Dr. Fidan Xhelili, është studiues i Shkencës së Hadithit i cili më 09 Maj 2017 doktoroi me sukses të lartë në Universitetin Botror të Shkencave Islame.
Ai mbrojti temën e doktoraturës me Titull: “ Hadithet e Agjërimit Vullnetar- Studim analitiko-kritik”, para komisionit vlerësues në përbërje prej: Dr Ali Mustafa Kuda – mentor dhe kryetar; Dr. Abdul Kerim Vurejkat –anëtar i jashtëm; Dr. Harun El Kuda – anëtar (Dekan i Fakultetit Usuluddin, pran Universitetit Botror të Shkencave Islame), Dr. Mahmud Reshid – anëtar.
Punimi i kandidatit është i ndarë në pesë kapituj.
– Kapitulli i parë si parahyrje flet rreth rëndësisë së hadithit tematik dhe rëndësisë së agjërimit vullnetar.
– Kapitulli i dytë përfshinë Hadithet e agjërimit vullnetar të ditëve që pëlqehen të agjërohen.
– Kapitulli i tretë përfshinë Hadithet e agjërimit vullnetar të ditëve që nuk pëlqehen të agjërohen.
– Kapitulli i katërt trajton rregullat fikhore rreth agjërimit vullnetar, dhe
– Kapitulli i pestë përfshinë hadithet e dobëta dhe të shpikura në agjërimin vullnetar.
Ndërkaq Disertacioni përfundon me paraqitjen e rezultateve më të rëndësishme të studimit.
Biografi e shkurtër
Dr. Fidan Xhelili u lind më 13 shkurt 1983 në fshatin Përlepnicë të Gjilanit, ku edhe kreu shkollën fillore, për të vazhduar mësimet në shkollën e mesme “Alaudin”, dega në Gjilan, të cilën e kreu me sukses.
Me të mbaruar shkollën e mesme, ai vazhdon studimet, por kësaj here jo në vendlindje, por në Jordani, ku vazhdon përvetësimin e gjuhës arabe.
Në vitin 2003 ai regjistrohet në njërin prej universiteteve më prestigjioze fetare, atij të Medinës, në Arabinë Saudite, ku në vitin 2007 diplomohet me sukses në fushën e hadithit. Përveç mësimeve në universitet, në Xhaminë e Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ndiqte ligjëratat e njërit prej dijetarëve më të spikatur të botës islame, Abdul Muhsin El-Abad (Allahu e ruajtë).
Studimet posdiplomike i filloi në muajin janar të vitit 2008 në degën e Hadithit në “Universitetin Botëror të Shkencave Islamike” në Jordani, për t’i përfunduar në gusht të vitit 2010 me sukses të shkëlqyer.
Vlen te theksohet se gjatë studimeve të doktoratës hoxha ka shërbyer si imam i rregullt për gjashtë vite me radhë në njërën nga Xhamitë e Ammanit.
Hoxhë Dr. Fidan Xhelili është autor i disa shkrimeve dhe njëkohësisht përkthyes i disa të tjerave. Ai është njëri ndër përkthyesit dhe recensentët e librit “Komentar i librit Rijadu Salihin” të dijetarit Muhamed ibën Salih El-Uthejmin. Gjithashtu është njëri nga themeluesit e revistës ” Këshilla “.
Është i martuar dhe baba i tre fëmijëve.
Dr. Fidan ef. Xhelili aktualisht është imam, mual-lim dhe hatib në xhaminë e Fshatit Përlepnicë të Komunës së Gjilanit.