3.4 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Franca kritikon Kosovën për aksionin policor në veri

Më të lexuarat

Ministria e Jashtme e Francës shprehu shqetësime me aksionin e fundit të kryer nga Policia e Kosovës në katër komunat në veri, duke thënë se këto “veprime të njëanshme kontribuojnë në përshkallëzimin e tensioneve”.

Më 20 maj, autoritetet e Kosovës mbyllën gjashtë objekte të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë, që operonin në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe.

Gjatë aksionit, që autoritetet e Kosovës thanë se kishte të bënte me vendosjen “e rendit dhe ligjshmërisë”, u konfiskuan prova të ndryshme, përfshirë para.

Aksioni policor i 20 majit është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Uashingtoni tha se aksioni ishte i pakoordinuar me partnerët ndërkombëtarë, ndërkaq Brukseli e cilësoi si veprim përshkallëzues.

Sipas MPJ-së franceze, veprimet e njëanshme “kërcënojnë diskutimet që po vazhdojnë” në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, për gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme për njerëzit e prekur nga zbatimi i rregullores të Bankës Qendrore të Kosovës për pagesat me para të gatshme.

Që nga 1 shkurti, në Kosovë ka hyrë në fuqi rregullorja e re e BQK-së, që parasheh euron valutë të vetme për kryerjen e pagesave, duke ndaluar përdorimin e dinarit serbë.

“Franca u bënë thirrje autoriteteve kosovare që të përmbahen nga çdo veprim i mëtejmë i njëanshëm. Ne inkurajojmë të dyja palët që t’i kthehen tryezës së diskutimeve dhe të punojnë për propozimin e kompromisit të paraqitur nga ndërmjetësi evropian, që është e vetmja bazë reale për të arritur një marrëveshje që lejon përfituesit të marrin transfere financiare nga Serbia”, u tha në njoftimin e Francës.

Kosova dhe Serbia janë takuar shtatë herë muajt e fundit në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për ta gjetur një zgjidhje për dërgimin e ndihmës financiare nga Serbia për serbët e Kosovës, por nuk kanë gjetur pajtim deri tani.

Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar pezullimin e rregullore së BQK-së, derisa komuniteti serb, i cili prej vitesh pranon pagesa të ndryshme në dinarë nga Serbia, të përshtatet me praktikën e re.

/REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit