Pas rënies së Grënadës në vitin 1492, pikëmbështetjes së fundit të muslimanëve të Andaluzisë, emiri i Grënadës Muhamedi i XII negocioi për kushtet e dorëzimit, dhe njëri nga kushtet, i cili u pranua nga mbretërit katolikë, ishte toleranca fetare ndaj muslimanëve. Kjo do të thotë, se ata do të lejohen ta praktikojnë lirshëm Islamin, nuk do të paguajnë taksa më të larta se të krishterët, nuk do të kthehen me forcë në fenë krishtere të krishterët që ishin konvertuar në Islam, etj.
Në fillim, mbretërit katolikë ndërmorën një përhapje paqësore të katolicizmit, detyrë të cilën ia besuan arqipeshkvit të Grënadës. Mirëpo, pas vizitës së Grënadës, në vitin 1499, kur e panë se qyteti ende kishte mjaftë karakteristika muslimane, vendosën që kristianizimin t’ia besojnë kardinalit Cisneros, i cili organizoi kristianizimin masiv dhe djegien e të gjitha teksteve fetare në gjuhën arabe. Ky veprim shkaktoi kryengritje (1499-1500) dhe vrasjen e njërit prej agjentëve të kardinalit. Kjo gjë bëri që të krishterët të tërhiqeshin nga premtimet e tyre. Në vitin 1499, kreu fetar i Grënadës, i dorëzoi me dhunë mbi 5.000 libra të vlefshëm të cilët u dogjën, ku shpëtuan vetëm disa libra për mjekësinë. Pas kësaj, muslimanëve ju dha ultimatum që të zgjedhin midis kristianizimit dhe dëbimit ose vdekjes së dhunshme.
Në dorëshkrimet e Vatikanit është gjetur një dokument në gjuhën arabe, i datuar në ditën e fundit të muajit rexheb, viti 910 hixhrij, ose 28. 11. 1504, 12 vjet pas rënies së Andaluzisë. Në atë dokument, dijetarët marokenë i këshillojnë muslimanët të cilët janë kristianizuar me dhunë që ta ruajnë besimin e tyre.
Pas falënderimit të Allahut dhe salavatit për Pejgamberin (savs), ata i përmendin edhe një numër shpërblimesh për ata që e mbajnë besimin dhe durojnë.
Në fillim të dokumentit shkruan: “Dijeni se idhujt ose druri i gdhendur apo guri i gdhendur, njeriut nuk mund t’i sjellë mirë as t’i bëjë të keqe. Pushtetin absolut e posedon vetëm Allahu i Plotfuqishëm, i Cili nuk ka fëmijë, dhe përveç Tij nuk ka zot tjetër, andaj bëhuni robër të Tij dhe bëni ibadet Atij. Kryejeni namazin, qoftë edhe me shenja, jepeni zekatin duke ju dhënë dhurata të varfëve tuaj, sepse Allahu nuk shikon në fytyrat tuaja, por shikon në zemrat tuaja. Pastrimin nga papastërtia ju mund ta bëni duke hyrë në det. Nëse nuk mund të faleni gjatë ditës, kryeni (plotësoni) namazin brenda natës. Ju nuk jeni të detyruar të merrni abdest, mund të merrni vetëm tejemum, duke i prekur muret.”
Dijetarët, që kishin shkruar këtë letër, theksojnë se Pejgamberi (savs), atyre që nuk mund të falen, u ka thënë: “Bëjeni atë që mundeni.”
Pastaj thonë: “Nëse ju detyrojnë që t’i adhuroni statujat në kohën e namazit, apo ju detyrojnë që të merrni pjesë në meshë, ju bëjeni nijet namazin e përcaktuar, dhe ajo çka bëjnë ata ndaj statujave të tyre, bëjeni edhe ju, por duke e menduar Allahun, edhe nëse nuk jeni të kthyer kah kibleja, ju nuk jeni të detyruar, sepse ai obligim bie tek namazi për shkak të frikës. Nëse ju detyrojnë të pini alkool, pini alkool, por pa pasur ndërmend shfrytëzimin e tij. Nëse ju detyrojnë për të ngrënë mish derri, hani mish derri, por zemrat tuaja le të shprehin përbuzje, duke besuar fort në ndalimin e tyre.”
Duke folur për shqiptimin e fjalëve të mosbesimit, ata i këshillojnë: “Kur të jeni të detyruar t’i shqiptoni fjalët e mosbesimit, atëherë mund të përdorni aludime dhe enigma, dhe nëse nuk ka asnjë mënyrë tjetër, mund t’i përdorni edhe ato, por duke mbajtur besimin e fortë dhe duke përbuzur atë që e flisni. Nëse ju kërkojnë që ta fyeni pejgamberin Muhamed (savs), dhe ata e shqiptojnë emrin e tij Mummed, ju fyejeni Mummedin, duke menduar në shejtanin apo në ndonjë njeri.”
Ky dokument tregon se në çfarë gjendje kanë jetuar muslimanët, por edhe pakicat tjera fetare në Spanjë, pas rënies së Andaluzisë muslimane.
Burimi: „Devletu-l-islamijje fi Endelus, 4/342“; IslamBosna.ba
Përkthim: Miftar Ajdini