Raporti i Freedom House për Vendet në Tranzicion, arrin në përfundimin se Ballkani, që dikur ishte një rajon që ngjallte shumë shpresa për reforma në Evropë, ka rënë në nivelin e vitit 2004. Dilema për këtë rajon është sesi të nxiten reformat dhe njëkohësisht të mbahet gjallë shpresa për integrim në BE.
Sipas raportit që merr në shqyrtim 29 vende të Ballkanit, Euroazisë dhe Azisë Qendrore, tema e përgjithshme është stanjacioni dhe kjo falë prirjeve autoritare të udhëheqësve, rivalitetit politik, korrupsionit dhe strukturave jo-funksionale institucionale, raporton VOA.
Në një sistem vlerësimi ku 1 është niveli më i lartë i demokracisë dhe 7 me i ulëti, Shqipëria vazhdon të konsiderohet një qeveri tranzicioni ose regjim hibrid.
Si vlerësim pikësh Shqipëria ka 4.14, njëlloj si vitin e kaluar. Kjo i atribuohet një përmirësimi në sistemin zgjedhor dhe një rënieje në kategorinë e medias të pavarur.
Në Shqipëri sheh ato prirje që sheh në shumë vende të tjera, jo vetëm në Ballkan por në gjithë rajonin, thotë Drejtori i Projektit “Vendet në Tranzicion”, Nate Schenkkan.
“Bëhet fjalë për një rivalitet politik shumë të ashpër dhe intensive mes palëve, që ndonjëherë i kapërcen kufijtë e një konkurrence normale, jashtë rregullave të konkurrencës në demokraci dhe kjo mund ta largojë vëmendjen nga reformat institucionale dhe nga përmirësimi i sistemit të drejtësisë, si të çrrënjosim korrupsionin, apo ekonominë informale”.
Schenkkan thotë se lufta politike ka shkaktuar shpërqendrim dhe në shumë vende të rajonit kur arrihet në një pikë të skajshme konflikti, politika saboton shanset “për të çuar përpara reformat për të cilat ka nevojë gjithë shoqëria”.
Stagnimi në Shqipëri, thotë Schenkkan, mund të jetë më shumë pasojë e korrupsionit që ka depërtuar thellë.
“Korrupsioni në Shqipëri është pa diskutim treguesi më negativ në bazë të matjeve që bëjmë ne në 7 drejtime të ndryshme. Kjo vlen për porthuajse të gjitha vendet e rajonit dhe është fakt që lufta më e vështirë për vendet e rajonit, është ajo kundër korrupsionit”.
Megjithëse kapitulli i raportit për Shqipërinë, nuk është ende përfundimtar dhe për këtë arsye nuk është publikuar apo ndarë me median, zoti Schenkkan thotë se në 2015, pati miratim të një sërë reformash dhe ligjesh dhe angazhime për miratim reformash, si ajo për drejtësinë.
Po ai thotë se për vitin 2016, 2017 e më tej, pyetja është nëse këto reforma do të zbatohen. Ai sqaron se Freedom House është e kujdesshme kur bën vlerësimin e saj, qoftë negativ apo pozitiv, dhe nuk mbështetet thjesht tek miratimi i ligjeve.
“Ne duam të shohim nëse ato do të zbatohen, çfarë ndodh në terren dhe mendoj se me Shqipërinë jemi në këtë pikë. Ka pasur shumë miratime, si decentralizimi, reforma territoriale, por tani duam të shohim nëse po zbatohen ose jo dhe nëse zbatohen, sa efektive do të jenë dhe kjo do ta përcaktojë nëse vlerësimi për Shqipërinë do të përmirësohet”.
Por gjithsesi ashtu si edhe vende të tjera të Ballkanit, Shqipëria është në të njëjtin nivel ku ishte në vitin 2004.