FIFA ka publikuar renditjen përfundimtare të Kombëtareve për vitin 2018, ku dhjetëshja e parë nuk ka pësuar ndryshime, ndërsa Përfaqësuesja e Kosovës është ngjitur për plot 46 vende në këtë vit.
Në renditjen e re të FIFA-s, Belgjika vazhdon të mbetet në pozitën e parë me 1727 pikë, por tani me pikë një hendek më të vogël të pikëve me ndjekësit.
Në vendin e dytë vazhdon të jetë kampioni i Botës, Franca me 1726 pikë, ndërsa vendi i tretë mbahet nga Brazili me 1676 pikë.
Në vendet tjera deri në pozitën e dhjetë renditen Kroacia në vendin të katërt, Anglia në të pestin, ndërsa Portugalia zë vendin e gjashtë.
Dhjetëshja mbyllet me Uruguain në shtatë, Zvicra në të tetin, Spanja në të nëntin dhe Danimarka e dhjeta.
Në njoftimin e saj, FIFA nuk ka lënë pa përmendur edhe Përfaqësuesen e Kosovës, e cila ka pasur ngritjen më të madhe në vitin 2018.
Në këtë vit, “Dardanët” janë ngritur për plot 46 pozita shkaku i rezultateve pozitive në Kupën e Kombeve, dhe tani mbyllin vitin në vendin e 131 me 1113 pikë.
Në anën tjetër, Kombëtarja e Shqipërisë e mbyll vitin po ashtu në një pozitë të mirë, pra në vendin e 60-të me 1372 pikë.