1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Forcat serbe i hapën varrezat civile në Hajvali, për t’i fshehur mes tyre të vrarët e luftës së fundit

Më të lexuarat

Forcat serbe morën vendim, që t’i fshehin disa nga gjurmët e krimeve të luftës në Kosovë (1998/99) duke hapur varrezat e viteve 1989-90. Plani iu dështoi pasi banori i vetëm që kishte mbetur në Hajvali e pa gjithë situatën.

Serbet hapën varret civile në Hajvali dhe brenda tyre i varrosën civilët e vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Por, plani i tyre për t’i fshehur gjurmët e krimit, nuk pati sukses.

Kjo pasi të gjithë ngjarjen nga dritarja, e pa Sejdi Demolli, tanimë i ndjerë.

I biri i tij, Hysniu, thotë se babai i tij, ishte njeriu i vetëm që kishte mbetur në lagje atë ditë.

“I kanë pru serbët, me ata kamionët, tamiqa, baba i ka pa prej dritares, kur i kanë varros”, tha ai për Tëvë1.

Demolli thotë se pasi serbët u larguan, babai i tij i bëri me shenjë varret ku ata punuan.

“Ata i kanë varros thotë shumë cekët, baba u dal i ka varros që mos mi ngrënë qentë”, tha Hysni Demolli, banor i Hajvalisë.
Pas përfundimit të luftës, Sejdi Demolli i tregoi autoriteteve të Kosovës, për ngjarjen që e kishte parë.

Ndërsa në hapjen e këtyre varreve, mori pjesë edhe Hysen Ahmeti.

94-vjeçari thotë se në mesin e të zhvarrosurve ishte edhe një femër.

“Do ishin deformuar fort, ndërsa trupi i një djalit ishte fort i ruajtur, sikur me u varros shumë kohë pas të tjerëve”, deklaroi Hysen Ahmeti, banor i Hajvalisë.

Në identifikimin e trupave, mori pjesë edhe mjeku i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu.

Ky thotë se këtu u identifikuan trupat e 8 personave të vrarë në luftën e fundit.

Ndërsa ky nuk është rasti i vetëm në Kosovë, ku shteti serb u mundua t’i fsheh krimet e luftës.

“Në Kosovë kemi pas raste të ndryshme, ku janë varros në vende të ndryshme dhe është rrafshuar vendi, pastaj janë hedhur mbeturina për ta maskuar vendin, pastaj e kemi rastin tek varrezat e myslimanëve në Zveçan, ku nga lufta e deri me tani mbi 70 persona janë tërhequr”, tha Gërxhaliu.

Vendimi për fshehjen e trupave të kosovarëve të vrarë, doli nga një mbledhje e ish-presidentit serb, Slobodan Milosheviq, me kabinetin e tij.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit