✍ Shejh Abdurrahman el Kindi ka thënë:
Të vesh bast për shuarjen e kësaj feje me ritualet e saj të mëdha, dispozitat madje dhe traditat e saj Profetike, është një bast i humbur që nuk ka fituar kurrë qysh nga koha e Ebu Xhehlit e deri në kohën e Ataturkut. “Por ju jeni një popull që nxitoni!”
Dije – Zoti ta bëftë zemrën të qëndrueshme – se Islami nuk vdes, por ai kalon nëpër disa periudha sprovimi në të cilat shpëtojnë njerëzit e së vërtetës, dhe rrëzohen zemrat e sëmura në zhulin e zbrapsjes (nga udha e drejtë).
Prandaj bëhu i durueshëm dhe kërko shpërblim. Ti nuk je më i mirë se Bilali dhe nuk je më e mirë se Sumeja, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata.
Para teje kanë për tu shfaqur vite thatësire! Ai që kapet pas fesë së tij do të jetë i ngjashëm me atë që ka shtrënguar fort një gacë prushi. Aktualiteti do të zemërojë dhe do ndihesh keq nga shumë gjëra që sheh. Këto ndjenja vlerësohen shumë tek Allahu, sepse janë tregues i mirësisë që ka zënë vend në zemrën tënde, prandaj mos i flijo (këto ndjenja) me thikën e zbrapsejes.
Në rrugën e vërtetë, mos të të shqetësojë prania e vogël e atyre që e ndjekin, po ashtu edhe në të kotën mos të të mashtrojë numri i madh i të humburve, sepse ti je xhemati edhe pse mund të jesh i vetëm.
Dije se largimi yt nga karvani i mirësisë nuk dëmton askënd veç teje, ashtu sikurse prezenca jote në këtë karvan është mirësi që Zoti ta ka dhuruar.
Gjithashtu dije se legjislacioni Hyjnor i qiellit ecën pa u shqetësuar për emrat e atyre që zbrapsen, shumë emra rrëzohen e shumë të tjerë lartësohen. “E, nëse ju ia ktheni shpinën dhe i largoheni Atij, Ai do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, i cili nuk do ta ndjekë shembullin tuaj.”
📚 Abdurrahman el Kindi
📋 Përktheu: Fatjon Isufi