1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024


Fjalimi dërrmues i Erdoganit: Izraeli kaloi dhe Hitlerin!

Më të lexuarat

Krahasimi i Hamasit me forcat kemaliste dhe akuza: shteti sionist, pas çdo grusht shtetit në Turqi

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan rinisi një sulm të ashpër kundër Izraelit dhe shprehu edhe një herë mbështetjen për Hamasin – ndoshta më i forti deri më sot – duke folur para Grupit Parlamentar të partisë së tij.

Presidenti turk e paralelizoi veprimin e Hamasit “me atë të nacionalistëve turq të Kemal Ataturkut gjatë Luftës së Azisë së Vogël”, duke mohuar edhe një herë se Hamasi është një organizatë terroriste dhe theksoi: “Si Tajip Erdogan, edhe nëse jam vetëm, do të vazhdoj të mbroj kauzën palestineze dhe të jem zëri i popullit të shtypur palestinez për sa kohë që Zoti më jep jetë. Le ta dëgjojë gjithë bota”, tha ai.

“Ndërsa askush në botë nuk mund të fliste, ne dolëm dhe thamë se Hamasi nuk është një organizatë terroriste, por një grup rezistence. Nga Kombet e Bashkuara, ne kemi treguar me harta sesi Izraeli ka marrë hap pas hapi tokat e Palestinës në 70 vitet e fundit. Në momentet më të vështira të vëllezërve tanë të pafajshëm palestinezë, ne mobilizuam të gjitha mjetet në dispozicion në të gjithë sektorët. Këtu e them shumë qartë dhe hapur se Hamasi është saktësisht i njëjtë me ‘Forcat Kombëtare’ në Turqi gjatë ‘luftës kombëtare’. Sigurisht, ne e dimë se ka një çmim për atë që themi. E gjithë bota duhet ta dijë se ne nuk do të dorëzohemi para atentateve tuaja, tentativave për grusht shteti, sulmeve ekonomike dhe manipulimeve”, tha ai.

Presidenti turk e quajti Izraelin një shtet terrorist që kryen gjenocid dhe është shkruar si turp në historinë e njerëzimit. “Shteti terrorist i Izraelit ka kryer një gjenocid çnjerëzor si në Gaza ashtu edhe në Bregun Perëndimor që nga 7 tetori. Me mbështetjen e pakushtëzuar që merr nga Perëndimi, Izraeli kryen masakra që tashmë janë shkruar në historinë e njerëzimit si turp”, tha presidenti turk.

“Duke vrarë 14 mijë fëmijë, ata tashmë e kanë tejkaluar Hitlerin. Ne do të mbrojmë pavarësinë e Palestinës në çdo rrethanë, pavarësisht atyre që nuk shohin vdekjen e 14 mijë fëmijëve të pafajshëm dhe përpiqen të fitojnë favore ndaj Izraelit duke thënë se Hamasi është një organizatë terroriste”.

Erdogan la të kuptohej gjithashtu se ka një gisht izraelit në të gjitha grushtet apo tentativat për grusht shteti që kanë ndodhur në Turqi që nga viti 1980, duke përfshirë dhe atë të korrikut 2016-të.

“Tradhtia e 15 korrikut nga organizata tradhtare FETO, shërbëtori i Sionizmit, për të përkulur ndjeshmërinë tonë ndaj Palestinës”.

Në këtë pikë, ai kujtoi se ndjeshmëria e tij ndaj çështjes palestineze u shfaq 15 vjet më parë në Davos, kur u përplas me presidentin izraelit në atë kohë, Shimon Peres, duke e ndërprerë fjalimin e tij me frazën “një minutë” dhe më pas largimit nga skena e Forumit Ekonomik Botëror.

Duke iu përgjigjur akuzave të qarqeve opozitare se Turqia, megjithë retorikën e ashpër, vazhdonte të bënte biznes me Izraelin, presidenti turk tha: “Gjatë procesit zgjedhor dhe pas zgjedhjeve, u ngritën disa akuza të padrejta ndaj meje dhe ndaj partisë sonë nga qendra të ndryshme, dhe më vjen keq të them se këto akuza dhe këto shpifje të ndyra kanë gjetur terren në qarqe të caktuara dhe madje i kemi parë të përdoren kundër nesh. Disa na kanë sjellë neve, partinë tonë, qeverinë tonë dhe shtetin e Republikës së Turqisë në përbuzje me pretendime që e dinë se janë të rreme”, tha Erdogan dhe vijoi:

“Disa nga lëvizjet tona mund të mos jenë të dukshme. Ne mund të mos jemi në gjendje të shpjegojmë disa nga veprimet tona. Megjithatë, ata që vënë në dyshim ndjeshmërinë tonë për Palestinën, herët a vonë do të gjenden në një pozitë të vështirë dhe do të turpërohen dhe do të kuptojnë se çfarë padrejtësie kanë bërë në sytë e historisë”. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit