Franca është shprehur shumë e shqetësuar për situatën në veri të Kosovës, ku tash e disa ditë janë krijuar tensione nga serbët lokalë.
Në një reagim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, thuhet se dënojnë fuqishëm sulmin ndaj misionit të EULEX-it në Kosovë dhe të gjitha aktet e dhunës në terren.Pause
Po ashtu, Franca u ka bërë thirrje “palëve të tregojnë përmbajtje maksimale dhe ndjenjën e përgjegjësisë për të ulur tensionet”.
“Franca mbështet plotësisht ndërmjetësimin evropian, i cili duhet të bëjë përparim në një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme midis Serbisë dhe Kosovës dhe të bëjë përparim në perspektivat e të dy vendeve për një të ardhme në Evropë. Ajo inkurajon fuqimisht të dy palët që të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Ministria e Punëve ka thënë se do ta diskutojë çështjen e veriut me shtetet tjera evropiane në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të Bashkimin Evropian.
Për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore si dhe arrestimin e ish-zyrtarit policor serb, Dejan Pantiqit, serbët lokalë gjatë fundjavës kanë ngritur barrikada në veri, kurse grupe të maskuara e të armatosura kanë sulmuar me shok-bomba Policinë e Kosovës dhe disa pjesëtarë të EULEX-it.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania kanë reaguar pas bllokimit të rrugëve, duke kërkuar nga Serbia t’i heqë barrikadat.
Ndërkaq Serbia ka kërcënuar me kthim të ushtrisë në Kosovë./Telegrafi/