-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Figurat e shquara kombëtare, myftiu Ylli Gurra i quan yll polar për qytetarët e Shqipërisë

Më të lexuarat

Ekstremizmi i dhunshëm është një ndër sfidat e reja që janë shfaqur edhe në Ballkan gjatë viteve të fundit dhe ai përbën kërcënim për sigurinë e vetë rajonit.

Sa rrezikohet Shqipëria nga nga kjo formë e shtrembëruar e islamizmit dhe çfarë përpjekjesh bëhen nga vetë bashkësia islame për të mos lejuar shfaqje të ekstremizmit në vend? Në një intervistë për Zërin e Amerikës në Uashington, flet Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra.

Zëri i Amerikës: Zoti Gurra, lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm është një përparësi e administratës amerikane. Cili është qëllimi i vizitës tuaj këtu në Uashington?

Ylli Gurra: Dëshiroj të ndaj me ju dhe me gjithë qytetarët shqiptarë, që na ndjekin përmes Zërit të Amerikës, që i ftuar nga departamenti i religjioneve nga gazeta “Uashington Post” gjendem këtu për të ndarë përshtypjet, mesazhet dhe për të përçuar mënyrën se si ekziston, si menaxhon dhe se si është situata e fesë në Shqipëri, kryesisht e myslimanëve, dhe përpjekjet që bën Komuniteti Musliman i Shqipërisë, si institucioni zyrtar për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm apo shfaqjen dhe shprehinë, apo tendencat për radikalizëm dhe për një ekstremizëm të tillë në raport me vetveten si muslimanë, në raport me shoqërinë shqiptare dhe në raport me zhvillimin shoqëror të Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: A ka në Shqipëri prirje të hapura apo të kamufluara për ekstremizëm të dhunshëm, që janë një shtrembërim i islamit?

Ylli Gurra: E vërteta është ajo që thatë dhe cituat ju. Në brendinë e tyre fetë qiellore, përfshirë edhe Islamin nuk kanë aspak, nuk ushqejnë aspak, nuk përcjellin aspak, nuk kërkojnë aspak nga ndjekësit, nga idhtarët apo nga besimtarët e besimtaret përçimin e dhunës apo lançimin e saj. Përkundrazi. Të gjithë librat qiellorë, përfshirë edhe Kuranin, përçojnë dhe kanë kusht kryesor përcjelljen e paqes dhe përmes rrugëve të paqes dhe vizionet më paqësore. Përmes jush përcjell te cilindo shqiptar dhe besimtar se është e domosdoshme të korrigjojë vetveten në raport me familjen, në raport me shoqërinë, në raport me shtetin dhe në raport me misionin që e ka vetëzgjedhur me vullnet të lirë për të qenë besimtar i Islamit, apo i Krishtërimit apo pse jo, në disa raste edhe ateist.

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri janë ndërtuar shumë xhami. A janë ato të gjitha nën administrimin e Komunitetit Musliman? A dihet se çfarë predikohet në xhamitë e fshatrave të largët, për shembull?

Ylli Gurra: Sigurisht. Pas viteve 90 në Shqipëri ka një ringritje të shpresës për besim dhe të ushqimit me besim si çdo shoqëri demokratike, si edhe në SHBA. Komuniteti Musliman i Shqipërisë përmes 35 myftinive në të gjithë vendin po përpiqet, duke marrë parasysh edhe vetë tranzicionin që po kalojmë si shoqëri, që të ketë në mirëmenaxhim, në administrim dhe në përcjelljen e mesazhit hyjnor të paqes nëpër të gjithë këto objekte kulti, xhami në fshatra dhe në qytete. Po punojmë të ketë një mirëmenaxhim që synon uljen me këmbë në tokë në përcjelljen e këtij mesazhi në raport me vetë myslimanët dhe në raport me gjithë qytetarët e Shqipërisë, duke marrë parasysh kornizën ligjore, kornizën fetare dhe kornizën shoqërore.

Zëri i Amerikës; Zoti Gurra, dua t’ju bëj një pyetje lidhur me figurën e heroit kombëtar të shqiptarëve Gjergj Kastriot Skënderbeu, që luftoi kundër pushtuesve otomanë. Këtë meritë ia njohin edhe vendet europiane. Si shpjegohet që ka përpjekje për denigrimin e figurës së tij? A mendoni se ka një axhendë prapa kësaj?

Ylli Gurra: Më vjen shumë mirë që më jepet mundësia përmes jush, duke ju falenderuar për pyetjen, të përcjell edhe një herë fuqishëm dhe të nënvizoj se muslimanët dhe gjithë shqiptarët nuk kanë asnjë kompleks me figurat kombëtare, duke filluar nga Teuta e epokës ilire, apo Gjergj Kastrioti Skënderbeu, apo tek i pari kryetar i shtetit shqiptar Ismail bej Vlora Qemali, kryetari i parë i Senatit, i cili ka qenë njëherësh edhe kryemyftiu i Shqipërisë 1912-1929, Veli Dibra, apo Atë Fan Noli, i cili ka drejtuar shtetin shqiptar, apo Dom Nikollë Kaçorri, të cilët janë shprehi e gjallë e asaj çka ne besojmë dhe ushqejmë se këto figura janë ylli polar për çdo qytetar të Shqipërisë, janë figura përbashkuese dhe shprehje e unitetit tonë vëllazëror, sa kombëtar aq edhe fetar.

Zëri i Amerikës: Cilat janë këto rryma atëherë, që përpiqen të denigrojnë figurën e Skënderbeut?

Ylli Gurra: Ka edhe qarqe, individë dhe qarqe të caktuara, të cilët dëshirojnë që shqiptarët në këtë shekull të mos mund të bashkohen, ose të mos munden shqiptarët të bëhen ata që kanë qenë dhe që duhet të jemi. Shqiptarë ka në Republikën e Shqipërisë, shqiptarë ka edhe në Republikën e Maqedonisë, shqiptarë ka edhe në shtetin e Kosovës, shqiptarë ka edhe në Republikën e Malit të Zi, po ashtu ka edhe në Çamëri. Pra, një e drejtë sa hyjnore, sa historike aq edhe legjitime, që shqiptarët janë një komb që kanë për të sjellë përmes figurave të tyre kombëtare vetëm dhe vetëm të drejtën e lirisë dhe vetëm paqe. /VoA/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit