Vazhdojnë ndihmat e Turqisë ndaj myslimanëve të Arakanit të mbetur nëpër kampet e refugjatëve në Bangladesh.
Fondacioni i Entit të Çështjeve Fetare të Turqisë (Diyanet), i cili menaxhon pjesën kryesore të fushatës së ndihmave të Turqisë ndaj myslimanëve të Arakanit, deri më sot dërgoi ndihma të ndryshme për 150 mijë persona prej ushqimit e deri tek veshmbathja, ndërsa ndihmoi në hapjen e puseve të ujit dhe në ndërtimin e xhamive.
Fondacioni me muaj të tëra zhvillon punime për dërgimin e ndihmave myslimanëve të Arakanit të arratisur nga dhuna e fanatikëve budistë dhe të ushtrisë së Mianmarit e që u strehuan në Bangladesh.
Në këtë kuadër fondacioni nëpërmjet zyrtarëve dhe vullnetarëve shpërndan ndihma për persona në nevojë të strehuar në kampet e refugjatëve në qytetin Cox Bazar të Bangladeshit.
Deri më sot janë shpërndarë 10 mijë e 258 pako me ushqim, 7 mijë pako me materiale sanitare, 7 mijë pajisje të kuzhinës, 4 mijë pako me veshmbathje, 6 mijë e 125 pajisje për strehim dhe 600 pako me ujë.
Rreth 150 mijë persona përfituan nga 37 mijë e 500 pako familjare.
Gjithashtu myslimanëve të Arakanit u janë shpërndarë 5,5 tonë mish, përveç kësaj fondacioni ofroi ndihma 500 familjeve për ngritjen e çadrave dhe ndërtoi dy xhami.
Një shërbim tjetër i rëndësishëm i fondacionit ishte vendosja e kushteve të higjienës nëpër kampe. Posaçërisht janë zhvilluar punime në zonat, ku qasja në ujë të pastër ishte e vështirë, ndërsa populli përfitoi nga uji i puseve të thella të hapura nga ana e fondacionit.
Eksperti i fondacionit për shërbime bamirëse jashtë vendit Abdullah Uçak në lidhje me çështjen tha se “Banorët e këtyre kampeve tani i kanë përvetësuar shumë turqit dhe flamurin turk. Në çdo vend ku shkojmë ata na thërrasin ‘turushko’ pasi e shikojnë flamurin, që në gjuhën lokale do të thotë ‘turk’. Ne përveç ndihmave prekim edhe në zemrat e këtyre vëllezërve tanë dhe kjo na gëzon shumë”.
Në sulmet e ushtrisë së Mianmarit të ndërmarra ndaj civilëve të Arakanit me pretekst luftën kundër militantëve të armatosur prej 25 gushtit e këtej janë vrarë me mijëra myslimanë.
Numri i saktë i civilëve të vrarë nuk mund të përcaktohet pasi autoritetet e Mianmarit nuk lejojnë hyrjen në këtë rajon.
Në këto sulme, të cilat u kthyen në spastrim etnik, ushtria dhe budistët fanatik shkatërruan 300 fshatra, ndërsa mbi 600 mijë myslimanë të Arakanit u detyruan të arratisen në Bangladesh nëpërmjet zonave malore, lumenjve apo nëpërmjet detit dhe me mijëra të tjerë kërkojnë mënyra për tu arratisur nga ky vend.