Në shtëpinë publike të degjenerimit BB kishin hyrë edhe disa besimtarë muslimanë, të cilët herë pas here edhe u falnin! Njeriu është qenie e çuditshme, është gjallesa më inteligjente në këtë tokë, por njëkohësisht, shpesh më absurdja në veprime. Bie fjala, në botën e kafshëve nuk bën vaki, në kushte normale, të shohësh një mi të bëhet bashkë me macet për të gjuajtur minj! Por ndërkohë, njerëz që bëjnë veprime kontradiktore njëkohësisht, mund të gjesh mjaft, edhe kur nuk janë të sëmurë mendorë. I tillë është njeriu, mund të bëjë bashkë gjërat e kundërta: sinqeritetin me hipokrizinë, besimin me mosbesimin, moralin me imoralitetin, djallin me engjëllin, të ligën me të mirën, të vërtetën me të pavërtetën. Edhe pse në logjikën e gjërave, të kundërtat nuk mund të bashkëjetojnë, tek njeriu, falë aftësisë së tij për të bërë bashkë arsyen me ndjenjat dhe për t’i manipuluar ato, mund t’i gjesh ato të bashkëjetojnë në mënyrë të çuditshme.
Kjo bashkëjetesë mes të kundërtave, në shumicën e rasteve çon ujë në mulli të së ligës dhe të së pavërtetës. Allahu thotë në Kuran (el-Bekare:42): “Mos e mbuloni të vërtetën me të pavërtetën! Në këtë mënyrë, ju po e fshihni të vërtetën edhe pse e dini.” Dhe ashtu siç e vërteta fshihet kur përzihet me të pavërtetën, ashtu edhe e mira njolloset kur përzihet me të keqen, sidomos kur është e keqja ajo që mbizotëron.
E vërteta me të pavërtetën dhe e mira me të ligën bashkëjetojnë vetëm në luftë mes tyre, asnjëherë në paqe, e nëse vihet paqe mes tyre, ajo që mbizotëron është e liga dhe e pavërteta. Epoka, në të cilën jetojmë, nisur pikërisht nga doktrinat ideologjike që promovojnë dhe trumbetojnë bashkëjetesën paqësore mes të kundërtave, mes idhujtarisë dhe monoteizmit, mes së mirës dhe së ligës, mes së vërtetës dhe të pavërtetës, ku e vërteta -sipas kësaj pikëpamjeje- është krejtësisht individuale dhe relative, mundëson lehtësimin e bashkëjetesës mes tyre në mënyrë paqësore, paqe kjo, që në fakt shkon në favor të së ligës. Në realitet, është vetë e liga, ajo që e ka stisur këtë pikëpamje të bashkëjetesës paqësore mes të kundërtave për jetën në këtë botë, të cilën e ka ngritur në kult dhe e mbron me ligj dhe përmes së cilës, ajo kërkon të përhapet dhe sundojë, duke ulur armët e kundërshtarëve të saj dhe pushtuar paqësisht hapësirën publike dhe private të njerëzve.
Është e vërtetë se Profeti i Allahut (alejhi salatu ue selam) falej në Qabe, në shtëpinë monoteiste të Zotit, para se ajo të pastrohej nga idhujt, por ndërkohë, ai ishte në luftë të vazhdueshme dhe pa kompromis me to dhe adhuruesit e tyre. Ai nuk pranoi kurrë të bënte paqe me to, madje edhe kur mendoi se mund të pranonte një propozim të idhujtarëve, për të zbutur qëndrimin e tij ndaj idhujve, erdhi vendimi i prerë kërcënues për të:
“Nëse nuk do të të kishim forcuar, ti për pak do të kishe anuar disi nga ata. Atëherë, Ne do të të bënim të vuaje mundimin e dyfishtë në këtë jetë e pas vdekjes dhe pastaj nuk do të gjeje asnjë ndihmëtar kundrejt Nesh.” (el-Isra: 74-75)
Nëse e liga dhe ithtarët e saj nuk janë stepur të joshin dhe tundojnë, qoftë edhe në mënyrë të dështuar profetët e Zotit, a thua vallë do t’i kursejnë besimtarët e tjerë?!
Sigurisht me gjithë çfarë u tha këtu, nuk po pretendojmë se nuk mund të jesh besimtar, vetëm se duke qenë i përsosur dhe se feja nuk i pranon besimtarët e mangët dhe mëkatarët, ndërkohë që siç na thotë një thënie e Profetit (alejhi salatu ue selam), të gjithë njerëzit janë gabimtarë, por ajo që kërkojmë të vëmë këtu në dukje është se ka një dallim të madh, si nata me ditën, mes faktit se të gjithë njerëzit gabojnë dhe bëjnë gjynahe, dhe faktit që këto gjynahe bëhen publike, madje edhe përligjen jo rrallëherë si të lejuara. E para është një dobësi njerëzore e natyrshme, për të cilën Allahu ka premtuar falje dhe mëshirë për të penduarit, ndërsa e dyta është arrogancë ndaj urdhrit të Zotit, dhe shkon deri në kufr dhe dalje nga feja, kur harami konsiderohet si hallall.
Çfarë mesazhi pozitiv islam dhe predikues mund të japë një njeri, që në mënyrë publike mediatike falet, ndërkohë që gjatë gjithë kohës qëndron me zgjedhjen e tij të lirë në një mjedis të turpshëm, ku femra dhe meshkuj të huaj mes tyre sillen në mënyrë imorale, apo konsumon edhe pije alkoolike para kamerave?! I vetmi mesazh i fortë publik që ai jep për shumicën e njerëzve, është se Islami mund të bashkëjetojë me të keqen, namazi me imoralitetin dhe pijet alkoolike! Për rrjedhojë, e vërteta dhe mirësia që Islami kumton, rezulton sipas kësaj mendësie që ky realitet përçon, thjesht një alternativë zgjedhjeje e lirë, njëlloj si të ishte çështje shijeje!
Emisione të tilla degjeneruese dhe relativizuese të së mirës dhe së keqes, të vërtetës dhe të pavërtetës, imoralitetit dhe alkoolit, janë fryt i një mendësie të tërë post-moderne të kohës që jetojmë, të cilat pasi kanë dështuar ta zhveshin njeriun tërësisht nga besimi në Zot dhe nga feja, kanë ndryshuar taktikë, duke e shtyrë atë të përligjë të keqen që bashkëjeton paqësisht me besimin. Është e njëjta mendësi kjo, që shkakton ngjarje të tilla absurde: si priftërinj që celebrojnë në “martesë” çifte homoseksualësh, apo njerëz të të njëjtit soj, që pretendojnë se janë imamë xhamie! Djalli tashmë kërkon që engjëlli të dashurohet me të, pa e ndjerë se po mëkaton! E keqja tashmë kërkon të “fetarizojë” vetveten, që t’i marrë me vete besimtarët hap pas hapi për në zjarrin e Xhehenemit.