4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024


Foreign Policy: Kush do të luftojë ende për Evropën?

Më të lexuarat

Realiteti lakuriq i një kontinenti që po vuan dështimin e vizionit të saj të paqes

Nga Ivan Krastev

Në dhjetorin e vitit 1989, duke qëndruar në terminalin kryesor të hekurudhës së Vjenës dhe duke parë trenat plot me njerëz që vinin nga shtetet komuniste të Evropës Lindore që kishin rënë në kolaps, historiani britaniko-amerikan Toni Xhud vendosi se duhej shkruar një histori e re e Evropës së shekullit XX-të.

Ai e quajti veprën e tij voluminoze “Paslufta”, jo thjesht për të treguar se si e tashmja evropiane ishte ende e formësuar nga kujtimet dhe trashëgimitë e Luftës së Dytë Botërore, por edhe për të dëshmuar se Evropa ishte bërë një vend, ku për shumicën e njerëzve, ishte bërë e pamendueshme një luftë e re e madhe në kontinent.

Fatkeqësisht një libër mbi Evropën e shekullit XXI, do të kërkojë një titull tjetër. Pushtimi rus i Ukrainës i ka vetëdijësuar evropianët me realitetin se ata po jetojnë në një botë të paraluftës, jo në atë të pasluftës. Supozimet e tyre të vjetra mbi luftën dhe paqen në Evropë, janë tani një gërmadhë që digjet nën vete, ashtu siç po ndodh me shumë qytete të Ukrainës.

Kujtoni pak klasën politike gjermane nën qeverisjen 16-vjeçare të Angela Merkel. Në pamundësi për të imagjinuar ndonjë gjë tjetër përveç suksesit të vazhdueshëm të integrimit të Evropës pas Luftës së Dytë Botërore, ajo besonte se duke e blerë pjesën më të madhe të gazit nga Rusia, Evropa do të garantonte një Moskë paqësore dhe bashkëpunuese.

Por në realitet ndërvarësia ekonomike e Evropës ndaj Rusisë, nuk i frenoi ambiciet perandorake të Kremlinit. Përkundrazi, varësia energjetike, sidomos e Gjermanisë nga Rusia, e nxiti presidentin rus Vladimir Putin të besonte se ai kishte dorë të lirë për të nisur luftëra të reja.

Ajo që shumë europiano-perëndimorë mendonin se ishte një burim sigurie, solli në fakt cënueshmëri. Përballë agresionit rus, evropianët janë detyruar të kuptojnë se mosgatishmëria e tyre e gjatë për të investuar tek aftësitë e tyre ushtarake, i ka vënë ata në rrezik të madh.

Dhe Evropa është plotësisht e varur nga Shtetet e Bashkuara për sigurinë e saj, pikërisht në momentin kur ombrella e sigurisë së SHBA-së nuk mund të merret më si diçka e mirëqenë.

Proteksionizmi ekonomik në rritje i Uashingtonit, produkt i përplasjes së tij në rritje me Pekinin, perceptohet si një sulm ndaj zhvillimit të Evropës.

Realiteti është se edhe nëse evropianët i marrin seriozisht kërcënimet aktuale të sigurisë – dhe nuk është ende plotësisht e qartë nëse këtë e bëjnë vendet kryesore – Bashkimit Evropian dhe shteteve të tij anëtare do t’i duhet një dekadë për të ristrukturuar industritë e tyre të mbrojtjes dhe për të ndërtuar një ekonomi lufte në përmasa kontinentale.

Për më tepër, rezistenca heroike e Ukrainës ndaj një pushtimi brutal që të kujton të kaluarën e përgjakshme të kontinentit, e ka shkatërruar besimin romantik të evropianëve bazuar në konceptin e një shoqërie post-heroike, ku lufta ishte e paqytetëruar, ku konfliktet mund të negocioheshin, dhe ku mosmarrëveshja e vetme ishte se kush merr cilën pjesë të “byrekut ekonomik” gjithnjë e më të madh.

Nga fundi i shekullit XX-të “vdekja nuk shihej më si pjesë e kontratës shoqërore”, siç shkroi historiani i madh ushtarak anglez Majkëll Hauard.

Tani, ndërsa evropianët përballen me realitetin e një bote shumë më armiqësore dhe të paqëndrueshme, po ndërgjegjësohen mbi faktin që kontrata e vjetër shoqërore mund të mos jetë më e vlefshme.

Nga ana tjetër, lufta ka nxjerrë në pah ndarje të thella në Evropë, bazuar kryesisht në kujtesën kolektive. Në shkurtin e vitit 2022, ndërsa gjermanët dhe francezët ishin të tronditur nga pushtimi i Rusisë, europiano-lindorët u tronditën nga naiviteti i perëndimorëve. Ndërsa Parisi dhe Berlini kishin frikë nga përshkallëzimi bërthamor, polakët dhe balltikët i druheshin një pushtimi të ri rus.

Por me kalimin e kohës, edhe lindja e BE-së nuk është më e unifikuar. Ndërsa Polonia hapi kufijtë e saj për miliona refugjatë ukrainas, Hungaria rezultoi të jetë aleatja më e ngushtë e Putinit në BE. Ndërsa polakët, estonezët, letonët dhe lituanezët janë ndër mbështetësit më të zjarrtë të Ukrainës, evropianolindorët e tjerë lindorë – bullgarët, hungarezët, rumunët dhe sllovakët – janë më ngurrues.

Lufta e ka ndarë Lindjen nga Perëndimi, por ka përçarë edhe vetë Lindjen nga brenda. Ndërkohë luftërat në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, i kanë detyruar evropianët të rimendojnë marrëdhëniet e tyre me botën joperëndimore.

Shpresa se agresioni i Rusisë do ta bënte të ashtuquajturin Jug Global të rreshtohej në mbrojtje të rendit liberal, doli të ishte një iluzion.

Në vend të kësaj, vendet joperëndimore zgjodhën të ndiqnin interesat e tyre ekonomike, në vend se t’i bashkoheshin një Lufte të re të Ftohtë midis botës së lirë dhe botës së autoritarizmit në zgjerim dhe forcim të vazhdueshëm. Në kuptimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, narrativa post-koloniale e ka zëvendësuar kornizën e Luftës së Ftohtë.

Për pasojë, shumë shoqëri joperëndimore e shohin BE-në më pak si një laborator të botës së ardhshme, dhe më shumë si një koleksion fuqish të vjetra koloniale. Deri një dekadë më parë, evropianët e konsideronin një sukses të madh të projektit evropian faktin që lufta ishte bërë e paimagjinueshme.

Historianët pyesnin: “Ku kanë shkuar të gjithë ushtarët?”, dhe i gëzoheshin mosgatishmërisë së evropianëve për t’u përfshirë në luftëra. Tani, ndërsa fillon realiteti i ri i Evropës për luftën dhe riarmatimin, ngrihet pyetja: Nga do të vijnë të gjithë ushtarët që duhen, duke pasur parasysh popullsinë e moshuar të Evropës dhe çmilitarizimin që ka vazhduar për dekada?

Pas shekujsh luftërash të tmerrshme, qetësimi i mendjes së evropianëve ishte arritja kryesore politike e periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore. Por tani ajo është shndërruar në një dobësi serioze sa i përket sigurisë.

Shënim: Ivan Krastev, kryetar i Qendrës për Strategjitë Liberale në Sofje, Bullgari, dhe anëtar i përhershëm në Institutin e Shkencave Humane në Vjenë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit