Shqiptarët edhe pse janë një komb numerikisht i vogël, ata janë kaq të përçarë dhe dyshues mes njeri-tjetrit sa ky mosbesim është kthyer në një normë bazë për ta. Dhe kjo e keqe, një ndër pasojat e saj më të rënda që i ka lënë këtij kombi është se i ka mbushur atij mendjen se gjërat nuk funksionojnë veçse në mënyrë klanore, jashtë sistemit dhe rregullave. Shkurt, bëhu i fortë dhe nuk i jep llogari askujt se çfarë bën, bëhu i fortë të të respektojnë dhe ta dëgjojnë fjalën, për shkak të asaj që qëndron pas teje dhe jo për shkak të asaj që je dhe thua, sado parimore dhe e drejtë ajo të jetë. Për të mos i rënë edhe aq shumë vetes në qafë, ky problem është global, por te ne shfaqet me doza të tepruara, edhe pse ndoshta nuk jemi të vetmit, por kjo nuk është një lajm aspak ngushëllues për të mos ndryshuar për mirë.
Në fenë islame nuk është vetëm thelbi dhe përmbajtja ajo që ka rëndësi, edhe pse ajo është parësore, por edhe forma dhe procedura, ndaj dhe Islami ka zhvilluar edhe disiplinat që merren me thelbin e fesë dhe ato që merren me anën e jashtme dhe procedurën. Islami nuk i ndan ato nga njëra tjetra, por i rregullon ato në një ekuilibër harmonik dhe ligjor, ndaj kush i mëshon njërës në kurriz të tjetrës ai e nuk e njeh Islamin siç duhet, cilido qoftë emri i tij dhe fama apo ndikimi dhe pasuesit që ai ka.
Askush nuk kërkon përsosmëri, sepse ajo nuk është tipar njerëzor i mundshëm, sidomos në kohën dhe vendin ku jetojmë, ndaj askush nuk shpreson në utopi, por kërkojmë drejtësi, sepse ashtu siç besojmë se Allahu na dëgjon dhe sheh për atë që bëjmë në përputhje ose jo me fenë e Tij, qoftë kjo parim apo procedurë, po ashtu besojmë se është po Ai që na mundëson çdo mbarëvajtje në këtë jetë, përkundrejt çdo modeli të gabuar, në dukje funksional, që gjendet nëpër botë.
Nuk duhet të harrojmë se mbarësia, begatia dhe jetëgjatësia e punëve varen pikërisht nga forma po aq sa nga përmbajtja, madje është forma ajo që nuk lejon të veprojë devizën famëkeqe joislame “qëllimi justifikon mjetin” dhe është përmbajtja ajo që i jep jetë formës, për të mos u zhytur në një formalizëm pa thelb. Mbajtja e këtij ekuilibri është sfidë e çdo besimtari, çdo shkolle apo grupimi brenda Islamit. Nëse nuk e fitojmë këtë me vetveten në radhë të parë, askush nuk ka për të dhënë llogari për ne para Zotit dhe askush nuk do ta mbajë barrën e tjetrit ditën kur do të dalim para Tij.