Në Korenë e Jugut foshnjat konsiderohen njëvjeçare qysh në ditën e parë të lindjes, gjë kjo që do të thotë se foshnjat që janë lindur në janar të 1990-s janë tani 30-vjeçe në Kore dhe jo 29.
Për të lindurit në muajt e fundit të vitit, hendeku është akoma më i madh. Një foshnjë e lindur më 31 dhjetor kësisoj mbush dy vjeç më 1 janar. Kjo mënyrë e përllogaritjes së moshës megjithatë shkakton goxha konfuzion, të cilin ligjvënësi Hwang Ju-hong është i vendosur që ta ndryshojë
Sa herë që ua tregojnë moshën ndonjë të huaji, koreanojugorët shqiptojnë dy numra.
“Moshën e tyre ndërkombëtare” apo shifrën e viteve të kaluara që pas lindjes, dhe “moshën koreane”, e cila rëndom është për një – e ndonjëherë edhe për dy – vjet më e lartë.
Origjina e këtij sistemi nuk dihet. Sipas një teorie, përllogaritja e këtillë e moshës e përfshin edhe kohën që foshnja e kalon në barkun e nënës – me ç’rast nëntë muajt rrumbullakohen në 12.
Të tjerët besojnë se krejt kjo lidhet me një sistem antik aziatik të numrave që nuk e pranon zeron si shifër.
Koreja Jugore është i “vetmi vend” në Azinë Lindore që ende e përdor sistemin tradicional të moshës, ka thënë Hwang gjatë prezantimit të pakos ligjore para Parlamentit në fillim të këtij viti, duke synuar që ta bashkëdyzojë çështjen e moshës së koreajugorëve sipas normave ndërkombëtare./koha.net