Numërimi i votave të referendumit në Egjipt për një version të ndryshuar të kushtetutës së pezulluar të vitit 2012 filloi të mërkurën në mbrëmje.
Mbështetësit e al-Sisit dhe anëtarët e partisë Al-Nur organizuan protesta për të mobilizuar qytetarët që të votjnë “po” për kushtetutën e rishikuar.
Në qytetin e Aleksandrisë përkrahësit e Mursit mbajtën protesta për bojkotim të referendumit. Tubime të tilla pati gjithashtu edhe në qytete tjera të Egjiptit.
Rezultatet fillestare të enjten treguan se një shumicë dërrmuese e egjiptianëve të cilët morrën pjesë në referendum votuan në favor të kushtetutës së re, edhe pse sipas rezultateve vetëm 35.5 për qind e votuesve të mundshëm dolën në referendumin dy-ditor.
Gati 18.174,533 votues(98.4%) kanë thënë “po” për version të rishikuar, ndërsa vetëm 301.195 votues (1.6%) kanë thënë “jo”, sipas rezultateve nga 93 për qind e vendvotimeve në Egjipt. Rezultatet përfundimtare do të shpallen zyrtarisht të shtunën, ka bërë të ditur Komisioni i Lartë Zgjedhor.
Referendumi është hapi i parë për një plan të imponuar nga ushtria për tranzicionin politik të Egjiptit pas largimit të presidentit të zgjedhur Muhamed Mursi.
Plani gjithashtu parashikon zgjedhje të reja parlamentare dhe presidenciale.
Arrestohen 444 mbështetës të Vëllezërve Musliman
Forcat egjiptiane kanë arrestuar 444 përkrahës të Vëllezërve Musliman gjatë dy ditëve të votimit, me arsyetimin se “ishin përpjekur të prishin atmosferën demokratike, penguan votimin në disa qendra, organizuan mitingje dhe përdorën armë”, ka thënë Ministria e Brendshme.
Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë ka thënë se 11 njerëz kanë vdekur në ditën e parë të votimit dhe 19 janë plagosur gjatë të njëjtës ditë./mszh/kohaislame