Një 32–vjeçar në Afrikë është dënuar me burg pasi rrahu për vdekje vajzën 5–vjeçare të bashkëshortes së tij dhe e varrosi në bahçen e shtëpisë/ Arsyeja? Sepse “humbi kontrollin dhe u nevrikos” kur vajza e vogël urinoi në të mbathura.
Duke folur në një seancë në gjykatë së fundmi, 32–vjeçari Siphelo Melfin tha se “i ishin errësuar sytë” pasi kishte parë se çfarë kishte bërë vajza e vogël.
Ai kishte hequr rripin e pantallonave dhe kishte nisur ta godiste. Pavarësisht lutjeve dhe ndërhyrjes së nënës së saj, 32–vjeçari nuk kishte ndaluar, derisa e kishte lënë pa ndjenja.
Pasi kishte kuptuar se 5–vjeçarja kishte vdekur, çifti e kishte fshehur krimin duke e varrosur të voglën Kungawo në bahçen e shtëpisë.
Ngjarja e rëndë ndodhi në Mdantane, në Afrikë të Jugut. Gjykata atje dha dënimin me 20 vite heqje lirie për 32–vjeçarin Melfin, për vrasjen e 5–vjeçares dhe më pas fshehjen e krimit. Si bashkëpunëtore, gjykata dënoi me 3 vite burg nënën e të miturës.
Çifti, sipas asaj që shkruan e përditshmja “Mirror” kishte shprehur keqardhje për veprimet e kryera.
Por, gjykatësja Bulelwa Gixana, teksa dha dënimin tha: “Të urinuarit në të mbathura është pjesë e rritjes së një fëmije dhe kjo nuk mund të jetë një arsye për ta dënuar atë me vdekje. Ajo vdiq në një mënyrë të egër nga duart e njerëzve që presupozohet që ta duan dhe të kujdesen për të.”