Ashtu siç ishte paraparë në marrëveshjen për targat e arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka filluar largimi i barrikadave në veri dhe vendosja e KFOR-it në Bërnjakë dhe Jarinjë.
Forca të shumta të KFOR-it tashëm kanë dalë në vendngjarje dhe kanë filluar lirimin e rrugës.
Sipas marrëveshjes të arritur ditë më parë në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së, forcat e njësisë speciale të Policisë së Kosovës të vendosura në Jarinjë e Bërnjak, do të largohen njëkohësisht me bllokadat në rrugë, sot në orën 8:00 dhe gjithë kjo tërheqje do të përfundojë maksimalisht deri në orën 16:00.
KFOR-i do të vendoset në Jarinjë e Bërnjak para se të nisë largimi i sinkronizuar dhe do të qëndrojë për dy javë për të mbajtur ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë
Në pikën 2 të marrëveshjes, nga 4 tetori, ora 8:00, hyn në fuqi regjimi i letrave ngjitëse me të cilat do të mbulohen elementet shtetërore në targat e veturave të Kosovës dhe Serbisë.
Ndërsa që nga dita e hënë si Kosova ashtu edhe Serbia do të përdorin stikersat në vend të ndërrimit të tabelave.