0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Fjala selam-paqe

Më të lexuarat

Nga: Dr Selman Aude

Fjala selam-paqe

Përshkrimi hyjnor i robërve të vërtetë të Zotit është:“O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!”. (Furkan, 74)
Këto janë disa nga cilësitë dhe tiparet e atyre që i ka përzgjedhur vetë Zoti, për të qenë robërit e Tij të ndershëm, të cilëve u ka përshkruar dhe mënyrën si ecin mes njerëzve “thjesht”. Ata nuk ecin me krekosje dhe arrogancë, ata nuk bezdisin askënd, kanë shpirtra të qetë, e kanë traditë ecjen me thjeshtësi si kur janë në këmbë, ashtu dhe kur janë mbi mjete transporti. Ata janë të tillë në të gjitha praktikat jetësore.
“Robërit e të Gjithëmëshirshmit janë ata që ecin thjesht nëpër Tokë dhe, kur të paditurit i sulmojnë me fjalë, ata përgjigjen: “Paqe qoftë!”; (Furkan, 63)
Ata nuk bëhen palë në shamata dhe sherre, ku zakonisht njerëzit duan të triumfojë egoja e tyre e sëmurë, e cila vetëm sa kërkon të nxjerrë në pah supermacinë e saj.
Kur thonë:”Selam-paqe” ata nuk synojnë shpërfilljen e kundërshtarëve të tyre. Kjo nuk është një fjalë që u thuhet për tu treguar se ne jemi më të mirë se ju, siç bëjnë disa njerëz, të cilët i citojnë tekstet e shenjta sipas interesit të tyre, jo sipas kuptimit të tyre të vërtetë. Sa herë që besojnë se dikush u ka hyrë në hak dhe i ka tejkaluar kufijtë me ta, bërtasin:
”Selam, selam”..
Me këtë, ata u thonë në mënyrë të tërthortë kundërshtarëve të tyre se:”Ju jeni xhahila, kurse ne jemi robërit e Zotit që ecin thjesht mbi tokë!
Në fakt, diçka e tillë, nuk hyn fare tek prevalimi moral i vërtetë, por është thjesht një shtirje dhe aktrim.
Sipas ajetit “Selam” në këtë kontekst, nuk është thjesht një fjalë që thuhet, por përfshin edhe kërkimin falje për kundërshtarët, lutjen për ta, faljen, pajtimin, buzëqeshjen, kthimin e të keqes me të mirë dhe përfshin edhe heshtjen ndonjëherë…
Nuk është domosdoshmëri e “selam-it” që nëse dikush më sulmon me injorancën e tij, t’ia kthej me fjalët:
Xhevap mos i jep një xhahili kur të shan
Xhevap me të mirë se heshtja nuk ka asnjë send
Nëse i flet, të sharave nuk ia ndan
E nëse hesht, nga inati plas në vend
Në këtë rast, unë nuk kam heshtur dhe nuk i jam përgjigjur të keqes me të mirë, por me një të keqe të barabartë, pasi e etiketova si xhahil. Egos i mjafton kaq si triumf.
Dikush mund dhe të thotë:
Kur një horr më shan dhe pranë më kalon
Vazhdoj udhën, të merrem me të aspak s’më nderon
Ja ku e etiketove me fjalën “horr” dhe aktin e tij me “sharje”, sakaq, për veten tënde ke rezervuar një status të lartë, pasi ti ke pasuri gjuhësore në të shprehur, je orator, gjë të cilën nuk e ka kundërshtari jot.
Të mbushesh me mllef e neveri, e megjithatë të ushtrohesh që ta ruash buzëqeshjen dhe fytyrën e çelur, të falësh dhe të tolerosh, të harrosh dhe të mbyllësh njërin sy e njërin vesh, është një qëllim madhor moral. Vetëm kështu ti nuk i vë tekstet e ndryshme në funksion të fitores tënde në betejën me tjetrin!
Ndoshta për këtë kontekst shërben dhe hadithi i transmetuar nga Ebu Hurejre, se Profeti a.s ka thënë:”Agjërimi është mburojë, prandaj dhe nuk bën të fliten fjalë banale dhe sharje. Nëse dikush të lufton ose të shan, i thuaj:”Unë jam agjërues” dy herë.”
Dijetarët kanë debatuar nëse fjalët “unë agjëroj” duhet ti thotë me zë, apo me zemër dhe mendje. Disa prej tyre, besojnë se këto fjalë, agjëruesi duhet ti thotë me zë që ta dëgjojë dhe pala tjetër.
Por, mesa duket, me këto fjalë, synohet që agjëruesi t’ia kujtojë vetes se është në muajin e shenjtë të agjërimit dhe në një gjendje ku nuk pranohen sharjet. Kjo vlen si për agjërimin farz, ashtu dhe për atë nafile. Në fund të fundit, qëllimi i agjërimit është që ta largojë dhe mbrojë njeriun nga ligësitë. “Kush nuk heq dorë nga dëshmia e rreme dhe puna sipas saj, Zoti s’ka nevojë që të heqë dorë nga ushqimi dhe pija.”
Qëllimi i adhurimit dhe ritualit, është edukimi dhe skalitja e moraleve, është mbrotjja e ambientit social nga sharjet dhe shkëmbimi i fjalëve banale.
Ai që e nxjerr fjalën e rëndë për shkak të euforisë dhe papërmbajtjes, mund të pendohet për atë që thotë. Në të shumtën e rasteve, fjala e rëndë është më e rëndë se shpata. Flala, i përngjan plumbit, po doli nuk kthehet më, e nëse del, ajo plagos, vret, qorron dhe përgjak!
Megjithatë, unë konstatoj se fjalët e shkruara kanë ndikim akoma më të rëndë, prandaj dhe shkruesi, para se ti publikojë, duhet ti rishikojë. Fjala e shkruar është më e qëndrueshme sesa ajo e thënë. Tek e shkruara, për shkak të nxitimit, mund të nxjerrësh gjëra të paqëllimta. Kjo tregon se problemi i disa kalemxhinjve nuk është vetëm tek inati momental, por është tek psikologjia e tyre, karakteri dhe temperamenti. Ndonjëherë, problemi gjendet dhe fshihet tek koncepti negativ i errët, i cili është ulur këmbëkryq në zemrën e dikujt, para se të gjendet tek zemrat e të tjerëve.
Të shkruarit, është një nga mekanizmat e reformës sociale dhe edukimit moral. Prandaj dhe ai që mban në dorë penën, apo tashmë tastierën, duhet të ketë parasysh përgjegjësinë dhe amanetin, të largohet nga motivet e sëmura dhe qëllimet personale. “dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë).” (Kaf, 18)
 
Përktheu: Elmaz Fida

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit