Fondacioni NuN nga Republika e Maqedonisë së Veriut, si Fondacion Bamirës me vite të tëra është në shërbim të grupeve në nevojë në territorin e Maqedonisë së Veriut, por jo vetëm. Fondacioni ju gjendet pranë kategorive të ndryshme sociale, si familjeve me fëmijë jetim, familjeve në nevojë dhe familjeve të goditura nga fatkeqësi të ndryshme natyrore dhe të tjera.
Përtej programeve të mbështetjes në strehim, ushqim, veshmbathje, materiale higjienike-sanitare dhe trajtim mjekësore, Fondacioni NuN është subjekt me shumë ndikim edhe në sferën e edukimit, jetën kulturore dhe sociale të Maqedonisë së Veriut dhe të hapësirave të tjera shqiptare në rajon dhe në diasporë.
Fondacioni NuN si çdo vit, ishte jashtëzakonisht aktiv me shumë projekte të Ramazanit, me qëllim që tua lehtësojë jetën në çdo dimension komunitetit të vet.
Pjesë e programit të Ramazanit, Fondacioni NuN pati edhe shpërndarjen e mijëra Dhuratave të Bajramit për fëmijët shqiptar në rajonin e Shkupit. Ky është një kontribut modest i cili ka si qëllim gëzimin e fëmijëve dhe bërjen e festave tona tradicionale joshëse dhe të dashura për ta. Lidhja emocionale e fëmijëve me vlerat dhe traditat i shërben zhvillimit të tyre të mirëfilltë psiko-social. Dhuratat u shpërndanë fillimisht tek familjet me fëmijë jetim, tek familjet në nevojë dhe më pas edhe tek fëmijët në përgjithësi përmes shkollave të Shkupit. Nisma të tilla duhet të vlerësohen dhe të përkrahen nga vullnetarët, bamirësit dhe institucionet.
Dhe në këtë drejtim nuk mungoi edhe bashkëpunimi me disa shkolla fillore në qytetin e Shkupit, ku sot u ndanë pako “Dhurata e Bajramit” fëmijëve që vijojnë mësimin me prani fizike në tre shkolla të mëdha të kryeqytetit, si shkolla Adem Jashari, shkolla 7 Marsi, shkolla Imri Elezi dhe shkolla Kongresi i Manastirit. Prindërit dhe personeli i shkollave e pritën shumë mirë këtë aktivitet.
Dhurata është një produkt mirë i dizajnuar dhe i mbushur me produkte të bollshme dhe të dëshiruara nga fëmijët.