2 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Formula e Lumturisë

Më të lexuarat

Falenderimet I takojnë vetëm Allahut I Cili bëri lumturinë e zemrave të afruarit tek Ai dhe bëri rehatinë e shpirtrave në sexhden që bëhet vetëm për Të.
Dëshmojmë se nuk ka Zot tjetër që meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut, I Vetëm dhe I Pashok, Dëshmojmë se Profeti Muhamed është robi dhe I Dërguari I Allahut, më I lumturi I njerëzve, më adhuruesi I Allahut nga të gjithë njerëzit , i cili na e ka sqaruar rrugën e lumturisë, na ka ndriçuar rrugën për të arritur qetësinë shpirtërore.
Paqja , mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi të, familjen , shokët dhe gjithë ata e pasuan dhe pasojnë deri në kijamet.

Vëllezër muslimanë!
Në hytben e kaluar kemi folur se cila është lumturia e vërtetë. Kemi treguar se lumturia e vërtetë nuk mund të jetë në pasuri, as në fëmijë, as në pozitë, as në famë. E gjitha kjo kur njëra prej këtyre bëhet qëllimi kryesor I njeriut në këtë jetë.

Vëllezër të dashur besimtar!

Shkakun e fatkeqësisë të kësaj jete edhe pse kanë pasuri,famë,pozitë dhe janë të palumtur e tregon All-llahu i madhërishëm kur thotë:”E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë…” (Ta Ha, 127) kjo sepse qëllimi I tyre kryesor ishte pasuria, fama, pozita dhe jo udhëzimi I Allahut.

Lumturia e vërtetë është në bindje ndaj All-llahut kur ajo bëhet qëllimi kryesor I jetës së njeriut. Kjo nuk do të thotë se njeriu duhet të largohet prej pasurisë, fëmijëve,famës,pozitës. Jo ! Të gjitha këto nëse qëllimi yt kryesor në jetë është bindja ndaj Allahut, janë shkaqe që të ndihmojnë për arritjen e lumturisë. Por duhet të dimë vëllezër të nderuar se çdonjëra nga këto është e kushtëzuar me kusht të caktuar, nëse ajo të ndihmon në bindje ndaj Allahut , atëherë ajo konsiderohet mirësi.

Pasi e mësuam se cila është lumturia e vërtetë, si mund ta arrijmë atë.

Allahu I Lartësuar në një ajet na e ka treguar:
“Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do ti japim atij një jetë të mirë (në këtë botë) e (në botën tjetër) do t’u japim Shpërblim më të mirë për veprat e tyre” (En Nahl, 97)
Po kështu edhe I Dërguari I Allahut a.s na e ka treguar. Ka thënë Pejgamberi, s.a.v.s. “Ruaje All-llahun – Ai do të ruan. Kujto Atë në mirëqenie, Ai do të kujtoj ty në vështirësi. Kur pyet, pyete All-llahun, kur kërkon ndihmë kërkoje nga Ai”.

Kjo është rruga në mënyrë të përmbledhur. Le ta shikojmë në mënyrë më të thjeshtë rrugën se si të arrijmë lumturinë e vërtetë.

Nga ajeti kuptojmë dy çështje kryesore të arritjes së lumturisë:
1- Besimi në Allahun. dhe 2- Vepra e mirë.

Çdo herë që imani i njeriut përsoset çdo herë lumturia e tij shtohet. Ai I cili I beson Allahut ,Allahu ja zgjeron gjoksin dhe ja udhëzon zemrën. Thotë Allahu :
فَمَن يُرِدِ اللّهُ أَن يَهْدِيَهُ يَشْرَحْ صَدْرَهُ لِلإِسْلاَمِ
Atë që All-llahu dëshiron ta udhëzojë, ia zgjeron zemrën për (të pranuar) Islamin.
Gjithashtu thotë:
وَمَن يُؤْمِن بِاللَّهِ يَهْدِ قَلْبَهُ
e kush i beson All-llahut, Ai ia udhëzon zemrën e tij;
Gjithashtu thotë:
َمنْ آمَنَ بِاللَّهِ وَالْيَوْمِ الْآخِرِ وَعَمِلَ صَالِحاً فَلا خَوْفٌ عَلَيْهِمْ وَلا هُمْ يَحْزَنُون
S’ka dyshim se kush e beson All-llahun (sinqerisht), e beson ditën e gjykimit dhe bën vepra të mira, për ta nuk do të ketë frikë as pikëllim (me kusht që ta kenë pranuar të dërguarin e fundit- Muhammedin)”. (el Maide, 69)
Vëlla i dashur! Vepra e mirë është kënaqësi dhe begati për ata, që e kanë shijuar dhe provuar. Prijësi ynë, Muhammedi, alejhi’s selam kënaqësinë, pushimin dhe rehatinë i gjente në namaz, madje kishte thënë:
” وجعلت قرة عيني في الصلاة
Kënaqësia shpirtërore me është bërë në namaz”.

3- Besimi në caktimin e Allahut; të mirën dhe të keqen.
Vëlla I nderuar! Allahu ka caktuar gjithçka dhe askush nuk mund të të bëjë mirë apo keq veç atë ç’ka Ai ta ka caktuar, ndaj mos u brengos për asgjë as për riskun tënd, as për të mirën apo dëmin që mund ta bëjë dikush. Medito këtë fjalë të Profetit që ja ka thënë Ibn Abbasit :
”….dije se sikur tërë njerëzimi të tuboheshin për të ta bërë një të mirë nuk do ta mund ta bënin përveç nëse atë ta ka shkruar Allahu. Dhe sikur bota të tuboheshin për të të bërë keq nuk do të mund të bënin asgjë përveç asaj që Allahu ka caktuar për ty; janë ngritur lapsat dhe janë tharë fletat”
Besimtari i vërtetë është ai, që me plot kënaqësi pranon caktimet e Allahut, të mira apo të këqija qofshin ato ngase kjo botë është botë sprove dhe fatkeqësish.
Të vërtetën e ka thënë i Dërguari i All-llahut: “Lumturia e njeriut është në kënaqësinë me përcaktimin e All-llahut ndërsa fatkeqësia e njeriut është në pakënaqësinë me përcaktimin e All-llahut” (Tirmidhiu).
Vëlla musliman !nëse të vjen ndonjë e mirë, falëndero (Allahun) kështu që është mirë për ty ndërsa nëse të godet ndonjë bela, bëj durim dhe prapë është mire për ty. Ky është besimtari!

4- Dituria fetare. Allahu ka lëvduar dijetarët e ka thënë:
” إِنَّمَا يَخْشَى اللَّهَ مِنْ عِبَادِهِ الْعُلَمَاء إِنَّ اللَّهَ عَزِيزٌ غَفُورٌ
Po All-llahut ia kanë frikën nga robërit e Tij vetëm dijetarët, All-llahu është mbi gjithçka, është mëkatfalës”. (Fatir, 28)
Muaviu, i biri i Sufjanit transmeton se e ka dëgjuar të dërguarin e Allahut duke thënë:
” من يُرِدْ الله بِهِ خَيْرًا يُفَقِّهْهُ في الدِّينِ
Kujt ia do Allahu të mirën e udhëzon në të kuptuarit e fesë”.

5- Te përkujtuarit e Allahut të Madhëruar – Dhikri , Duaja dhe leximi I Kur’anit
Prej mjeteve shumë të rëndësishme, që të ndihmojnë në arritjen e lumturisë është edhe përmendja e Allahut ngase nëse Allahu është i dashuri yt atëherë ti përherë do të shoqërohesh me përmendjen e Tij. A nuk sheh se i dashuri është i gatshëm ta dëgjojë të dashurin e tij kushdo qoftë?! Thotë Allahu:
” الَّذِينَ آمَنُواْ وَتَطْمَئِنُّ قُلُوبُهُم بِذِكْرِ اللّهِ أَلاَ بِذِكْرِ اللّهِ تَطْمَئِنُّ الْقُلُوبُ
28. Ata që besuan dhe me të përmendur All-llahun zemrat e tyre qetësohen; pra ta dini se me të përmendur All-llahun zemrat stabilizohen”. (err Rra’d, 28)
Duaja është armë e fuqishme, me të cilën armatoset dhe mbrohet besimtari. Në lidhje me duanë ka thënë Allahu:
” وَقَالَ رَبُّكُمُ ادْعُونِي أَسْتَجِبْ لَكُمْ إِنَّ الَّذِينَ يَسْتَكْبِرُونَ عَنْ عِبَادَتِي سَيَدْخُلُونَ جَهَنَّمَ دَاخِرِينَ
60. Zoti juaj ka thënë: “Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem, e ata që nga mendjemadhësia i shmangen adhurimit ndaj Meje, do të hyjnë të nënçmuar në xhehennem”. (Gafir, 60)

Një prej të parëve tanë e kanë pyetur : Sa të lexojmë nga Kur’ani ? ka thënë : Aq sa doni prej lumturisë!
Lexo Kura’n të jesh I lumtur!

6- Fitimi hallall , Optimizmi dhe jo pesimizmi dhe të kënaqurit me atë që të ka dhënë Allahu.
Kjo gjë është shumë me rëndësi. Kjo do të thotë që pasuria jote të jetë hallall ngase ai që nuk ka pasuri hallall ai do të jetë i dëshpëruar. Ka’b b. Ijadi ka thënë se e ka dëgjuar Pejgamberin, alejhi’s selam se ka thënë:
” إِنَّ لِكُلِّ أُمَّةٍ فِتْنَةً وَفِتْنَةُ أُمَّتِي الْمَالُ
Çdo ummet ka patur një sprovë ndërsa sprova e ummetit tim është në pasuri”.
Vëlla musliman! Ji optimist dhe kënaqu me atë që Allahu të ka dhënë duke shikuar në ata, që janë nën ty në çështjet e dunajsë dhe në ata që janë mbi ty në çështjet fetare. Pejgamberi, alejhi’s selam na ka mësuar:
Nëse ndokush prej jush shikon në njerëzit, që Allahu ia ka begatuar me më shumë pasuri le të shikojë në ata, që janë më të varfër se ai”. (Buhariu) Pse duhet kjo????
Hadithi tjetër na e sqaron:
Shikoni në ata, që janë nën ju dhe mos shikoni në ata, që janë mbi ju (më të pasur se ju) ngase kështu nuk do t’i përbuzni-nënçmoni begatitë e Allahut”. (Muslimi)

7-Çiltërsia dhe dëlirësia(pastërtia) shpirtërore.
Pastërtia e zemrës dhe shpirtin është një prej shkaqeve të na lehtësojnë arritjen e lumturisë. Këtë gjë na e sqaron hadithi I Profetit kur u thotë shokëve të tij Tani iu vjen një njeri që është prej banoreve te Xhennetit.
Tregon sahabijun I cili para se të flinte e pastonte zemrën dhe mendjen e tij prej çdo gjëje të keqe për muslimanët.

8- Mos vardisja dunjasë dhe Bërja e gjërave të dobishme. Sa njeriun e ka humbur dynjaja, e sidomos ata që vet i vardiseshin dhe lidheshin për saj duke harruar kështu Allahun, Krijuesin e tyre. Allahu thotë:
” وَما الْحَيَاةُ الدُّنْيَا إِلاَّ مَتَاعُ الْغُرُورِ
e jeta e kësaj bote nuk është tjetër pos një përjetim mashtrues”. (Ali Imran, 185)
Prej gjërave shumë të rëndësishme që sjellin lumturinë në këtë jetë është bërja e veprave te dobishme, te cilat t’i shtojnë te mirat. Ibni Abbasi rrëfen se Muhammedi, alejhis selam ka thënë:
” نِعْمَتَانِ مَغْبُونٌ فِيهِمَا كَثِيرٌ من الناس الصِّحَّةُ وَالْفَرَاغُ
Shumë njerëz nuk dinë t’i shfrytëzojnë siç duhet dy begati: Shëndetin dhe kohën e lirë”.

9-Bindja se lumturia e vërtetë dhe e plotë për besimtarin është Xhenneti. Allahu ka thënë:
” وَأَمَّا الَّذِينَ سُعِدُواْ فَفِي الْجَنَّةِ خَالِدِينَ فِيهَا مَا دَامَتِ السَّمَاوَاتُ وَالأَرْضُ إِلاَّ مَا شَاء رَبُّكَ عَطَاء غَيْرَ مَجْذُوذٍ

108. E për sa u përket atyre fatmirëve, ata jan në xhennet përgjithmonë, sa të jenë qiejt dhe toka, përveç atë çka do Zoti yt (All-llahu ju dhuron) shpërblim të pakëputur”. (Hud, 108)

Ebu Hurejre transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
” الدُّنْيَا سِجْنُ الْمُؤْمِنِ وَجَنَّةُ الْكَافِرِ
Dynjaja është burg për besimtarin dhe Xhennet për pabesimtarin”.
Këto ishin një pjesë prej shkaqeve(çështjeve) të cilat na mundësojnë të arrijmë lumturinë e vërtetë.
Lusim Allahun që të na mundësojë që ti realizojmë këto shkaqe dhe të na japë lumturi në këtë botë dhe në tjetrën!
………ulja……….
Vëllezër muslimanë!
Nëse do analizonim jetën e njeriut ajo është e lidhur me 4 gjëra : 1-trupi 2- nefsi(shpirti) 3- zemra 4- gjuha
Çdo gjë që folëm në pjesën e parë të hutbes është e lidhur me këto katër pjesë. Lumturia e vërtetë arrihet në rehatinë e këtyre katër pjesëve. Rehatia e këtyre katër pjesëve përbën atë çka mund ta quanim : FORMULA E LUMTURISË

Le ta mësojmë se cila është ajo:
1-Rehatia e trupit fitohet me pakësimin e ushqimit.
2- Rehatia e nefsit(shpirtit) fitohet me pakësimin e gjynaheve.
3- Rehatia e zemrës fitohet me pakësimin e shqetësimeve.
4- Rehatia e gjuhës fitohet me pakësimin e fjalëve.

Le ta zbërthejmë këtë formulë për ta kuptuar më mirë!

1-Rehatia e trupit fitohet me pakësimin e ushqimit.
Trupi është makineri dhe ushqimi lënda me të cilën punon. Çdo makineri kërkon sasinë e mjaftueshme të lëndës.kështu edhe trupi kërkon sasinë e mjaftueshme të ushqimit. Profeti a.s na e mëson shumë bukur se si ta rehatojmë trupin tonë kur thotë:
“Nuk mbush biri i Ademit (njeriu), një enë më keq se sa mbush barkun e tij, atij do t’i mjaftojnë 2-3 kafshata, për të mbajtur trupin gjallë dhe n.q s do më tepër , le t’a ndajë stomakun e tij në 3 pjesë. 1/3 për bukë, 1/3 për ujë, 1/3 për ajër, (frymë ).”
rehatia e trupit do të thotë shëndet dhe dritë në fytyrë të cilat arrihen me agjërim dhe namaz nate.

2- Rehatia e nefsit(shpirtit) fitohet me pakësimin e gjynaheve.
Nefsi (shpirti) nxit gjithmonë në bërjen e harameve, nëse ajo nuk është e lidhur me besimin dhe bindjen ndaj Allahut, do të lidhet me shejtanin I cili do ta drejtojë drejt punëve më të këqija dhe do të bëhet vetja jote armiku I vetes tënde. Nëse lidhet me Allahun ajo do pastrohet dhe do lumturohet.
قال تعالى: ونفس وما سواها فألهمها فجورها وتقواها قد أفلح من زكاها وقد خاب من دساها .
Për (pasha)shpirtin dhe Atë që e ka përsosur (Allahun)*duke ia bërë të njohur atij të keqen e të mirën!* Vërtet kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë,* ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë.
rehatia e shpirtit do të thotë lumturi dhe lehtësim të cilat arrihen me faljen e namazit në kohën e vet dhe shtimin e Istigfarit.

3- Rehatia e zemrës fitohet me pakësimin e shqetësimeve.
Zemra është vendi ku nisin shqetësimet, brengat, mërzija, frika, e sidomos kur zemra është e lidhur shumë me dunjanë. Rehatiha e saj fitohet kur I largojmë të gjitha këto nga zemra dhe kjo nuk ndodh vetëm se atëherë kur zemra bëhet e fortë.ai I cili e bën të tillë është Allahu, ndaj edhe Profeti a.s lutej gjithmonë :
يَا مُقَلِّبَ الْقُلُوبِ ثَبِّتْ قَلْبِي عَلَى دِينِكَ
O Rrotullues i zemrave, përforcoje zemrën time ne fenë Tende!” .
Rehatia e zemrës do të thotë relaksim dhe shplodhje (çlodhje) të cilat arrihen me leximin e Kur’anit dhe dua (lutje).

4- Rehatia e gjuhës fitohet me pakësimin e fjalëve.
S’ka dyshim se gjuha është organi më I rrezikshëm në trupin e njeriut. Thuhet njihet njeriu prej fjalëve që nxjerr. Në bazë të asaj çka flet ose e ngrejnë njeriun në shkalla të larta respekti midis njerëzve,ose e ulin në shkallët më të ulta ose e poshtërojnë krejt.
Po të lexojmë thëniet e Profetit a.s mbi gjuhën, do e kuptojmë rëndësinë e saj, si dhe rrezikun që mund të vijë prej saj, nëse nuk e frenojmë.
Një burrë , vajti tek Profeti a.s dhe e pyeti:”O i dërguar i Allahut? Si të shpëtoj në dynja dhe në ahiret?”
Profeti a.s iu përgjigj:”Kape me dorë gjuhën dhe mos e lër të dërdëllisë! Bëji vetes vend në shtëpinë tënde dhe vajto për gjynahet e tua!”
Thotë Profeti: “Mysliman është ai që nga gjuha dhe dora e tij nuk vuajnë myslimanët e tjerë.”
“Kush beson në Zotin dhe botën tjetër, le të flasë drejt ose le të heshtë.”
Besimi në Zotin dhe botën tjetër janë gjëra që i përkasin zemrës, por që tregues kanë gjuhën. Është gjuha ajo që e vërteton besimin e vërtetë në Zotin dhe botën tjetër. Gjuha është pasqyra e zemrës së njeriut. Ajo nuk mund të flasë veçse atë që gjendet në zemër. Nëse dëshiron t’i dish lidhjet e tua me Zotin, shih se çfarë flet gjuha jote gjatë gjithë ditës.
Rehatia e gjuhës do të thotë largimi vështirësive dhe arritja e bereqetit, tëcilat arrihen me dhikrin (përmendjen e Allahut) dhe Salevate mbi Profetin alejhi selam

FORMULA E LUMTURISË

1- Rehatia e trupit —– arrihet me agjërim dhe namaz nate.
2- Rehatia e nefsit (shpirtit)—– arrihet me namazin në kohë dhe Istigfar (kërkim falje)
3- Rehatia e zemrës —– arrihet me lexim Kur’ani dhe Dua (lutje)
4- Rehatia e gjuhës —– arrihet me Dhikr (përmendje e Allahut) dhe Salavate mbi Profetin.
Kjo ishte vëllezer ajo çka kishim përgatitur për sot lus Allahun që të na e lehtësojë në mësimin dhe praktikimin e kësaj formule për të arritur lumturinë e vërtetë në këtë botë dhe atë jetë.
Shtoni salevatet mbi Profetin tonë Muhamedin pasi Allahu I Lartësuar na ka urdhëruar duke thënë:
(إِنَّ اللَّهَ وَمَلائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيّ ياأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ صَلُّواْ عَلَيْهِ وَسَلّمُواْ تَسْلِيمًا) [الأحزاب:56].
{Vërtet Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me selam}.

Përgaditi: Petrit Zharova

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit