se përqindja e lartë e atyre që nuk ndihen të lirë të shprehin publikisht pikëpamjet e tyre politike në mesin e komunitetit serb, është si pasojë e faktit që për këtë komunitet nuk ka opsion tjetër politik përveç Listës Serbe.

Ky subjekt politik, i cili u formua në vitin 2013 dhe ka mbështetjen ekskluzive të Beogradit zyrtar, aktualisht ka të dhjetë ulëset e garantuara në Kuvendin e Kosovës, si dhe pushtetin në dhjetë komunat e banuara me shumicë serbe.

“Kështu që, në qoftë se theksohet ndonjë qëndrim politik, ai mund të jetë vetëm për ose kundër. Kjo e ngushton zgjedhjen dhe para së gjithash është pengesë për ata njerëz që kanë të thonë diçka kundër, sepse ekziston mundësia të ushtrohet ndonjë presion ndaj tyre ose ndaj familjeve të tyre, të cilët janë të punësuar në institucione, të cilat i mbanë Lista Serbe. Për momentin, praktikisht ato janë të gjitha institucionet, qoftë sipas sistemit të Kosovës, qoftë sipas sistemit të Serbisë”, thotë Vorguçiq.

Pamundësia për të shprehur mendimin lirshëm dhe publikisht, ndikon mjaft keq te pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, vlerëson Milliqeviq. Pluralizmi politik brenda komunitetit serb, sipas tij, tashmë ka humbur dhe në zgjedhjet e mbajtura në Kosovë, qoftë parlamentare, qoftë lokale, thuajse nuk ka pasur parti tjetër konkurruese përveç Listës Serbe, e cila është dominuese.

“Lista Serbe, fillimisht ishte menduar që të tubojë të gjithë përfaqësuesit politikë, pavarësisht orientimit politik, në një nismë qytetare siç ishte në vitin 2013, por që sot është parti politike. Thjesht, më vonë, por shumë shpejt, ajo u shndërrua faktikisht në Parti Progresiste Serbe, filial (të presidentit serb Alleksandar Vuçiq), apo filial të saj, por që në Kosovë quhet Listë Serbe”, thekson Milliqeviq.

Në anën tjetër, Vorguçiq thekson se në mjediset serbe në pjesën jugore të lumit Ibër, presioni është paksa më i vogël në krahasim me komunat me shumicë serbe në veri të vendit. Siç thotë ai, në veri të vendit nuk mund t’iu shmangesh vështrimeve se kush me kënd del në kafene, kush me kënd po ulet në kafene, kush me kënd po flet dhe të tjera.

“Këtu (në jug të vendit), atmosfera e përgjithshme është paksa më e ndryshme, por jo tërësisht. Pra, edhe këtu shikohet se kush me kë do të ulet, kush me kë do të flasë. Pra, e dhe këto ndahen sipas linjës së simpatisë ose antipatisë ndaj Listës Serbe”, tha Vorguçiq.

Në zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë, Lista Serbe nuk arriti të fitojë në raundin e parë vetëm në Kllokot, komunë kjo e banuar me shumicë serbe, prandaj votuesit e kësaj komune, në rundin e dytë, është dashur të zgjedhin se kë të votojnë: Vlladan Bogdanoviqin nga Lista Serbe ose Strahinja Spasiqin nga Iniciativa qytetare Harmonia Kombëtare Serbe.

Por, vetëm pak ditë para se të votohej në rundin e dytë, Sasha Mirkoviq, kandidati i tretë për kryetar të Komunës së Kllokotit, lider i Iniciativës qytetare Uniteti Kombëtar, i cili nuk arriti të shkojë në rundin e dytë, doli me qëndrimin publik se partia e tij i ishte bashkuar Listës Serbe. Ai u bëri thirrje votuesve të tij, që në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë të mbështesin kandidatin e Listës Serbe, Vlladan Bogdanoviq, i cili më pas, më 14 nëntor, fitoi shumicën e votave përballë Spasiqit. /rel/


- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit