Në një ceremoni të organizuar ka nisur të premten edhe zyrtarisht ndërtimi i shtëpisë së parë në veri të Mitrovicës me fondin e krijuar nga mbrëmja humanitare “Ndihmo edhe ti”, që kishte për qëllim grumbullimin e mjeteve për rindërtimin e shtëpive të djegura dhe të shkatërruara në veri të Mitrovicës gjatë luftës në Kosovë. Shtëpia ka nisur të ndërtohet në Lagjen e Boshnjakëve prej kompanisë “Eurondërtimi” që kishte premtuar ndërtimin e një shtëpie gjatë mbrëmjes humanitare.
Drejtori i kësaj kompanie, Fatmir Behrami, u shpreh shumë i kënaqur që ka pasur mundësinë që të ndihmoj një familje me shtëpi të re. “Shtëpia ka 70 metra katrorë dhe vlera e saj sillet rreth 20 mijë euro. Besojmë se për dy javë do të kryhet puna”, tha ai.
Në këtë mbrëmje ka shprehur anën e saj humane edhe Korporata “Dukagjini”, e cila ka dhuruar mjete të konsiderueshme në ndihmë të gjithë atyre që kanë nevojë të jetojnë më mirë në veriun e vendit tonë.
Shumë i lumtur për ndërtimin e shtëpisë u shpreh përfituesi, Hilmi Miftari. Tha se ka jetuar në kushte të rënda bashkë me fëmijët dhe gruan, por nuk e ka shitur pronën e tij.
Në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe kryetari i komunës, Avni Kastrati, i cili tha se po fillon një fazë e re për veriun, e cila ka inkurajuar banorët që të jetojnë në pronat e tyre dhe mos t’i shesin ato.
Ai edhe një herë ka falënderuar të gjithë ata që janë përgjigjur pozitivisht në mbrëmjen humanitare “Ndihmo edhe ti” për rindërtimin e shtëpive në veri. Ai çmoi lartë gatishmërinë e secilit qytetar, biznismen, politikan, sportisit apo bashkatdhetar për të mbështetur materialisht rindërtimin e shtëpive në veri.
Kastrati ka thënë se viteve të fundit janë rindërtuar më shumë se 100 shtëpi në veri me mbështetje të Qeverisë së Republikës së Kosovës, mirëpo nevoja ende është e madhe meqë janë edhe rreth 250 shtëpi që duhet të rindërtohen.
Ai ka premtuar menaxhim profesional të fondit që do të krijohet. Për të qenë sa më efikas tha se do të përgatitet një botim special ku do të evidentohen emrat e të gjithë atyre që kanë premtuar mbështetje duke precizuar edhe shumën që kanë premtuar.kohaislame