Vëzhguesi global i armëve kimike tha se ka arsye për të besuar se forcat ajrore të Sirisë kanë përdorur klor në një sulm me armë kimike në rajonin e Idlibit, në shkurt të vitit 2018.
Në raportin e publikuar të hënën, Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike tha se një helikopter i forcave ajrore siriane ka goditur zonën Sarakib, duke hedhur së paku një cilindër me klor, në formë të bombës fuçi.
Sipas raportit, në sulm nuk është vrarë askush, por 12 individë janë trajtuar për “gulçim, acarim të lëkurës, dhimbje gjoksi dhe kollitje”.
Zona e goditur kontrollohej në atë kohë nga rebelët, që kundërshtonin regjimin e presidentit sirian, Bashar al-Assad.
Raporti i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike nuk u komentua ende nga Qeveria siriane.
Përdorimi i klorit ose ndonjë substance tjetër kimike në konflikte të armatosura është i ndaluar me Konventën e Armëve Kimike të vitit 1997.
Zbatimi i kësaj konvente mbikëqyret nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike, me seli në Hagë.
Lufta civile në Siri tashmë ka hyrë në vitin e dhjetë.
Qeveria siriane disa herë është përballur me akuza për përdorimin e armëve kimike, por ajo i ka mohuar ato vazhdimisht.
/rel/