11.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Fjala e djeshme e Kim Mehmetit, anëtarit të Këshillit Opozitar në protestë

Më të lexuarat

“Nuk kemi dalë sot këtu që kërcënojmë as të manifestojmë forcë, por jemi këtu që të dëshmojmë se ne jemi zëri i të vërtetës së shqiptarëve të Maqedonisë!

E di se që nesër, dashamirë e dashakeq do pyesin pse vetëm himni i flamurit shqiptar, pse nuk valëvitet edhe flamuri shtetëror dhe shumë pse të tjera.
Ne plot 26 vjet u shpjegojmë pse, por ose ne nuk shpjegojmë mirë, ose dikush nuk merr vesh, por si do që të jetë, ja edhe njëherë do u japim përgjigje shkurt e shqip:
– Ne duam të bashkëveprojmë me palën maqedonase, ne duam edhe të bashkëdemonstrojmë me të, ne duam të ndërtojmë shtet të përbashkët, por këtë do e bëjmë vetëm atëherë kur kjo Maqedoni do mësohet të flet dhe të mendojë edhe shqip, pra vetëm atëherë kur bashkëqytetarët tanë maqedonas do e beshkëndjejnë dhembjen shqiptare dhe do dalin të protestojnë kundër vuajtjes së Karadakut, kundër “Sopotit”, “Brodecit”, likuidimit të Harun Aliut me shokët, kundër “Monstrës” dhe së fundmi kundër Natës së tradhtisë së Madhe në Kumanovë:

– Ne duam edhe të çohemi në këmbë kur interpretohet himni i Maqedonisë, por atë do e bëjmë vetëm atëherë kur ai himn do jehojë edhe zëri i shqiptarisë, kur do shpreh realitetin shumetnik të Maqedonisë:

– Ne duam që në protestat tona të valëvitet edhe flamuri i këtij shteti, por këtë do e bëjmë atëherë kur bashkërisht do vendosim për simbolet e shtetit dhe kur në mos më shumë, në flamurin shtetëror do shihet edhe njëra nga kokat e shqiponjës sonë dykrenore:

– Ne duam që të respektojmë president, kryeparlamentar e kryeministër të këtij shteti, por këtë do e bëjmë kur ata nuk do jenë hajdut dhe pasi që pala maqedonase të bindet sa bukur i rrinl këtij shteti ku ka president, kryeparlamentar apo kryeministër shqiptar:

Të dashur miq, ne sot jemi mbledhur këtu që t’ia mundësojmë Maqedonisë edhe njëherë ta dëgjojë zërin e vërtetë të rinisë shqiptare dhe që të mos thotë më vonë se nuk e ka ditur se ku dallon zëri ynë nga ai i vasalëve shqiptarë të BDI-së:
– Dhe duke qenë zëri i rinisë dhe urtësisë shqiptare, ne duam Maqedonisë t’ia kumtojmë se është në zhdukje e sipër raca e vasalëve shqiptarë, raca e atyre që marrin votën e shqiptarëve, për t’i shërbyer nëntokës politike maqedonase:

– Duke qenë zëri i sinqeritetit dhe mençurisë rinore, ne duam t’ia bëjmë me dije kësaj Maqedonie, se aty ku proteston rinia shqiptarët, nuk ka nevojë për kordon policie, njësoj siç duam t’ia bëjmë me dije se nëse do vijë dita që nëpër e Shkupit të derdhet revolta shqiptare, atëherë vëllezërve shqiptaro maqedonas të regjimit hajdutokrat e kriminal të quajtur VMRO-BDI, edhe bira e miut do u duket e gjerë sa tuneli i Kalimashit:

– Duke qenë zëri i sinqeritetit rinor ne duam Maqedonisë t’i themi se ajo kalbet dhe nuk ia del të qëndrojë në këmbë ngaqë i mungon shtylla shqiptare në shtetëbërjen dhe shtetësundimin e saj.
– Pastaj ne duam kësaj Maqedonie t’ia kumtojmë se nuk mund të jetë jetëgjatë shteti në të cilin varfanjaku që vjedhë një bukë, për t’i ushqyer fëmijët e vet, përfundon në burg, ndërkaq hajdutët e regjimit VMRO-BDI, që e plaçkitën shtetin dhe popullin, falen nga Presidenti injorant që nuk e mbron interesin e qytetarëve, por atë të nëntokës politike:
Ne kemi shumëçka për t’i thënë këtij shteti, në të cilën shumica nga ju kanë lindur në vitin kur Maqedonia ka shpallur pavarësinë dhe që janë rritur dhe sot kanë mbushur 26 duke përjetuar talljet dhe nëpërkëmbjen e dinjitet të tyre, por sot do i themi zëshëm edhe atë se:

– Ne nuk e duam këtë Maqedoni në të cilën shqiptarët janë përfaqësuar në shumicë vetëm nëpër burgjet e saj:
– Ne kësaj Maqedonia sot do i themi se ajo do kalbet nëse nuk dalin nga burgjet shqiptarët tanë të pafajshëm të dënuar nëpër procese të montuara gjyqësore:
– Ne Maqedonisë sot ia rikujtojmë se shtetet që kanë burgosur pafajësinë shqiptare, se shtetet që janë ndërtuar mbi fatkeqësinë shqiptare, herët a vonë, janë zhdukur nga faqja e dheut mbi të cilën shqiptarët kanë vazhduar të numërojnë shekuj mbijetesë:

– Ne i themi Maqedonisë së sotme se jemi si të gjithë popujt tjerë dhe jo se në radhët tona nuk ka hajdut e kriminel që duhet të përfundojnë në burg, por disa nga ata janë pjesë e regjimit VMRO-BDI:

TE dashur miq, heronj të ditës së sotme jeni ju, e jo ne që ju drejtohemi nga kjo foltore. Andaj tani kur e mbyllim këtë protestë, merrni me vete heroizmin që ju takon, dhe shpërndahuni me bindjen se të gjithëve u kemi treguar se ky shtet mund të bëhet vetëm nëse do e dëgjojë zërin që ia përcollëm sot dhe vetëm nëse pagabueshëm e kupton porosinë kryesore që ia përcollëm: se gabojnë të gjithë ata që besojnë se mund të ndërtojnë Maqedoni mbi fatkeqësinë shqiptare. Andaj le të shpërndahemi me bindjen se nëse Maqedonia nuk i ka kuptuar drejtë porositë e sinqeritetit rinore, ajo rrezikon që një ditë ta dëgjoj ushtimën shkatërrimtare të mllefit të kësaj rinie”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit