4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Freedom House: Në Shqipëri, rënie e demokracisë në të njëjtat nivele me vitin 2013

Më të lexuarat

Udhëheqësit e zgjedhur në Evropën Qendrore dhe Lindore po minojnë vetë institucionet që i sollën ata në detyrë, duke refuzuar normat demokratike dhe duke promovuar sisteme alternative të qeverisjes autoritare. Është ky përfundimi i raportit të përvitshëm të Organizatës Freedom House për “Vendet në Tranzicion 2021”, i cili u publikua sot.

– Advertisements –

Sipas raportit lloji më i zakonshëm i regjimit në Ballkan vazhdon të jetë ai hibrid/demokraci në tranzicion. Shqipëria dhe Kosova shënuan rënie në vitin 2020, krahasuar me vitin 2019, ndërsa Maqedonia e Veriut shënoi rritje.

Shqipëria që edhe këtë vit është në kategorinë e regjimeve hibride/demokraci në tranzicion, shënoi rënie në shoqërinë civile dhe median e pavarur. Në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është niveli më i ulët i demokracisë është 7 më i larti, Shqipëria nga 3.82 pikë që kishte një vit më herët, këtë radhë kishte 3.75 pikë.

Ajo që vërehet është që nota e përgjithshme e Shqipërisë, është në nivelin e notës që Shqipëria ka marrë në vitin 2013. Pra demokracia në Shqipëri është në të njëjtat nivele që Shqipëria ka pasur në vitin 2013, sipas së njëjtit raport të Freedom House.

Vlerësimi për shoqërinë civile ra nga 5 në 4.75 pikë dhe kjo rënie i atribuohet dhunës mes protestuesve dhe forcave të rendit në maj, gjatë acarimeve për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe për shkak të vrasjes së të riut Klodian Rasha nga forcat e policisë për shkak të thyerjes së kufizimeve të Covid-it.

Po kështu ka rënë edhe vlerësimi për gjendjen e pavarësisë së medias nga 3.75 në 3.50.

“Ambienti i medias shqiptare, i cili ka qenë prej kohësh i dobësuar nga kontrolli oligarkik ashtu si në pjesën më të madhe të rajonit, është prekur gjithashtu nga përdorimi i shtuar i proceseve gjyqësore strategjike kundër pjesëmarrjes së publikut”, thuhet në raport.

Përveç rënies në kategoritë e qeverisjes demokratike dhe procesit zgjedhor, dy treguesit me vlerësimin më të ulët janë korrupsioni dhe pavarësia e gjyqësorit: respektivisht 3.25 dhe 2.75, i njëjti nivel si një vit më parë.

Raporti vë në dukje situatën e acaruar politike, korrupsionin dhe presionin e bizneseve ndaj qeverisë si probleme të vazhdueshme.

Por aty vlerësohen edhe hapat drejt reformës në drejtësi, megjithëse thuhet se ishin të ngadalta.

Publikimi i raportit të këtij viti përkon me një kohë kur është bërë e qartë që Partia Socialiste në Shqipëri do të qeverisë edhe për një mandat tjetër. Vlerësimi për ecurinë e tyre do të analizohet në raportet e ardhshme të Freedom House.

Kosova është po ashtu në grupin e regjimeve hibride/demokraci tranzicionale. Këtë vit ajo shënoi rënie nga 3.18 në 3:14, në ndryshim nga një vit më herët kur ajo kishte pasur ngritje. Ulja është bërë në kategorinë e qeverisjes demokratike në vend, që ishte 2.75 pikë në raportin e vitit të kaluar, ndërsa këtë vit është 2.50.

Vlerësimet për pavarësinë e gjyqësorit dhe korrupsionin vazhdojnë të jenë të ulëta, 2.50 dhe 2.25 respektivisht, të pandryshuara nga një vit më herët.

Maqedonia e Veriut ishte një nga vendet me përparimin më të madh demokratik në vitin 2020.

“Qeveria e majtë e kryeministrit Zoran Zaev ka riparuar disa nga dëmet institucionale të shkaktuara nga paraardhësi i tij i djathtë populist dhe ka ende një shans për të vënë në jetë aspektet pozitive të demokracisë”, thuhet në raport.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit