0.8 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Forca dhe qëndrueshmëria e besimtarit

Më të lexuarat

Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I dërguari i Allahut ka thënë:
“Muslimani i fortë është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu se muslimani i dobët, por tek secili ka mirësi. Përfito nga ajo që të bën dobi, kërko ndihmë nga Allahu, mos u trego i paaftë dhe nëse të godet ndonjë gjë e papëlqyeshme mos thuaj: Në qoftë se do të kisha vepruar kështu, nuk do të kishte ndodhur kështu, por thuaj: Ky është caktimi i Allahut dhe vullneti i Tij është plotësuar. Fjala “në qoftë se” i hap rrugë shejtanit”.[1]

Kuptimi i disa idiomave:
Besimtari i fortë: fjala forcë ka kuptim të përgjithshëm, në kuptimin e saj përfshihet: forca e besimit, e shpirtit, e dijes, e trupit..etj.
Mos u trego i paaftë: mos neglizho e as mos u dobëso.
I hap rrugë shejtanit: ngacmimeve dhe vesveseve të tij.

Dritë mbi kuptimin e hadithit:
Besimtari, i cili e fiton dashurinë e Allahut të Lartësuar,  është besimtari i fortë, që ka besim të qëndrueshëm, vendosmëri të vazhdueshme, lufton me veten dhe e mund atë, i largon vesveset e shejtanit derisa e mund, i jep rëndësi shëndetit të trupit dhe forcës trupore, që të jetë përkrahës i tij në devocionin karshi Allahut dhe më i freskët në kryerjen e adhurimeve, më guximtar ndaj armikut, më i vendosur në urdhëresën për mirë e ndalimin nga e keqja dhe mban mbi supe të vështirësitë, që dalin në rrugë të Allahut të Lartësuar. Këtë lloj besimtari dëshiron umeti musliman ta ketë në rilindjen, formimin dhe mbrojten e saj.
Ndërsa tek besimtari i dobët, e mira e tij është e kufizuar vetëm në veten e tij. Ai ëshë objekt i rreziqeve, sepse ai nuk e ka mbrojtur besimin dhe nuk e ka ushqyer që të zhvillohet. Shpeshherë ai tregohet i dobët përpara sprovave dhe dëshirave shfrenuese. Po ashtu ai nuk ka forcë trupore që ta ndihmojë për të shpejtuar në kryerjen e veprave të mira, apo të durojë në kryerjen e adhurimeve. Ai gjithmonë është i dobët, i paaftë në vazhdimësi, nëse do të kryejë ndonjë punë tregohet përtac në përfundimin e tij dhe nëse kryen një punë, lodhet shpejt dhe forca i shterohet.
Nuk ka dyshim, se ndërmjet elementëve të forcës së besimit, shpirtit, dijes dhe trupit, për të cilat besimtari duhet të jetë i kujdesshëm që t`i posedojë, ka një lidhje të ngushtë. Forca e besimit është motorri kryesor i çfarëdo lloj force tjetër. Sa më shumë të shtohet besimi, aq më shumë shtohet forca. Për këtë arsye profeti a.s nuk e ka mohuar mirësinë në tërësi, sepse ajo gjendet edhe tek besimtari i dobët. Ai ka thënë: “por tek secili ka mirësi”, sepse baza e besimit ekziston tek ai e pema e besimit është mbjellë në zemrën e tij. Por atij nuk i ngelet gjë tjetër, vetëm se ta ujisë dhe të kujdeset për të, derisa të forcohet që të jetë besimtar i fortë.
Nëse besimi forcohet, atëherë shpirti është më i vendosur dhe shpejton për nga e mira, përvesh mëngët për të kërkuar dijen dhe e braktis përtacinë dhe plogështinë.
Nëse plogështia largohet, organet gjallërohen, trupi i tij forcohet, njeriu nxiton që ta shtojë forcën trupore, që të jetë mbështetës i tij në përkushtimin ndaj Allahut dhe për të fituar kënaqësinë e Tij.
Për këtë arsye ai e ka frikë Allahun në çdo veprim të tijin. Forcën trupore nuk duhet ta kërkojë, për t`u mburrur e për t`u krenuar. Ai nuk duhet ta përdorë këtë forcë për të sulmuar të dobëtit. Jo vetëm kaq, por përgatitjen e forcës trupore nuk duhet që ta shfrytëzojë për të kaluar kohën e për t`u lodhur, duke mos pasur fuqi pastaj për të kryer ibadetet dhe duke humbur kështu forcën e besimit. Nse humbet forcën e besimit, forca trupore nuk i bën më dobi për asnjë gjë përpara Allahut. Sipas Imam Buhariut dhe imam Muslimit, Ebu Hurejre (r.a) transmeton, se i dërguari i Allahut ka thënë: “Në ditën e Gjykimit do të sillet një njeri trupmadh dhe i shëndoshë, por që tek Allahu nuk do të peshojë as sa krahu i një mushkonje”.
Gjithashtu forca trupore nuk vlen, nëse nuk shoqërohet me forcën e shpirtit, që mbizotëron ndaj trupit, ose përndryshe do të kthehet në egërsirë tamam si gjendja e jobesimtarëve dhe të humburve. Për këtë ka folur  profeti a.s në hadithin që e kanë transmetuar imam Buhariu dhe imam Muslimi nga Ebu Hurejra (r.a) se profeti a.s ka thënë: “Nuk është i fortë ai njeri që është në dyluftim, por i fortë është ai, i cili përmban veten e tij nga zemërimi”. Kështu pra në bashkëpunimin e forcës së besimit me focën shpirtërore, dijes dhe trupore formohet besimtari i fortë, të cilin Allahu dhe i dërguari i Tij e duan.
Në këto mësime orientuese profeti a.s përshkruan ilaçin për tu kuruar nga sëmundja e dobësisë, që godet njërën prej elementëve të forcës apo të gjitha. Nëse besimtari merr goditje të dobësimit në besimin, shpirtin, dijen dhe trupin e tij, çfarë duhet të bëjë?
Përgjigja e kësaj pyetje vjen nëpërmjet kurimit profetik e përmbledhur në katër porositë e mëposhtme:
Përfito nga ajo që të bën dobi: Tregohu i kujdesshëm ndaj bindjes së Allahut. Bindja ndaj Allahut e forcon bindjen, ndihmon në pastrimin e shpirtit dhe e largon dobësinë dhe plogështinë. Përfito çdo gjë, që është e dobishme dhe hallall nga jeta e kësaj bote, që nëpërmjet tyre të jesh më i përkushtuar ndaj Allahut, sepse jeta e kësaj bote është parcela e botës tjetër. Ndërsa mëkatet muk kanë asnjë dobi, përkundrazi ato luajnë një rol shkatërrues dhe vrasës.
Kërko ndihmë nga Allahu: Kërko ndihmë nga Allahu i Lartësuar, drejtoju Atij me lutje që të përmirësojë gjendjen tënde, ji i sinqertë në veprat që i kryen për Të që të fitosh lumturinë dhe atë që kërkon. Mos kujto se me forcën dhe inteligjencën tënde, nuk ke nevojë për ndihmën dhe strehimin tek Allahu, se nëse nuk e ke ndihmën e Allahut, atëherë do të shkatërrohesh.
Nëse njeriu nuk ka ndihmën e Allahut, gjëja e parë që do ta shkatërrojë është përpjekja e tij.
Mos u trego i paaftë: Mos neglizho në kërkimin e të mirës, që të ndihmon në çështjet e fesë dhe kësaj bote. Mos ji përtac, sepse forca të humbet. Paaftësia është antonim i fjalës aftësi. Ajo është dobësi e vullnetit dhe dembelizëm ndaj punës së mirë. Për këtë arsye profeti a.s na ka qortuar dhe ka kërkuar mbrojte nga e keqja e saj. Imam Muslimi transmeton se profeti a.s. lutej duke thënë: “O Zot, unë kërkoj mbrojtje prej Teje nga paaftësia dhe dembelizmi”.
“Mos thuaj: Në qoftë se do të kisha vepruar kështu nuk do të kishte ndodhur kështu, por thuaj : Ky është caktimi i Allahut dhe vullneti i Tij është plotësuar. Fjala “në qoftë se” i hap rrugë shejtanit: Kjo thënie është një kurë profetike për ta stërvitur myslimanin, që t’i dorëzohet caktimit të Allahut, të mësohet që të mos ankohet për fatkeqsitë që mund t’i bien e t’i kthejë shpinën asaj që ka kaluar pasi ajo është caktuar që të ndodhë. Fjala “Në qoftë se” sjell dëshpërim, pikëllim, i shton vuajtjet, trashëgon ankth e tension dhe i hap rrugën shejtanit që të depërtojë në shpirt, të vërsulë ngacmimet dhe helmin e tij, për ta goditur besimin me goditje vdekjeprurëse. Sado që të dëshpërohet njeriu, nuk mund ta kthejë atë që i ka kaluar. Ai do të grumbullojë për vete më tepër fatkeqësi se ato që i kanë ndodhur: fatkeqësinë që i ka ndodhur, fatkeqësinë e humbjes së shpërblimit të durimit dhe është ekspozuar përpara zemërit të Allahut, fatkeqësinë e disa sëmundjeve nëse ai vazhdon në dëshpërim dhe pikëllim: sëmundjen e zemrës për shkak të dobësimit të besimit, sëmundjen shpirtërore me ankth e vuatje, sëmundjen trupore me dhimbje të ndryshme, që në shumicat e rasteve shfaqet si rezultat i sëmundjeve shpirtërore, sëmundja e kësaj kohe që jetojmë.
Megjithatë këtu duhet të tërheqim vëmendjen, se nëse njeriu e përdor fjalën “në qoftë se” jo se është dëshpëruar për atë që i ka kaluar, por e thotë psh; për të nxjerrë mësim nga gabimet e tij për mos të gabuar për herë të dytë apo ta përdorë në sistemimin e punëve derisa t’i përmirësojë, kjo është e kërkuar dhe nuk është e ndaluar.

Përfitimet e nxjerra nga hadithi:
1- Allahu i Lartësuar e do besimtarin e fortë në besimin, shpirtin, dijen dhe trupin e tij.
2- Përfitimi nga ajo që i bën dobi besimtarit në çështjet e fesë dhe të kësaj bote. Ndalimi nga përtacia dhe plogështia.
3- Obligimi i kërkimit ndihmë Allahut duke marrë për bazë ndjekjen e shkaqeve.
4- Kënaqësia e asaj që ka caktuar Allahu dhe moszemërimi e dëshpërimi i asaj që ka kaluar.
[1] Transmeton imam Muslimi: 2664

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit