-0.2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

FORMAT E SEKULARIZMIT

Më të lexuarat

Sekularizmi ka dy forma, secila është më e keqe se tjetra:

1) Sekularizmi ateist, që mohon fenë tërësisht, mohon ekzistencën e Allahut dhe lufton ata që thërrasin në besimin e ekzistencës së Allahut. Kjo formë sekularizmi gjykohet si mosbesim, dispozitë e cila është e qartë për të gjithë muslimanët. Këtë formë sekularizmi e pranon vetëm ai që dëshiron të dalë prej fesë së tij. Ky lloj nuk paraqet ndonjë rrezik se mund t’u pështillet muslimanëve, ndonëse si formë që lufton fenë, urren dhe shqetëson besimtarët është mjaft e rrezikshme.

2) Sekularizmi joateist⁴, që nuk e mohon ekzistencën e Allahut, beson në të, teorikisht, por mohon përfshirjen e fesë në çështje të jetës së përditshme dhe thërret në shkëputjen e saj nga kjo përditshmëri. Kjo formë, vështruar nga aspekti i humbjes dhe devijimit të njerëzve, është shumë më e rrezikshme sesa forma e parë, për shkak se ajo sipërfaqësisht ka pamje tjetër, por në thelb është sikurse e para. Mosmohimi i ekzistencës së Allahut dhe mosshfaqja e luftës kundër fesë ka bindur shumë muslimanë, që s’e njohin fenë e tyre, se ky sistem është i përshtatshëm për ta. Si rezultat i kësaj, sot, shumë vende islame kanë adaptuar sekularizmin si sistem qeverisës, ngase nuk e kanë kuptuar ende esencën e tij.

Sot, sistemet, si sekularizmi i llojit të dytë, luftojnë fenë, luftojnë thirrësit fetarë e të mbështjellë me petkun e hipokrizisë dhe nëpërmjet fshehjes së fytyrës së vërtetë, kanë arritur të sigurojnë tretmanin për të mos u gjykuar me mohim (kufër).

Mu për këtë muslimanin syçelë shkrimet e sekularistëve, tek përmendet Allahu i Lartësuar, i Dërguari, paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të! e feja islame, nuk e mashtrojnë aspak, ndryshe nga ata që nuk e kuptojnë esencën e gjërave, të cilët i mashtron shumë.

Si rezyme e kësaj që përmendëm, konstatojmë bindshëm se të dy format e sekularizmit janë mohim (kufër). Rrjedhimisht, ai që i beson ose i pranon ato (duke i parapëlqyer kundrejt Islamit), ka dalë prej fesë, ndaj konsiderohet renegat. Kjo për arsye se Islami është fe gjithëpërfshirëse, jo vetëm në aspektin shpirtëror, por edhe në atë politik, ekonomik, moral e shoqëror. Është program i plotë i të jetuarit, ndaj nuk pranon ortakëri të programeve të tjera. Allahu, duke sqaruar domosdoshmërinë e hyrjes tërësisht në Islam, thotë:
“O besimtarë! Pranojeni Islamin me të gjitha rregullat e tij dhe mos shkoni gjurmëve të djallit, se ai është armiku juaj i përbetuar.” (El Bekare, 208)

Ndërkaq, mohimin e atyre që pranojnë një pjesë dhe refuzojnë pjesën tjetër të Islamit, Allahu e sqaron në ajetin:
“Mos vallë, një pjesë të Librit (Teuratit) e besoni, kurse tjetrën e mohoni?! Cilido prej jush që vepron kështu, do të ndëshkohet me poshtërim në këtë jetë, ndërsa në Ditën e Kiametit do të dërgohet në dënimin më të ashpër. Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj veprimeve tuaja.” (El Bekare, 85)

Argumentet fetare që dëshmojnë mohimin dhe devijimin e atyre që refuzojnë diç të vërtetuar se është pjesë (themelore) e fesë islame, qoftë edhe e paktë, janë të shumta. Dhe, meqë çështja është e kësisojtë, atëherë mohimi i atyre që apriori refuzojnë dispozitat fetare për qeverisjen e botës, siç bëjnë sekularistët, është edhe më shumë i konfirmuar.

Sekularistët kanë rënë në një grackë të madhe duke shkatërruar njërën prej shtyllave më themeltare të Islamit, që është: udhëzimi profetik, dhe atë nga fakti i bindjes se udhëzimet dhe rekomandimet e të tjerëve janë më komplete sesa ato të Muhamedit dhe se ligjet e tjera janë më të përshtatshme se ligji i tij.

Dijetari i njohur, Ibn Bazi, duke sqaruar pikën e katërt, që, nëse njeriu bie në atë mëkat, shkatërron fenë e tij, ka thënë: “Është ai që beson se ligjet e vëna nga njerëzit janë më të mira sesa Islami, se Islami nuk vlen për shek. XXI, se është shkaktar i prapambetjes së muslimanëve, se kufizohet vetëm në marrëdhëniet e njeriut me Zotin dhe se nuk hyn në çështjet e tjera të jetës (i tilli ka humbur fenë e vet).”

Libri: “Sekularizmi dhe pasojat e tij” Autor: Muhammed Shakir Esh Sherif. Përktheu: Dr. Sedat Islami

⁴ Autori, në fusnotë, jep një sqarim se te gjitha format e sekularizmit janë ateiste ngase fjala ateizëm në gjuhën arabe (el ilhad) ka kuptimin: largimi nga qëllimi, animi nga e pavërteta dhe devijimi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit