4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Filozofia politike e Ramës “ne bëjmë shtet” ka pasoja

Më të lexuarat

FITIM ZEKTHI

Vrasja e të riut Klodian Rasha ka tronditur shoqërinë në çdo kuptim. Një djalë i pafajshëm, i parrezikshëm, i pambrojtur, që qëndronte pranë shtëpisë së tij, ndiqet nga Policia për shkak të mosbindjes ndaj urdhrit për të ndaluar dhe qëllohet për vdekje. Më rëndë se kaq nuk mund të ketë. Më lemeri se kaq nuk mund të mendohet asgjë.

Veç kësaj pati përpjekje nga Policia për të mos e thënë të gjithë të vërtetën, madje pati përpjekje për ta manipuluar atë, duke thënë se u gjet një armë në rrugë (gjasme i përkiste djaloshit), se ai u plagos dhe vdiq në spital (ndërkohë që kish vdekur në vend) etj.

Vrasja e Klodian Rashës, e dikujt si të gjithë, e dikujt që duke qenë si të gjithë ne, është dy herë më shumë pjesë e shpirtit tonë dhe pjesë e dhimbjes së të gjithëve, ka shumë vite që ka nisur. Vrasje të tilla bëhen ngadalë, ato duan kohë, ato kërkojnë që Policia të fillojë të përshtatet në terma të tjerë, që Policia të shmanget nga natyra dhe funksionet e saj, që Policia të fillojë t’i shërbejë një filozofie politike që do ta çojë atë domosdo në vrasje të tilla.

Kur ra komunizmi dhe kur në pushtet erdhi Partia Demokratike në vitin 1992, në mes të atij mjerimi ekonomik dhe kaosi social, qeveria, e cila do të përpiqej të ndërtonte institucione të reja dhe shtet të ri pas 45 vitesh komunizëm, u përpoq të fokusohej te ringritja e ekonomisë, te liberalizimi i tregut, te gjetja e mënyrave që njerëzit të hanin bukë dhe të punonin.

Pak a shumë në këtë frymë u pa ndërtimi i “shtetit” të ri, në frymën e krijimit të lirisë në ekonomi dhe në lëvizje, në frymën e rritjes së ekonomisë dhe të konsolidimit të institucioneve. Shteti nuk u pa si diçka që rregullohet me Polici, nuk u pa si diçka që ka në qendër Policinë, përkundrazi, ajo Polici e frikshme, degët e brendshme që kishin mbjellë terror, u zhveshën nga ajo frymë dhe nga ajo atmosferë e zezë. Ajo Shqipëri pati arritje të rëndësishme, pavarësisht se dhuna dhe rebelimi i 1997-ës i zhbënë ato.

Në vitin 1997, kur Kryeministër u bë Fatos Nano, shteti u pa pak a shumë njëlloj si diçka që ka të bëjë me institucionet, me reformat, me ndërtimin dhe me menaxhimin e krizës. Fatos Nano përdori sloganin “Dhurojmë pushtet për të bërë shtet”. Ai i dha Ministrinë e Brendshme Neritan Cekës së PAD-së, i dha Ministrinë e Jashtme Paskal Milos së PSD-së, emëroi kryetar Kuvendi Skënder Gjinushin nga PSD, i dha Ministrinë e Punëve Publike Gaqo Apostolit nga PSD, emëroi Sekretar Shteti për Mbrojtjen Perikli Tetën dhe ministër Shteti Arben Imamin nga PAD etj. Nano nuk e pati asfare në fokus Policinë dhe as që mendoi ndonjë çast se shteti bëhej me Polici. Edhe Nano pati arritjet e tij të rëndësishme.

Kur PD erdhi në pushtet në vitin 2005, ajo e pa “ndërtimin e shtetit” si diçka që ishte e lidhur me luftën ndaj korrupsionit dhe me zhvillimin e ekonomisë. Slogani i saj madje ishte “Me duar të pastra” dhe “Koha për ndryshim”. Tërë filozofia politike gjatë qeverisjes së saj u vërtit rreth investimeve publike në infrastrukturë, rreth ndërtimit të rrugëve, rreth reformave të tregut dhe ato u panë si mënyra dhe fokusi, nga i cili merr jetë ndërtimi i shtetit dhe i institucioneve. Arritjet ishin domethënëse. Vendi hyri në NATO, u liberalizuan vizat, u ndërtuan gjëra të rëndësishme.

Edhe PD në 1992, edhe PS në 1997, edhe PD në 2005, mund të mos kenë pasur suksesin e pritshëm në “ndërtimin shtetit”, por ky “ndërtim i shtetit” nuk është parë kurrë si diçka policore apo diçka, ku Policia duhet të kishte një rol të madh. Edhe Berisha, edhe Meksi, edhe Nano, edhe Majko, edhe Meta, në këto 23 vite, kurrë nuk e panë shtetin si diçka që bëhej me Polici, që bëhej nga Policia, që njerëzit dhe qytetarët duheshin bërë zap me Polici dhe këtu fillon dhe mbaron “ndërtimi i shtetit”.

Në vitin 2013, politika shqiptare ndryshoi në mënyrë radikale, ndryshoi në mënyrë paradigmatike. Në vitin 2013, në pushtet erdhi një qeveri, e cila e shihte “ndërtimin e shtetit” si diçka që kishte të bënte me Policinë, si diçka që kishte të bënte me bërjen zap të njerëzve me anë të Policisë, si diçka ku rregullat për qytetarët e thjeshtë bëhen të zbatueshme nga dhuna e Policisë etj. Edhe togfjalëshi totalitar, komunist apo fashist qoftë, (janë e njëjta gjë), “ndërtim shteti” nisi të përdoret nga qeveria dhe shumica e saj parlamentare në këtë periudhë. Ky togfjalësh, që nuk kishte qenë ndonjëherë i përdorur në 23 vite, u nxor nga pirgu me kocka dhe gjak i gjuhës politike të komunizmit për t’u përdorur përsëri.

Rama nxori sloganin e turpshëm “ne bëjmë shtet”. Ky slogan i turpshëm vendosej në çdo tryezë, poltron apo foltore ku gjendej ministri i Brendshëm, Saimir tahiri. Ky slogan i turpshëm nuk u vendos kurrë në poltronin, tryezën apo foltoren e ministrit të Ekonomisë, Shkëlqim Cani, të ministrit të Arsimit, Lindita Nikolla, të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja, të atij të Drejtësisë, Nasip Naço etj. Vetëm në foltoren ku ishte Tahiri shkruhej gjithnjë “ne bëjmë shtet”.

Ky është një slogan i turpshëm, sepse e sheh shtetin si diçka mitike, si diçka që është qëllim në vetvete, si diçka që buron nga një e vërtetë absolute apo hyjnore. Shteti në të vërtetë është vetëm një mekanizëm, të cilin njerëzit e duan për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e tyre. Shteti nuk është diçka që rri apo gjendet te Policia, nuk është diçka që të rreh apo të bën zap. Shteti është diçka që gjendet te e drejta, që gjendet te përpjekja për të mos lejuar asnjë shtetar, asnjë tatimor, asnjë njeri të fuqishëm, asnjë forcë të veçantë, asnjë zyrtar të lartë që të prishë garën e lirisë, që të kërcënojë liri dhe të drejta të njerëzve. Shteti është në thelb diçka që, sa më i vogël të jetë, aq më mirë është. Në fokus të tij nuk është kontrolli i njerëzve, nuk është rrahja dhe arrestimi i njerëzve, nuk është ndëshkimi i njerëzve. Një shtet që është i njerëzve, kujdeset që të sundojë një klimë ku njerëzit kanë punë, ku shkollat janë të mira, ku shëndetësia funksionon dhe gjithkush mund të mjekohet në mënyrën e duhur etj. Një shtet i tillë nuk bëhet kurrë me Polici, përkundrazi bëhet duke e kontrolluar Policinë, duke i vënë asaj mekanizma të fortë kontrolli, duke i dhënë shumë pak pushtet, duke e mbajtur larg fare nga politika etj. Një shtet i tillë i mbron njerëzit nga pushteti dhe nga Policia dhe Policia në një shtet të tillë mbron njerëzit nga politika dhe pushteti.

Shtetet komuniste dhe fashiste që duan një pushtet shumë të madh, që duan të kontrollojnë njerëzit, që duan që shteti të jetë në shërbim të pushtetit politik dhe të mbrojë pushtetin politik, e shohin Policinë si një prej organeve jetike. Në këtë lloj shteti, “ndërtimi i shtetit” kalon domosdo nga Policia. Këtë gjë bëri Rama sapo erdhi në pushtet. Ai, së bashku me Tahirin, ndërroi menjëherë si kurrë më parë të gjithë drejtorët e Policisë në qarqe dhe Drejtorin e Përgjithshëm (as në 1992, as në 1997, as në 2005 nuk kishte ndodhur kurrë kjo gjë). Ranma vetë mori pjesë në mbi 20 aktivitete të Policisë, që transmetoheshin live me kamera profesionale. Në këto takime shkruhej “ne bëjmë shtet”, në këto takime flitej për luftën ndaj paligjshmërisë, që gjasme do të bënte Policia dhe qeveria, për luftën e madhe ndaj krimit dhe kaosit etj.

Rama i dha Policisë kompetenca të pushtetit vendor për ndërtimet pa leje (vendim që u shpall antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese), Rama i dha Policisë pushtet mbi mbrojtjen e mjedisit, Rama i dha Policisë pushtet për ndërtimet, për ndërprerjet e dritave etj. Nisi vënia e tritolit nëpër ndërtime pa leje, në mënyrë demonstrative live në televizion.

Policia vrau në Durrës, në zonën e Kënetës, dikë që ajo po e ndiqte. Ai, gjatë ndjekjes, u fut në një ndërtesë të braktisur. Më vonë doli që ai ishte me probleme mendore. Nuk po hyjmë në diskutime nëse Policia mund ta neutralizonte dhe ta nxirrte nga godina për ta kapur, por po themi se këtu nisi një histori turpi për Policinë. Këtu doli togfjalëshi “bravo çuna”. Këtë togfjalësh e përdori ministri i Brendshëm, Tahiri, duke lavdëruar Policinë për vrasjen. Edhe kur janë vrarë bosë të “Cosa Nostras” apo bosë të drogës në Kolumbi, nuk ka shkruar kurrë ministri i Brendshëm italian apo kolumbian “bravo çuna” dhe jo më për dikë që iu përgjigj Policisë me armë, por ishte i rrethuar në një godinë dhe ishte me probleme mendore.

Policia arrestoi në vitin 2014 një grua për mospagim dritash dhe ajo qëndroi në Drejtorinë e Tiranës së bashku me vajzën e saj të mitur mbi 9 orë. Vajza e mitur nuk kishte tjetër veç nënës dhe Policia i mbajti të dyja. Policia arrestoi në vitin 2014 në Pogradec një shofer kamioni për prerje të paligjshme drurësh, i cili kishte me vete në makinë djalin e mitur. Policia i mbajti të dy në komisariat për disa orë. Kjo Polici ka mbajtur të arrestuar të paktën këta dy fëmijë për orë të tëra kundër çdo ligji, çdo norme, çdo morali dhe zakoni.

Policia arrestoi dhjetëra hallexhinj për mospagim dritash apo për lidhje dritash. Policia arrestoi njerëz pse lidhnin dritat kur ata kishin familjarë me dializë apo të sëmurë që kërkonin energji. Policia arrestoi me kamera live gjeneralin Syrja Gjoka (që doli i pafajshëm më pas) për të mbjellë terror. Policia dërgoi në burg njerëz për ndërhyrje çatish, për ndërtime avllish etj.

Kryeministri Rama e trumbetonte Policinë dhe Tahirin si ministrin më të mirë në këto 30 vite dhe Policinë si institucion që po ndryshonte Shqipërinë.

Tahiri ra, fryma në Polici vazhdoi. Ajo është fryma e Ramës. Tahiri ishte veç një ekzekutor. Për Ramën, shteti është diçka që duhet të jetë sa më i madh, mundësisht totalitar, që komandohet në çdo grimcë të tijën nga Rama, në mënyrë që Rama të ketë mundësi të implementojë idetë e tij në këtë popull që nuk kupton dhe që duhet bërë zap nga ky shtet totalitar. Kësisoj, Policia është alfa dhe omega, njerëzit duhet të binden, të kenë frikë, të nënshtrohen dhe të sillen siç mëson Rama, kujdestari i madh, mësuesi apo mbrojtësi i madh. Veç kësaj, një Polici e tillë e mbron Ramën dhe pushtetin politik nga kërcënim prej njerëzve apo popullit. Armiku i vetëm i mundshëm i kësaj Policie dhe i pushtetit politik janë njerëzit.

Rama e dëshmoi këtë edhe kur Policia shkoi të prishë ndërtesa dhe hodhi gaz lotsjellës në mëngjes herët në shtëpi. Rama e dëshmoi këtë kur Lleshaj i quante protestuesit “grup parapolitik, qytetarë të verbër, nganjëherë minorenë, që gjuajnë me gurë, pa e ditur të cilët përse në fund të herës përfundojnë në shtëpitë e tyre të mjera ose në qelitë e paraburgimit”.

Lleshaj, gjithashtu, është i zhytur plotësisht në frymën “Rama mbi Policinë”. Lleshaj e sheh Policinë edhe ai si një instrument dhune dhe inkuizicional që “bën shtet”, që “mbron shtet”. Edhe për Lleshajn, shteti është diçka sublime, mitike, qëllim në vetvete, që nuk ka pse të ketë në fokus interesin dhe të drejtat e njerëzve. Asnjë e drejtë dhe asnjë liri njerëzore nuk duket se ka rëndësi para “shtetit”. Këtij “shteti” duhet t’i bindet kushdo dhe askush nuk mund t’i ikë apo shmanget. Në njëfarë mënyre duhet që “gjithçka të jetë për shtetin, asgjë kundër shtetit dhe asgjë jashtë shtetit”. Ky shtet personifikohet nga Kryeministri, i cili është vetë shteti.

Duket si lojë fjalësh, por kjo filozofi ka bërë që Policia të ketë këtë frymë, që në Polici të emërohen njerëz e bartin këtë frymë. Nuk po i hyjmë diskutimit që u bën atyre qeveria. Kjo filozofi çoi në vrasjen e Klodian Rashës, kjo filozofi rrezikon këdo. Kjo filozofi është Rama dhe askush tjetër. Rama sigurisht që nuk ka dashur që Klodian Rasha të vritet, Rama sigurisht që nuk urdhëron për akte të tilla dhe nuk e dëshiron vrasjen, por mënyra se si e sheh Policinë, rolin e saj në “ndërtimin e shtetit” dhe pushtetin e tij, do të çojë doemos te vrasje të tilla. Është një llahtari se si ne si shoqëri arritëm këtu 30 vjet pas rënies së komunizmit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit