Ambasadori francez në Kosovë, Jean Francois Fitou, u bëri thirrje të hënën të gjitha partive që ta pranojnë dhe ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit Atifete Jahjaga e ka mandatin si presidente deri më 2016.
Kjo deklaratë e tij ka ardhur pasi që Lidhja Demokratike e Kosovës dheAleanca Kosova e Re, vendimin e Gjykatës Kushtetuese për respektimin e mandatit të plotë të presidentes e quajnë politik, shkruan “Zëri”.
Fitou gjatë një takimi me gazetarë ka thënë se Gjykata Kushtetuese e ka fjalën e fundit në interpretimin e Kushtetutës.
“Gjykata Kushtetuese e ka të drejtën të interpretojë Kushtetutën, ajo është e vetmja që mund ta interpretojë andaj edhe ajo e thotë që presidenti zgjidhet për mandat të gjatë, e që në Kosovë ai është mandat pesëvjeçar. Andaj të gjithë duhet të respektojnë këtë vendim të Gjykatës. Ky është një vendim i organit më të rëndësishëm në vend”, tha Fitou, me rastin e një ceremonie të organizuar për nder të Ditës së 14 Korrikut, që shënon festën kombëtare të Francës.
Duke mos dashur t’i komentojë protestat e serbëve të veriut kundër Zyrës Administrative, Fitou ka thënë se për këtë çështje më së miri është që të pyeten qytetarët e asaj pjese, në mënyrë që kjo zyrë të jetë më efikase.
“Le të pyesim njerëzit në veri për të bërë më të mirën nga kjo Zyrë Administrative, për të shfrytëzuar atë në mënyrë që qytetarët të kenë shërbime më të mira administrative. Kjo edhe është arsyeja e hapjes së kësaj zyre, jo për arsye politike por thjesht për të ndihmuar njerëzit në jetën e tyre të përditshme”, tha ai.
Ndërkaq shtrëngimin e duarve në mes të Thaçit dhe Tadiqit e vlerëson si pjekuri të re politike. Sipas tij, takimi mes dy politikanëve në Ballkan është një shenjë shumë e mirë.
“Kjo tregon një pjekuri politike, është një shenjë e mirë dhe për këtë i falënderojmë të dy politikanët Thaçin në një anë dhe Tadiqin në tjetrën”, tha Fitou./Indeksonline/kohaislame