Në Prishtinë, ka filluar fushata kombëtare kundër trafikimit me qenie njerëzore, me ku këtë vit vëmendje të posaçme do të ketë vetëdijesimi në rastet e shfrytëzimit të fëmijëve.
Në ceremoninë e hapjes të kësaj fushate, përveç zotimeve për luftë kundër kësaj dukurie negative, u tha se Kosova ende mbetet vend tranzit i trafikimit me qenie njerëzore.
Ministria e Punëve të Brendshme e filloi sot me një konferencë Muajin Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore me moton “Hapi sytë, ke kujdes!”. Me këtë rast u vlerësua angazhimi i institucioneve të Kosovës në parandalimin dhe luftimin e trafikimit me qenie njerëzore në vend. Kryeministri Hashim Thaçi bëri thirrje për vëmendje të veçantë në luftimin e kësaj dukurie.
“Ne jemi të njohur me ashpërsinë e fenomenit të trafikimit njerëzor, që vendi ynë po përballet dhe i kemi kushtuar vëmendje të veçantë. Kosova dhe institucionet e saj mbeten të përkushtuara që të luftojnë këtë dukuri negative dhe të arrijmë rezultate edhe më të mëdha”, tha Thaçi.
Lufta kundër trafikimit me qenie njerëzore është ndër prioritetet e BE-së në agjendën për Kosovën, tha shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar. Ai shtoi se Kosova mbetet vend transit i trafikimit me qenie njerëzore, njofton rtk-ja.
“Misioni i EULEX-it punon krah për krah me policinë e Kosovës dhe ka edhe njësitin kundër trafikimit të qenieve njerëzor, edhe ka suksese. Kjo tregon se Kosova është jo vetëm vendi i origjinës, por edhe transit, vend i destinacionit i trafikimit ku shumica e marrësve janë lokalë vendore. Kjo është shënuar edhe në raportin e progresit të vitit të kaluar, as fëmijët nuk janë të anashkaluar nga këto statistika”, ka thënë Zhbogar.
Ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Jacobson, vuri në pah ngecjen e institucioneve të vendit për ndjekjen penale të atyre që merren me këtë dukuri negative.
Me këtë u pajtua edhe Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi: “Ka pasur edhe disa ngecje të strategjisë së kaluar. Ngecje ka pasur veçanërisht në objektivat e ndëshkimit të personave që merren me trafikim të qenieve njerëzore. Pra, i mbetet gjyqësoret që ta përforcojë punën e vet në këtë drejtim”.
Prokuroria e shtetit, gjithashtu, po bën përpjekje që të ketë rezultate konkrete në këtë drejtim, u tha në këtë konferencë. Ftesë i’u bë edhe medieve të vendit që të kontribuojnë në vetëdijesimin e qytetarëve në luftë kundër trafikimit me qenie njerëzore./Ind/kohaislame