Një numër i konsideruar i haxhilerëve janë kthyer sot në Kosovë, pas kryerjes me sukses të Haxhit.
Me lot gëzimi, dhe me emocione të shumta u pritën haxhilerët e rinj nga familjarët e tyre në orët e para të së hënës në aeroportin ‘Adem Jashari’ në Prishtinë.
Haxhilerët u shprehen jashtëzakonisht të lumtur që kanë realizuar një prej ëndrrave të tyre, me emocionet e përjetuara në vendet e shenjta, por edhe me organizimin e Bashkësisë Islame të Kosovës për kryerjen e këtij obligimi.
Haxhilerët nga Kosova, lutje të përbashkët kishin për vendin e tyre, që të mbizotërojë paqja dhe harmonia. Bashkësia Islame e Kosovës edhe këtë vit me sukses të plotë organizoi kryerjen e Haxhit, ku besimtarë të shumtë nga Kosova, kryen këtë obligim.
Viteve paraprake, e gjitha bota ishte përballur me pandemi ku kishte pasur ndalesa të shumta, ndërsa që prej COVID-19, ky është haxhi i parë i cili i është kthyer normalitetit. Gjatë ditëve në vijim pritet të kthehen edhe haxhilerët e tjerë nga Kosova.